Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Përmbledhje

Asambletë Shpirtërore Lokale
Besueshmëria
Besëlidhja
Direktiva për mësimin
Edukimi Bahá'í
Fondet dhe kontributet Bahá'í
Fuqia e Ndihmës Hyjnore
Gratë
Hukukullahu, e Drejta e Perëndisë
Hukukullahu, Ligji social-ekonomik e shpirtëror i Kitáb-i-Aqdasit (Dr. A.-M. Varqá)
Hukukullahut, Ligji i (Cyrus Alá'í)
Hukukullahut, Një kodifikim i Ligjit të (Departamenti i Kërkimeve)
Jeta e familjës
Konsultimi
Krisa dhe fitorja
Lutje Bahá'í (i vogël)
Lutje Bahá'í
Muzikë
Mësimet për rendin e ri botëror
Mësimi i masave
Ndalimi i pijeve të dëmshme
Njerëzit e shquar
Një jetë e ndershme dhe e shenjtë
Opozitë
Paqe
Përmbledhja e përmbledhjeve
Përmbledhje e Trupës Kontinentale në Evropë
Përsosmëri në të gjitha gjerat
Radio
Rini
Ruajtja e Martesave Bahá'í
Rëndësia e arteve në përhapjen e Besimit
Rëndësia e lutjes, e përsiatjes, dhe e qëndrimit devocional
Shenjtëria dhe natyra e zgjedhjeve
Takimet Bahá'í & Festa e 19 Ditëve
Tek Ai do të kthehemi
Thashetheme; Stimulimi dhe Zhvillimi e Komuniteteve Bahá'í
Transformimi shpirtëror
Të jetosh jetën
Të çojmë përpara hyrjen me trupa
Varrimi Bahá'í
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Përmbledhje : Mësimi i masave
M Ë S I M I I M A S A V E
PËRMBLEDHJE
Përmbledhur nga Departamenti i Kërkimeve
i Shtëpisë Universale të Drejtësisë,
Mars 1968
Original Title:
Teaching the Masses

Materials assembled by the Research Department of The Universal House of Justice, March 1968

Published by : Bahá'í PUBLICATIONS AUSTRALIA in The Compilation of Compilations, VOLUME II, 1991

Text: Albanian
(c) Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá'í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës, Nr. 59 - Tiranë
Botimi i parë 1996 - 153 E.B.
PJESË NGA LETRAT E SHTËPISË UNIVERSALE
TË DREJTËSISË DHE TË RUAJTËSIT
LIDHUR ME MËSIMIN E MASAVE

Kur masat e njerëzimit të zgjohen dhe të hyjnë në Besimin e Perëndisë, do të vihet në lëvizje një proces i ri dhe do të fillojë rritja e një qytetërimi të ri. Shikoni daljen e Krishtërimit e të Islamit. Masat e tyre përbëhen prej njerëzish të thjeshtë, të kredhur në traditat e veta, por të hapur për Fjalën e Re të Perëndisë, nga e cila, kur i përgjigjen me të vërtetë asaj, ata ndikohen aq shumë saqë i transformojnë njerëzit që bien në kontakt me ta.

Standardet e Perëndisë janë të ndryshme nga ato të njerëzve. Sipas standardeve njerëzore, vlerën dhe madhështinë e çdo kauze e përcakton pranimi i saj nga njerëz të shquar, me pozitë e famë të njohur. Por, sipas fjalëve të Bahá'u'lláh-ut: "Thirrjet dhe mesazhi që dhamë Ne kurrë nuk kanë pasur për qëllim të arrinin ose t'i sillnin përfitim vetëm një vendi apo një populli. Njerëzimi në tërësinë e tij duhet të aderojë në mënyrë të vendosur në çdo gjë që i revelohet apo i dhurohet atij." Dhe gjithashtu, "Ai ka pajisur çdo shpirt me aftësinë për të njohur shenjat e Perëndisë. Ndryshe si do të mundej Ai të përmbushte dëshminë e Tij për njerëzit, në qofshi ndër ata që e peshojnë në zemër Kauzën e Tij." Në vende ku mësimi i masave ka ecur përpara, Bahá'í-të i kanë shpenzuar kohën e përpjekjet e tyre në zona fshatare po aq sa më parë në qytete e qyteza. Rezultatet tregojnë se sa e gabuar është të përqëndrohesh vetëm në një sektor të popullsisë. Prandaj çdo Asamble Kombëtare duhet t'i balancojë burimet e t'i harmonizojë përpjekjet e veta në mënyrë të tillë që Besimi i Perëndisë t'u mësohet jo vetëm atyre që janë pranë, por të gjithë sektorëve të shoqërisë, sado larg që të jenë.

Njerëzit e thjeshtë të botës-dhe ata përbëjnë shumicën e madhe të popullsisë së saj-kanë të njëjtën të drejtë të njohin Kauzën e Perëndisë si dhe të tjerët. Kur miqtë shpjegojnë Fjalën e Perëndisë, ata duhet të kenë kujdes që ta japin Mesazhin me po atë thjeshtësi siç shpallet në Mësimet tona. Në kontaktet e tyre ata duhet të tregojnë dashuri të vërtetë e hyjnore. Zemra e një personi analfabet është tepër e ndjeshme; ajo ndjen menjëherë çdo gjurmë paragjykimi nga ana e pionierit apo e mësuesit.

Kur japin mësim midis masave, miqtë duhet të bëjnë kujdes që të mos e vënë theksin te aspektet bamirëse e humanitare të Besimit si një mjet për të fituar rekrutë. Përvoja ka treguar se kur të mira të tilla si shkolla, dispanseri, spitale, madje edhe veshje e ushqime, u ofrohen njerëzve që marrin mësim, lindin shumë ndërlikime. Motivi i parë duhet të jetë gjithmonë përgjigja e njeriut ndaj mesazhit të Perëndisë dhe njohja e Lajmëtarit të Tij. Ata që e deklarojnë veten Bahá'í duhet të magjepsen me bukurinë e Mësimeve dhe të ndjehen të prekur nga dashuria e Bahá'u'lláh-ut. Deklaruesit nuk ka nevojë t'i dinë të gjitha provat, historinë, ligjet dhe parimet e Besimit, por në procesin e deklarimit të tyre ata, veç kapjes së shkëndijës së besimit, duhet të informohen në thelb rreth figurave Qendrore të Besimit, si dhe për ekzistencën e ligjeve që ata duhet të ndjekin e për administratën së cilës duhet t'i binden.

Pas deklarimit, besimtarët e rinj nuk duhen lënë të vetmuar. Përmes korrespondencës e dërgimit të vizitorëve, përmes konferencash e kursesh edukative, këta miq duhen forcuar me durim e duhen ndihmuar me dashamirësi për t'u zhvilluar derisa të arrijnë pjekurinë e plotë si Bahá'í. Ruajtësi i shumëdashur, duke iu referuar detyrave që kanë Asambletë Bahá'í për të ndihmuar besimtarin e sapodeklaruar, shkruante: "...anëtarët e çdo Asambleje duhet të përpiqen që, me durimin e tyre, me dashurinë e tyre, me taktin e me urtinë e tyre, të përkujdesen, pas pranimit të tij, për ta çuar të porsardhurin në pjekurinë Bahá'í dhe për ta tërhequr gradualisht atë deri në pranimin pa rezerva të gjithçkaje urdhërohet në mësimet."

(Nga një letër e datës 13 korrik 1964 dërguar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare)

Nga raportet e shënimet që marrim prej Asambleve Shpirtërore Kombëtare të ndryshme është e qartë se përpjekjet tuaja për të tërhequr një numër më të madh shpirtrash të ndjeshëm ndaj Kauzës së Perëndisë, për të hapur fusha të reja për veprimtarinë mësimore në rritje dhe për të konsoliduar punën e bërë gjer tani, varen nga shtimi i mësuesve udhëtues lokalë e i pionierëve që ndihmohen nga Fondi për t'i kushtuar një pjesë më të madhe të kohës së tyre shërbimit mësimor Bahá'í nën drejtimin tuaj.

Në këtë situatë ka një rrezik që duhet shmangur me çdo kusht. Me gjithë kërkesat e ngutshme të Planit Nëntëvjeçar, asnjë mësues Bahá'í nuk duhet ta konsiderojë veten askund si i punësuar në mënyrë të përhershme nga Besimi. Ne nuk kemi në Kauzën e Perëndisë ndonjë karrierë të paguar, të hapur për mësuesit Bahá'í.

Ruajtësi i shumëdashur e ka sqaruar këtë parim bazë të administrimit Bahá'í nëpërmjet letrave të tij të përsëritura drejtuar Asambleve Kombëtare, nga të cilat po citojmë:

Në kohën e tanishme do të ishte krejt e pamundur të përhapet Kauza, në qoftë se ata që ngrihen për t'i shërbyer asaj, si mësuesit ose pionierët, nuk do të merrnin ndihmë financiare. Megjithatë, të gjithë duhet ta kuptojnë se paratë që marrin janë vetëm që të përmbushin objektivat e tyre dhe se ata nuk mund ta konsiderojnë veten të caktuar që të financohen në mënyrë të përhershme prej Kauzës.

(Nga një letër e datës 12 gusht 1944 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Bahá'í-ve të Indisë e të Birmanisë)

Po kështu duhen ndihmuar financiarisht mësuesit për të zbatuar "projektet" që u janë caktuar. Miqtë për asnjë moment nuk duhet ta ngatërrojnë këtë lloj mbështetje me krijimin e një kleri të paguar. Çdo Bahá'í mundet, po ta vendosë Asambleja Shpirtërore Kombëtare (AShK), të marrë këtë ndihmë të nevojshme, dhe kuptohet qartë që kjo është e përkohshme dhe vetëm për zbatimin e një plani të veçantë.

(Nga një letër e datës 29 maj 1946 dërguar Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Ishujve Britanikë)

Çdo Asamble Kombëtare, nëpërmjet Komiteteve të veta Mësimore ndihmëse , duhet të jetë në gjendje t'i planifikojë në mënyrë të tillë kohën e përpjekjet e grupit të vet të mësuesve udhëtues që subvencionon, që të mos krijohet përshtypja se kjo është diçka e përhershme. Me aq sa është e mundur, çdo "projekt" duhet të jetë i kufizuar përsa i përket objektivit dhe kohëzgjatjes së tij.

Po kështu, kur shqyrtohen projektet e pionierëve, t'i bëhet e qartë pionierit se ai duhet të bëjë çdo përpjekje që, duke qenë në postin e tij të mësimdhënies, të sigurojë njëfarë pozite dhe kështu të çlirohet nga nevoja për të tërhequr më tej nga fondet Bahá'í.

Përvoja ka treguar se zbatimi i këtyre parimeve është thelbësor për rritjen e komuniteteve të shëndetshme; kudo që ato janë injoruar, kanë lindur vështirësi e komplikacione. Në rast se keni ndonjë vështirësi në zbatimin e këtyre parimeve, jeni të lirë të konsultoheni me ne. Gjithashtu, në qoftë se keni gjetur ndonjë skemë të veçantë që provohet se ka sukses pa shkelur parimet e mësipërme, jeni të mirëpritur të na dërgoni hollësitë, në mënyrë që ne të mund të vemë në dijeni për metodat tuaja Asamble të tjera Kombëtare dhe t'u japim atyre mundësi të përfitojnë nga përvoja juaj.

Një problem tjetër i lidhur ngushtë me të mësipërmin dhe që ndikon drejtpërsëdrejti në sferat ku zhvillohet puna e mësimit masiv është shkalla në të cilën besimtarët lokalë kontribuojnë për Fondin. Siç e vini në dukje ju, një prej objektivave të Planit Nëntëvjeçar është pjesëmarrja e përgjithshme në jetën e komunitetit Bahá'í. Kjo është e mundur kur çdo besimtar e kupton se jeta e tij shpirtërore personale do të pasurohet dhe se bekime të përgjithshme do të vijnë në qoftë se çdo Bahá'í do të kontribuojë, sado i varfër qoftë ai, sado i vogël të jetë kontributi i tij dhe në çfarëdo formë që të jepet. Asambleja juaj duhet t'i kushtojë mjaft kohë në çdo takim shqyrtimit të kujdeshëm të këtij procesi bazë. Ne duhet të jemi të bindur se parimet e parashtruara në Shkrimet tona janë jo vetëm të zbatueshme, por edhe e vetmja zgjidhje për sëmundjet e njerëzimit. Me një bindje të tillë në zemrat e veta, anëtarët e çdo Asambleje Kombëtare që ndeshen me këtë problem të madh duhet të diskutojnë, dhe brenda kuadrit të kushteve ekonomiko-shoqërore të komuniteteve ku ata shërbejnë, të gjejnë rrugët e mjetet që ndihmojnë gradualisht, por pozitivisht, për përmbushjen e këtij qëllimi.

(Nga një letër e datës 25 qershor 1964 dërguar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë të gjitha Asambleve Shtpirtërore Kombëtare të angazhuara në punën mësimore midis masave)

Në sajë të fitoreve të shkëlqyera të përqafimit të fesë në shkallë të gjerë, Besimi i Bahá'u'lláh-ut ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit e të vendosjes së tij anembanë botës. Prandaj është imperative që procesi i mësimit të masave jo vetëm të ruhet por edhe të shpejtohet. Struktura e komitetit mësimor që mund të adoptojë çdo Asamble Kombëtare për të siguruar rezultate më të mira në punën e vet mësimore, është një çështje që i lihet krejtësisht në dorë asaj, veçse kjo duhet të jetë një strukturë e efektshme mësimi, në mënyrë që detyrat të kryhen shpejt e në përputhje me parimet administrative të Besimit tonë. Nga gjiri i besimtarëve vendas të çdo kombi duhet të zgjidhen mësues udhëtues kompetentë dhe të hartohen projekte mësimi. Sipas fjalëve të Ruajtësit tonë të shumëdashur lidhur me punën mësimore në Amerikën Latine: "Mbështetje e fuqishme dhe e qëndrueshme duhet t'u jepet veprim-tarive jetësore e shumë të vlefshme të nisura prej ... mësuesve udhëtues ... vendas, të cilët, ndërsa kjo detyrë e madhe shkon përpara, duhet të mbajnë gjithnjë më shumë peshën e përgjegjësisë për përhapjen e Besimit në vendet e tyre."

Ndërsa kjo punë jetësore e mësimit ecën përpara, çdo Asamble Kombëtare duhet të ketë gjithnjë parasysh se shtrirja e konsolidimi janë procese të pandashme që duhet të shkojnë krah për krah. Ndërvarësia e këtyre proceseve sqarohet më së miri në pasazhin e mëposhtëm nga shkrimet e Ruajtësit të shumëdashur: "Çdo depërtim i jashtëm në fusha të reja, çdo shumëfishim i institucioneve Bahá'í duhet të shkojë paralel me një depërtim më të thellë të rrënjëve që mbështesin jetën shpirtërore të komunitetit dhe sigurojnë zhvillimin e tij të shëndoshë. Asnjëherë nuk duhet të largohet vëmendja nga kjo nevojë jetësore, gjithnjë e pranishme; dhe as duhet, në çfarëdo rrethane qoftë, të neglizhohet ose t'i nënshtrohet ajo detyrës jo më pak jetësore e të ngutshme të sigurimit të shtrirjes së jashtme të institucioneve administrative Bahá'í. Që ky komunitet ... të mund të ketë një drejtpeshim të përshtatshëm ndërmjet këtyre dy aspekteve thelbësore të zhvillimit të tij ... është dëshira e zjarrtë e zemrës sime..." Të sigurohet që jeta shpirtërore e besimtarit individual të pasurohet pareshtur, që komunitetet lokale të bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshme për detyrat e tyre kolektive dhe që institucionet e një administrate në zhvillim të veprojnë me efikasitet, kjo është po aq e rëndësishme sa dhe shtrirja në fusha të reja dhe tërheqja e masave të gjera nën hijen e Kauzës.

Këto objektiva mund të arrihen vetëm kur secila Asamble Shpirtërore Kombëtare bën përgatitjet e duhura që të gjithë miqtë të mund të thellohen në dijen e Besimit. Asambletë Shpirtërore Kombëtare në konsultim me Duart e Kauzës, që janë Flamurtarët e Planit Nëntëvjeçar, duhet të shfrytëzojnë ndihmën e anëtarëve të Këshillit Ndihmës, të cilët, bashkë me mësuesit udhëtues të caktuar nga Asambleja ose me Komitetet e saj Mësimore, duhet të inkurajohen vazhdimisht për të drejtuar kurse të thellimit në Institutet Mësimore dhe për të bërë vizita të rregullta në Asambletë Shpirtërore Lokale. Vizitorët, qofshin anëtarë të Këshillit ose mësues udhëtues duhet që në raste të tilla të takohen jo vetëm me asamblenë lokale, por, sigurisht, edhe me anëtarë të komunitetit lokal, kolektivisht në mbledhje të përgjithshme, madje, nëse është e nevojshme, edhe individualisht në shtëpitë e tyre.

Çështjet që diskutohen në takime të tilla me Asamblenë Lokale dhe me miqtë duhet të përfshijnë, ndër të tjera, pikat e mëposhtme:

1) shkalla e përhapjes dhe pesha e Besimit sot;

2) rëndësia e lutjeve ditore të detyrueshme (të paktën lutja e shkurtër);

3) nevoja për t'i edukuar fëmijët Bahá'í me Mësimet e Besimit dhe për t'i inkurajuar ata të mësojnë përmendësh disa prej lutjeve;

4) nxitja e të rinjve për të marrë pjesë në jetën e komunitetit, duke bërë biseda etj. dhe mundësisht duke zhvilluar veprimtari të vetat;

5) nevoja për t'iu bindur ligjeve të martesës, konkretisht nevoja për të bërë ceremoninë Bahá'í, për të marrë pëlqimin e prindërve, për të zbatuar monogaminë; besnikëria pas martesës; po kështu rëndësia e mospërdorimit të pijeve e të drogave intoksikuese;

6) fondi lokal dhe nevoja që miqtë ta kuptojnë se akti vullnetar i të kontribuarit për Fondin është edhe privilegj edhe detyrim shpirtëror. Duhet, gjithashtu, të diskutohet për metodat e ndryshme që mund të ndiqeshin nga miqtë për ta bërë më të lehtë të kontribuarit e tyre dhe për mënyrat që i lejohen Asamblesë Lokale për ta përdorur Fondin e saj lokal në shërbim të komunitetit të vet e të Kauzës;

7) rëndësia e Festës së Nëntëmbëdhjetë Ditëve dhe fakti se ajo duhet të jetë një rast i gëzueshëm dhe një pikë grumbullimi të të gjithë komunitetit;

8) mënyra e zgjedhjes me zhvillimin e aq seminareve sa duhen, duke përfshirë mësimin e metodave të thjeshta të votimit për analfabetët, të tilla siç është caktimi i një selie qendrore si vendi i votimit dhe rregullimi që një person që di shkrim e këndim, qoftë edhe fëmijë, të jetë i pranishëm në atë seli gjatë gjithë ditës, po qe nevoja;

9) e fundit, por jo më e pakta, është puna shumë e rëndësishme mësimore, edhe në lokalitet edhe në qendrat përreth, si dhe nevoja për t'i thelluar vazhdimisht miqtë në bazat e Besimit. Duhet që miqtë ta kuptojnë se duke u mësuar Besimin të tjerëve ata duhet të synojnë jo vetëm ta ndihmojnë shpirtin kërkues të aderojë në Besimin, por edhe ta bëjnë atë një mësues të Besimit e mbështetës aktiv të tij.

Të gjitha çështjet e mësipërme, sigurisht, duhen theksuar në kuadrin e rëndësisë që ka Asambleja Shpirtërore Lokale, e cila duhet inkurajuar që ta përqëndrojë me forcë vëmendjen në këto funksione jetësore, duke u bërë vetë zemra e jetës së komunitetit në lokalitetin e saj, edhe në qoftë se mbledhjet e saj do të mbingarkohen me problemet e komunitetit. Miqtë lokalë duhet të kuptojnë rëndësinë e ligjit të konsultimit dhe ta kenë të qartë se duhet t'i drejtohen pikërisht Asamblesë Shpirtërore Lokale, t'u binden vendimeve të saj, të mbështesin projektet e saj, të bashkëpunojnë me gjithë zemër me të në detyrën që ajo ka për të çuar përpara interesat e Kauzës dhe të kërkojnë këshillën e udhëheqjen e saj në zgjidhjen e problemeve vetjake e në gjykimin e mosmarrëveshjeve, nëse ndonjë mosmarrëveshje shfaqet midis anëtarëve të komunitetit.

(Nga një letër e datës 2 shkurt 1966 dërguar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare të angazhuara në punën e mësimit të masave)

Siç është theksuar tashmë në komunikime të ndryshme që ju kemi drejtuar, ka rëndësi që Asambletë Shpirtërore Kombëtare të përpunojnë mënyrat e rrugët për të krijuar një ndjenjë përkatësie në zemrat e besimtarëve. Një nga mënyrat për ta bërë këtë është të tërhiqet vëmendja e tyre rreth nevojave të Fondit.

Asambleja Kombëtare nuk duhet ta ndiejë veten ngushtë e as të turpërohet që t'u drejtohet miqve me thirrje të vazhdueshme për ta treguar me shembuj besimin e përkushtimin e tyre ndaj Kauzës duke sakrifikuar për të dhe t'u tregojë atyre se ata do të rriten shpirtërisht përmes akteve të vetmohimit, se frika e varfërimit nuk duhet t'i pengojë të sakrifikojnë për Fondin dhe se ndihma e bujaria e Burimit të të gjitha të mirave dhe e çdo pasurie janë të siguruara e kurrë nuk do të mungojnë... Mund të jetë e dobishme t'u bëhen të njohura miqve pjesë nga shkrimet e Ruajtësit të shumëdashur, të tilla si dy pasazhet që po citojmë këtu poshtë:

Çdo Bahá'í, sado i varfër, duhet ta kuptojë se ç'përgjegjësi të madhe ka ai mbi shpatulla lidhur me këtë, dhe se duhet të ketë besim që përparimi i tij shpirtëror si njeri që beson në Rendin Botëror të Bahá'u'lláh-ut do të varet shumë nga shkalla në të cilën ai e provon me vepra gatishmërinë e tij për të mbështetur materialisht institucionet hyjnore të Besimit të Tij.

(Nga një letër e datës 17 korrik 1937 dërguar në emër të Ruajtësit Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Bahá'í-ve të Indisë e të Birmanisë)

Institucioni i Fondit Kombëtar, kaq jetësor e thelbësor për përparimin e pandërprerë të këtyre veprimtarive, duhet, veçanërisht, të sigurojë mbështetjen e përzemërt, gjithnjë e më të madhe dhe të përgjithshme të masës së besimtarëve, për mirëqenien e në emër të të cilëve janë ndërmarrë e zhvilluar këto veprimtari bamirëse. Të gjithë, sado modeste të jenë të ardhurat e tyre, duhet të marrin pjesë.

(Nga një letër e datës 8 gusht 1957 dërguar në emër të Ruajtësit Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Bahá'í-ve të Afrikës Qendrore e Lindore)

Ne mendojmë se çdo Asamble Kombëtare duhet të konsultohet me kujdes e rregullisht për këtë aspekt jetësor të edukimit të miqve, të mos kursejë asnjë përpjekje dhe të mos humbasë asnjë mundësi për të tërhequr vëmendjen e tyre rreth nevojave të ditës. Për shembull, atje ku është e vështirë të gjendet tokë ose ku nuk ka fonde për blerje pronash, miqve duhet t'u bëhet thirrje në mënyrë dinjitoze dhe efektive për të dhuruar nga toka e tyre për përdorim nga ana e institucioneve Bahá'í. Lidhur me ndërtimin e qendrave lokale Bahá'í, Asambleja Kombëtare duhet të përpunojë me kujdes metoda për t'u bërë thirrje miqve që të kontribuojnë me fuqi punëtore ose me materiale lokale për ngritjen e ndërtesave të tilla. Në rast se nuk ka para të thata për të kontribuar në fond, Asambleja Kombëtare duhet t'i orientojë miqtë lidhur me mënyrat sesi mund të sigurojnë fonde me përpjekje kolektive për të kultivuar një copë tokë, duke kontribuar me bereqet, me gjë të gjallë ose gjellë të përgatitura në shtëpi, me ëmbëlsira ose prodhime artizanati. Mund të organizohen gjithashtu takime të posaçme për shitjen e kontributeve të tilla në natyrë. Lidhur me çështjen e vajtjes së delegatëve në Kuvende, në Asamblenë Kombëtare duhet të vihet në dukje se është e dëshirueshme që miqtë t'i përballojnë vetë shpenzimet.

Në rast se një delegat nuk mund të shkojë me shpenzimet e veta në Konventë, Asambleja Lokale ose besimtarët e njësisë elektorale nga e cila vjen delegati duhet të inkurajohen prej Asamblesë Kombëtare që t'i përballojnë ata këto shpenzime, kështu që vetëm kur nuk gjenden fonde prej atyre burimeve, Asambleja Kombëtare ndërhyn për të shqyrtuar dhënien e ndihmës financiare. I njëjti parim qëndron edhe për veprimtari të tjera, si vajtja në Institute, Konferenca e Shkolla Verore.

(Nga një letër e datës 9 shkurt 1967 dërguar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë Asambleve Shpirtërore Kombëtare të ndryshme)

Shumë Asamble Shpirtërore Kombëtare, në zbatimin e planeve të tyre për shtrirje e konsolidim, e kanë parë të nevojshme të zgjedhin një numër besimtarësh për të shërbyer si mësues udhëtues. Ndërsa i çmojmë shërbimet e vlefshme që kanë dhënë tashmë këta mësues udhëtues, ne megjithatë jemi thellësisht të vetëdijshëm për problemet që u dalin Asambleve tuaja Kombëtare nga dëshira juaj për të vazhduar programet tuaja të mësimit në mënyrë sa më ekspeditive. Qëllimi i kësaj letre është të tërheqë vëmendjen tuaj për faktin që këto probleme mund të zbriten në minimum në rast se zgjedhja e mësuesve të tillë është bërë me kujdes e urti të madhe.

Duhet kuptuar se njerëzit, të cilët në pjesën më të madhe janë analfabetë, nuk mund të gëzojnë të mirën që të lexojnë vetë fjalën e shkruar dhe të nxjerrin drejtpërdrejt prej saj ushqimin shpirtëror që u duhet për pasurimin e jetës së tyre Bahá'í. Ata bëhen, pra, të varur në një shkallë të madhe nga kontaktet e tyre me mësuesit udhëtues. Prandaj kalibri shpirtëror apo cilësia morale e këtyre mësuesve merr një rëndësi të madhe. Asambleja Shpirtërore Kombëtare ose Komitetet Mësimore që përgjigjen për zgjedhjen e këtyre mësuesve duhet të kenë parasysh se zgjedhja e tyre duhet të bazohet jo vetëm në njohjen apo zotërimin e mësimeve nga ana e mësuesve, por në radhë të parë në shpirtin e tyre të kulluar dhe në dashurinë e tyre të vërtetë për Kauzën, si dhe në aftësinë e tyre për ta përçuar këtë shpirt e këtë dashuri tek të tjerët.

...Ç'rezultate të mrekullueshme do të duken shumë shpejt në zonat që ndodhen nën jurisdiksionin tuaj, në qoftë se ju përpunoni rrugët e mjetet për të siguruar, me aq sa e lejojnë rrethanat, që mësuesit udhëtues që ju inkurajoni të qarkullojnë midis miqve, të jenë të gjithë në lartësinë që kërkohet në këto citime-shpirtra të kulluar e të shenjtëruar, të cilët vetëm përkushtimi e vetmohimi i vërtetë e asgjë tjetër i shtyn në shërbimet e tyre për Kauzën e Shenjtë të Perëndisë...

(Nga një letër e datës 26 tetor 1967 dërguar nga Shtëpia Universale a Drejtësisë Asambleve Shpirtërore Kombëtare të angazhuara në mësimin e masave)

Qëllimi suprem i punës mësimore në kohën e sotme është të çojë mesazhin e Bahá'u'lláh-ut në çdo shtresë të shoqërisë njerëzore e në çdo profesion. Një reagim i etur ndaj mësimeve shihet shpesh në sferat më të papritura dhe çdo reagim i tillë duhet ndjekur me të shpejtë, sepse suksesi në një zonë pjellore zgjon reagimin tek ata që në fillim ishin të painteresuar.

E njëjta paraqitje e mësimeve nuk tërheq çdo njeri; metoda e shprehjes dhe mënyra e trajtimit duhet të ndryshojë në përputhje me botëkuptimin dhe interesat e dëgjuesit. Një metodë e llogaritur për t'i tërhequr të gjithë çon zakonisht në tërheqjen e sektorit të mesit, duke lënë të paprekura të dy skajet. Nuk duhet kursyer asnjë përpjekje për të bërë që Fjala shëruese e Perëndisë të arrijë tek i varfëri e i pasuri, tek i shkolluari e analfabeti, tek i moshuari e i riu, tek i devotshmi e ateisti, tek ai që jeton në male e në ishuj të largët, te banori i qyteteve të populluara, te tregtari i periferisë, te punëtori i lagjeve të varfëra, te fisi nomad, te fermeri, te studenti universitar; të gjithë duhet të përfshihen me kujdes në planet mësimore të Komunitetit Bahá'í.

Ndërsa planet duhet të hartohen me kujdes dhe të adoptohet çdo mjet i dobishëm për ta çuar përpara këtë punë, Asambletë tuaja kurrë nuk duhet të lejojnë që plane të tilla të eklipsojnë të vërtetën e ndritur që shtjellohet në këto citime: janë dëlirësia e zemrës, shkëputja, ndershmëria, përkushtimi dhe dashuria e mësuesit që tërheqin konfirmimet hyjnore dhe e bëjnë atë të aftë, sado i paditur qoftë ai në dijet e botës, të fitojë zemrat e njerëzve për Kauzën e Perëndisë.

(Nga një letër e datës 31 tetor 1967 dërguar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare)

Rritja e Kauzës në Indi gjatë disa viteve të kaluara ka qenë e madhe e tepër frymëzuese, dhe është fare e natyrshme që kjo rritje të jetë shoqëruar me probleme e përgjegjësi që kanë vënë në provë të vështirë përvojën e aftësitë administrative të Asamblesë suaj Kombëtare.

...Mësuesit udhëtues dhe pionierët e huaj padyshim mund t'i stimulojnë miqtë dhe t'i ndihmojnë ata në punën mësimore, por në thelb përparimi dhe rritja e Kauzës në Indi varet nga shërbimet e vetë njerëzve tuaj, dhe për këtë qëllim duhet të bëhen përpjekje të koordinuara për t'i përfshirë miqtë në Indi në punën e Kauzës në të gjitha aspektet e saj, për të siguruar pjesëmarrjen e përgjithshme, që do të çojë në fitore edhe më të mëdha për Kauzën. Në lidhje me këtë, ideja juaj për të angazhuar në Indi një numër mësuesish udhëtues të përgatitur mirë, në parim është e drejtë. Ju keni në dispozicion për këtë shërbim Institute të ndryshme Mësimore dhe një numër mësuesish të devotshëm e të mirëinformuar. Një nga detyrat më të rëndësishme të këtyre mësuesve udhëtues duhet të jetë të krijojnë në shumë qendra bërthama besimtarësh të devotshëm e aktivë, që t'i frymëzojnë e t'i ndihmojnë miqtë për të marrë pjesë aktivisht në punën që duhet bërë në fshatrat e qytetet e tyre. Duhet hartuar një plan për t'u dhënë mundësi këtyre mësuesve udhëtues të harxhojnë më shumë kohë në më pak vende, në vend që të bëjnë vizita të shkurtra në shumë qendra. Kjo, nga ana e vet, do t'u japë atyre mundësi të stërvitin mësues vendas në lokalitete të ndryshme për të çuar përpara punën e shtrirjes e të konsolidimit në zonat e veta. Emrat e besimtarëve të stërvitur në këtë mënyrë duhet t'u jepen organeve administrsative të ngarkuara me mësimin. Institute Mësimore, Shkolla Verore, Konferenca, etj. duhet të shfrytëzohen për t'i inkurajuar e përgatitur më tej ata besimtarë, sa herë që paraqiten mundësitë.

Administrata Bahá'í duhet t'u kushtojë vëmendje të veçantë të gjitha programeve tuaja edukative. Besimtarët duhet ta dinë se administrimi ynë është pjesë e fesë sonë. Për këtë arsye, ju jo vetëm duhet t'i edukoni me durim e dashamirësi besimtarët, por të përpiqeni gjithashtu të tërhiqni në Besimin individë që zotërojnë cilësi e aftësi që do ta rritin fuqinë administrative të Komunitetit në tërësi. Ruajtësi i shumëdashur ka deklaruar: "Nuk ka dyshim që klasave më të varfëra duhet t'u mësohet Kauza dhe t'u jepet çdo mundësi për ta përqafuar atë. Veçanërisht me qëllim që t'u tregojmë njerëzve se ne nuk kemi asnjë lloj paragjykimi... Megjithatë, ai e ndjen se çështja kryesore është të tërhiqen njerëz me kapacitet e aftësi të vërtetë-nga çfarëdo shtresë shoqërore që të jenë-, sepse Kauza ka nevojë tani, dhe do të ketë nevojë gjithnjë e më shumë, për shpirtra me aftësi të mëdha, që mund ta paraqesin atë përpara publikut të gjerë, të administrojnë çështjet e saj përherë në rritje dhe të kontribuojnë për përparimin e saj në çdo fushë."

Ne vëmë re me kënaqësi të thellë se Mesazhi i Perëndisë po u çohet të gjitha kategorive të njerëzve në Indi, siç e tregojnë sukseset tuaja në tërheqjen në Besim të një numri të madh studentësh universitarë, si dhe përfaqësuesish të tjerë të klasave të ndryshme të popullsisë.

(Nga një letër e datës 15 shkurt 1968 dërguar nga Shtëpia Universale e Drejtësisë Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Bahá'í-ve të Indisë)


Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :