Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Përmbledhje

Asambletë Shpirtërore Lokale
Besueshmëria
Besëlidhja
Direktiva për mësimin
Edukimi Bahá'í
Fondet dhe kontributet Bahá'í
Fuqia e Ndihmës Hyjnore
Gratë
Hukukullahu, e Drejta e Perëndisë
Hukukullahu, Ligji social-ekonomik e shpirtëror i Kitáb-i-Aqdasit (Dr. A.-M. Varqá)
Hukukullahut, Ligji i (Cyrus Alá'í)
Hukukullahut, Një kodifikim i Ligjit të (Departamenti i Kërkimeve)
Jeta e familjës
Konsultimi
Krisa dhe fitorja
Lutje Bahá'í (i vogël)
Lutje Bahá'í
Muzikë
Mësimet për rendin e ri botëror
Mësimi i masave
Ndalimi i pijeve të dëmshme
Njerëzit e shquar
Një jetë e ndershme dhe e shenjtë
Opozitë
Paqe
Përmbledhja e përmbledhjeve
Përmbledhje e Trupës Kontinentale në Evropë
Përsosmëri në të gjitha gjerat
Radio
Rini
Ruajtja e Martesave Bahá'í
Rëndësia e arteve në përhapjen e Besimit
Rëndësia e lutjes, e përsiatjes, dhe e qëndrimit devocional
Shenjtëria dhe natyra e zgjedhjeve
Takimet Bahá'í & Festa e 19 Ditëve
Tek Ai do të kthehemi
Thashetheme; Stimulimi dhe Zhvillimi e Komuniteteve Bahá'í
Transformimi shpirtëror
Të jetosh jetën
Të çojmë përpara hyrjen me trupa
Varrimi Bahá'í
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Përmbledhje : Fondet dhe kontributet Bahá'í
F O N D E T
D H E
KONTRIBUTET BAHÁ'Í
Përmbledhje
Përmbledhur nga Departamenti i Kërkimeve i
Shtëpisë Universale të Drejtësisë
Original Title:
Bahá'í FUNDS AND CONTRIBUTIONS

Materials assembled by the Research Department of The Universal House of Justice, Revised January 1989

Published by: Bahá'í PUBLICATIONS AUSTRALIA in "The Compilation of Compilations", VOLUME I, 1991

Text: Albanian

Përkthyer e botuar nën kujdesin e Komitetit të Botimeve Bahá'í

Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá'í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 1998 - 155 E.B.
FONDET DHE KONTRIBUTET Bahá'í 1
I. Rëndësia e dhënies

1212. Ne duhet të jemi si çezma ose burimi që e zbraz vazhdimisht veten nga çdo gjë që ka dhe që vazhdimisht rimbushet nga një burim i padukshëm. Të japësh vazhdimisht për të mirën e njerëzve, pa pasur frikë nga varfëria dhe duke u mbështetur në bujarinë e pashtershme të Burimit të çdo begatie e të çdo të mire - ky është sekreti i një jetese të drejtë.

(Shoghi Effendi, cituar në "Bahá'í News" 13 (Shtator 1926), f.1)

1213. E duke qenë se përparimi dhe shtrirja e veprimtarive shpirtërore varet e kushtëzohet nga mjetet materiale, është absolutisht e nevojshme që menjëherë pas ngritjes së Asambleve Shpirtërore lokale si dhe kombëtare, të krijohet një Fond Bahá'í, i cili të jetë nën kontrollin e vetëm të Asamblesë Shpirtërore. Të gjitha dhurimet e kontributet duhet t'i ofrohen Thesarmbajtësit të Asamblesë, posaçërisht për të përkrahur interesat e Kauzës në tërë atë lokalitet ose vend. Eshtë detyrë e shenjtë e çdo shërbëtori të ndërgjegjshëm e besnik të Bahá'u'lláh-ut që dëshiron të shohë përparimin e Kauzës së Tij, të kontribuojë lirisht e bujarisht për rritjen e atij Fondi. Anëtarët e Asamblesë Shpirtërore, sipas gjykimit të tyre, do ta përdorin atë për të zhvilluar Fushatën e Mësimit, për të ndihmuar nevojtarët, për të ngritur institucione edukative Bahá'í, për të shtrirë me të gjitha rrugët e mundshme sferën e tyre të shërbimit. Unë ushqej shpresën se të gjithë miqtë, duke e kuptuar nevojën e kësaj mase, do të vihen në lëvizje e do të kontribuojnë, në mënyrë sado modeste në fillim, për krijimin e shpejtë dhe rritjen e këtij Fondi.

(Shoghi Effendi, nga një letër e datës 12 mars 1923 dërguar Bahá'í-ve të Perëndimit, botuar në "Administrimi Bahá'í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932" [bot. i rish.], (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1980), f.41-42)

1214. Që ju të mund të mbështetni këtë Fushatë të Mësimit - të nevojshme në mënyrë aq jetike në kohën e tanishme - dhe të zhvilloni si duhet e me efikasitet veprimtaritë e tjera të shumta, si shpirtërore dhe humanitare, është urgjentisht e nevojshme të krijohet ky Fond Qendror, i cili, po të përkrahet e mbështetet me zemërgjerësi nga miqtë individualë dhe nga Asambletë Lokale, shpejt do t'ju japë mundësi të zbatoni me shkathtësi e energji planet tuaja.

(Shoghi Effendi, nga një letër e datës 6 maj 1923 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í", f.49)

1215. Lidhur me Fondin Bahá'í, të krijuar kohët e fundit midis miqve, unë kam besim se çështja tani është e qartë për cilindo në gjithë vendin. Siç e kam lënë të nënkuptohet më parë, megjithëse miqtë individualë dhe Asambletë Lokale janë absolutisht të lirë t'ia specifikojnë Asamblenë Shpirtërore Kombëtare objektin dhe qëllimin e dhurimeve të tyre, unë prap se prap mendoj se është e një rëndësie shumë jetësore që individët, si dhe Asambletë Lokale në gjithë vendin, duke pasur parasysh rëndësinë tepër të madhe të Mësimit në shkallë Kombëtare dhe si një provë të besimit absolut të tyre te përfaqësuesit e vet kombëtarë, të përpiqen, sadopak në fillim, të kontribuojnë lirisht për të mbajtur e shtuar Fondin Kombëtar Bahá'í, në mënyrë që anëtarët e Asamblesë Kombëtare të mund ta përdorin atë ashtu si e gjykojnë ata vetë për çdo gjë që e konsiderojnë të ngutshme e të nevojshme.

(Shoghi Effendi, nga një letër e datës 26 nëntor 1923 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í", f.53-54)

1216. ...I takon Asamblesë Kombëtare...të japë gjykimin e vet se deri në ç'shkallë burimet që kanë në dispozicion u japin mundësi të ndihmojnë nga ana financiare ndërmarrjet individuale të miqve. Në qoftë se reagimi i miqve e i Asambleve ndaj thirrjeve të bëra në emër të Fondit Kombëtar është i shpejtë, bujar dhe gjen mbështetje, jam i sigurt se Asambleja Kombëtare do ta justifikojë simpatinë, vullnetin e mirë dhe bashkëpunimin e vërtetë të saj me çdo ndërmarrje individuale Bahá'í. Por, në këtë fazë fillestare të punës sonë, unë do t'u rekomandoja me forcë, madje do t'u lutesha miqve të mos i shpërndajnë përpjekjet e tyre, por të kërkojnë, pas diskutimesh të hapta, të pjekura e të vazhdueshme, të arrijnë në një përfundim të përbashkët për kërkesat më të ngutshme e për nevojat e çastit dhe, pasi t'i kenë njësuar pikëpamjet e tyre, të përpiqen t'i mbështesin e përkrahin ato me gatishmëri, me gjithë zemër e me mirëkuptim.

(Shoghi Effendi, nga një letër e datës 16 janar 1925 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í", f.76-77)

1217. ...Që puna e Asambleve Shpirtërore Kombëtare të mund të drejtohet me efikasitet, u takon anëtarëve të tyre të shohin nëse është e mundur të ngrihet një qendër e përshtatshme dhe e përhershme për veprimtaritë e tyre, e cila të njoftohej gjerësisht e të njihej zyrtarisht si selia e Sekretariatit të tyre. Asaj duhet t'i dërgohen drejtpërsëdrejti të gjitha njoftimet nga miq individualë e Asamble Lokale brenda provincës së saj, nga Toka e Shenjtë dhe nga vende të huaja. Detyra e saj e parë do të ishte të mbajë lidhje të ngushta e të vazhdueshme, pa përjashtim, diskriminim a favorizim, me lokalitetet e ndryshme dhe besimtarët e veçuar brenda jurisdiksionit të saj, dhe t'u shpërndajë me kujdes e pavonesë atyre, si dhe miqve jashtë vendit, çdo çështje të karakterit të përbashkët e të interesit të përgjithshëm.

Që ky qëllim i dëshiruar të mund të materializohet dhe të ruhet niveli i efikasitetit, institucioni i Fondit Kombëtar ka rëndësi të dorës së parë. Unë do t'u rekomandoja gjithnjë më shumë besimtarëve individualë, si dhe Asambleve Lokale në gjithë Indinë e Birmaninë të ngrihen me mish e me shpirt dhe, bujarisht e rregullisht, të kontribuojnë për të mbështetur e zgjeruar një Fond, nga i cili do të varet shumë suksesi i përpjekjeve të tyre.

Unë po e udhëzoj personalisht...Asamblenë, shërbimet e kaluara të së cilës, si morale dhe financiare, për Kauzën e Bahá'u'lláh-ut në Indi e gjetkë janë të gdhendura në zemrën time, t'i përqëndrojë energjitë e saj në këtë dhe të mbështesë me burimet e veta institucionet binjake të Asamblesë Shpirtërore Kombëtare e të Fondit Kombëtar. Unë kam besim se këto shpejt mund të bëhen të afta të mbajnë barrën që rëndon tani mbi miqtë vetëmohues të...

(Shoghi Effendi, nga një letër e datës 25 mars 1925 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Indisë e të Birmanisë)

1218. Sa për sakrificat materiale për mirëqenien e Kauzës, ai dëshiron që ju ta kuptoni se interesat e përgjithshme të Kauzës marrin përparësi mbi ineresat e individëve të veçantë. Për shembull, dhurimet për mirëqenien e individëve janë dytësore kundrejt dhurimeve për Fondet Kombëtare e Lokale dhe kundrejt atyre për Tempullin.

Ky është udhëzimi i përgjithshëm. Sigurisht të ndihmohen individët, në rast se dikush është në gjendje të ndihmojë, edhe kjo është gjithashtu e dëshirueshme dhe meriton të vlerësohet.

(24 nëntor 1925, dërguar dy besimtarëve)

1219. Lidhur me institucionin e Fondit Kombëtar dhe me sistemin buxhetor të shtjelluar në protokollet e Asamblesë Shpirtërore Kombëtare, unë e ndiej se duhet t'ju kujtoj juve nevojën për të mbajtur gjithmonë parasysh parimin kardinal se të gjitha dhurimet për Fondin duhet të kenë karakter thjesht e rreptësisht vullnetar. Duhet bërë e qartë e evidente për cilindo se çdo lloj detyrimi, sado i lehtë e i tërthortë, godet vetë rrënjët e parimit që qëndron në themel të formimit të Fondit që në fillimet e tij. Ndërsa thirrje të një karakteri të përgjithshëm, me fjalë të kujdeshme, prekëse e dinjitoze në ton janë kurdoherë të mirëpritura, i duhet lënë krejtësisht gjykimit të çdo besimtari të ndërgjegjshëm të vendosë për natyrën, sasinë dhe qëllimin e dhurimit të tij ose të saj për përhapjen e Kauzës.

(Shoghi Effendi, nga një letër e datës 10 janar 1926 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í", f.101)

1220. ...Fondi Kombëtar duhet të krijohet në mënyrë të vendosur, të mbështet me bujari dhe të përkrahet nga të gjithë e vazhdimisht, sepse ky është parakushti i përparimit e i arritjeve të ardhme. "Njuz Letër" [News Letter] duhet të zgjerohet, të shpërndahet gjerësisht dhe të përdoret si mjet për të dhënë informacion, për të bashkërenduar veprimtaritë dhe për të siguruar mbështetjen e të gjithë besimtarëve për institucionet e Kauzës. Unë ju rekomandoj fuqimisht të siguroni suksesin e këtyre dy organeve parësore e të qenësishme të punës sonë.

(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës në 25 maj 1926, shkruar në emër të tij për një besimtar individual)

1221. Në kohë zhgënjimi, tensioni e shqetësimesh, me të cilat do të ndeshemi në mënyrë të pashmangshme, ne duhet të kujtojmë vuajtjet e Mjeshtrit tonë të ndjerë. Puna juaj, energjia juaj, vigjilenca e kujdesi juaj, dashamirësia juaj janë të ardhura që unë i vlerësoj e i çmoj së tepërmi. Vazhdoni, këmbëngulni, dyfishojini përpjekjet tuaja, përsëritini dhe rishkruajini qortimet e udhëzimet e të Shumëdashurit tonë në kontaktet tuaja me individë e Asamble, derisa ato të rrënjosen në zemrat dhe mendjet e tyre. Kjo ishte me të vërtetë rruga e metoda e të Shumëdashurit tonë dhe asnjë tjetër më të mirë ne kurrë nuk mund të ndjekim. Puna juaj e tanishme e pararojës me siguri do të kujtohet e do të lartësohet nga gjeneratat brezat e ardhshëm. Lutjet e mia gjithmonë do të ofrohen për ju. Përsa i përket çështjes së dhurimit, ne nuk duhet të përdorim asnjë lloj detyrimi dhe të sigurohemi mirë për dëshirën e dhuruesit. Ne duhet të bëjmë thirrje, por jo t'i detyrojmë miqtë.

(Në Dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 9 korrik 1926, shkruar në emër të tij për një besimtar individual)

1222. Si Bahá'í ne duhet të ndjekim metodën e profetit. Ne e dimë se Kauza më në fund do të fitojë dhe radhët e saj do të bashkohen krejtësisht. Ne e dimë se premtimet e Mjeshtrit më në fund do të realizohen, prandaj përse të dekurajohemi nga kundërvëniet e kota që shohim në rrugën tonë. Përkundrazi, ne duhet ta shtojmë zellin tonë dhe të këmbëngulim në lutjet e përpjekjet tona. Shoghi Effendiu ka marrë masa të vlefshme dhe, me anë letrash si dhe me telegrame, i ka nxitur miqtë...t'i japin mbështetje morale e materiale Fondit Kombëtar. Gjithmonë njerëzve u duhet kohë për të kaluar nga një administrim në një tjetër. Deri tani ata ishin mësuar t'i mendojnë Asambletë Lokale si hallka që vjen menjëherë pas Qendrës së Kauzës, prandaj do të duhet njëfarë kohe e stërvitje derisa ato të mund të pranojnë një epror tjetër. I njëjti problem ekzistonte në Amerikë dhe për njëfarë kohe puna e organit Kombëtar dukej si e paralizuar, por me anë kontaktesh personale e kujtesash të vazhdueshme të Shoghi Effendiut ky problem u zgjidh dhe tani shohim se Asambleja Kombëtare konsiderohet si i vetmi organ që shqyrton çështje që shkojnë tej jurisdiksionit thjesht lokal të Asambleve Lokale.

(7 shtator 1926, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Indisë e të Birmanisë, botuar në " Dawn of a New Day" [Agimi i një Dite të Re], (Nju Dehli: Trusti Botues Bahá'í, [1970]), f.13-14)

1223. ...Unë i kam nxitur ata të mbështesin me këmbëngulje e me gjithë zemër institucionet shumë thelbësore e jetësore të Fondit Kombëtar dhe të Asamblesë Kombëtare. Duhet t'u bëhet e qartë të gjithë atyre se mbështetja e vazhdueshme për këto institucione binjake është guri i themelit i të gjitha arritjeve të ardhme, burimi nga i cili do të burojnë të gjitha bekimet e ardhme.

(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në letrën e mësipërme)

1224. ...mendoj se duhet ta konsiderojmë një aksiomë e një parim udhëheqës të administrimit Bahá'í që në zhvillimin e çdo veprimtarie specifike Bahá'í, e cila ndryshon nga ndërmarrjet e karakterit humanitar, filantropik ose bamirës që mund të zhvillohen në të ardhmen nën patronazhin Bahá'í, vetëm ata që tashmë e kanë njejësuar veten me Besimin dhe që konsiderohen si mbështetësit e saj të betuar e pa rezerva duhet të ftohen për të marrë pjesë e për të bashkëpunuar. Sepse përveç ndërlikimeve shqetësuese që tërheqja e jobesimtarëve në financimin e institucioneve të një karakteri krejtësisht Bahá'í mund të supozohet se do të krijonte në administrimin e komunitetit Bahá'í të së ardhmes, duhet mbajtur parasysh se këto insitucione specifike Bahá'í, të cilat duhen parë në dritën e dhuntive që Bahá'u'lláh-u i ka dhuruar botës, mund të funksionojnë më mirë e të ushtrojnë fuqimisht ndikimin e tyre në botë vetëm në qoftë se rriten e mbahen ekskluzivisht me mbështetjen e atyre që janë krejt të vetëdijshëm e u nënshtrohen pa rezerva kërkesave të brendshme të Revelacionit të Bahá'u'lláh-ut. Sidoqoftë, në rastet kur një mik ose simpatizant i Besimit ngul këmbë shumë për një dhurim monetar në mbështetje të Besimit, dhurime të tilla duhen pranuar e njohur si duhet nga përfaqësuesit e zgjedhur të besimtarëve, duke e kuptuar qartë se ato mund të përdoren prej tyre vetëm për të mbështetur atë pjesë të Fondit Bahá'í, të caktuar eksluzivisht për qëllime filantropike ose bamirësie. Sepse, ndërsa Besimi i Bahá'u'lláh-ut zgjerohet në pikëpamje të shtrirjes e të ndikimit, dhe përpjesëtimisht shtohen burimet e komuniteteve Bahá'í, do të jetë gjithnjë e më e dëshirueshme të bëhet dallim midis të tillë sektorëve të thesarit Bahá'í që do të shërbejnë për nevoja të shoqërisë në përgjithësi dhe atyre që janë të caktuar posaçërisht për të përkrahur interesat e drejtpërdrejta të vetë Besimit. Por nga kjo ndarje në dukje ndërmjet veprimtarive Bahá'í dhe atyre humanitare nuk duhet të nxirret përfundimi se qëllimi shtytës i Besimit të Bahá'u'lláh-ut është i ndryshëm nga synimet e objektivat e insitucioneve humanitare e filantropike të kohës. Përkundrazi, çdo përkrahës i arsyeshëm i Besimit duhet ta kuptojë se, në një fazë të tillë të hershme në evolucionin e kristalizimin e Kauzës, masa të tilla dalluese e të kujdesshme janë të pashmangshme, madje të nevojshme, që institucionet e Besimit që po lindin të dalin triumfuese e të pacënuara nga pështjellimi i tanishëm i interesave konfuze e shpesh kontradiktore që i rrethojnë. Kjo notë paralajmërimi nuk duket e papërshtatshme në një kohë kur, të ndezur nga pasioni i zjarrtë për të parë të plotësuar sa më parë Mashrikul Azkarin [Mashriqu'l-Adhkár], ne jo vetëm mund të jemi të gatshëm ta pranojnë dëshirën e atyre që, edhe pse ende nuk i janë përkushtuar Kauzës, duan të japin ndihmë financiare për institucionet e saj, por madje mund të ndjehemi të prirur edhe të kërkojmë nga ata një ndihmë të tillë, aq sa kanë mundësi të japin. Detyra jonë kapitale është sigurisht të justifikojmë veten në zbatimin e detyrës sonë më të shenjtë, në mënyrë që në ditët që do të vijnë as gjuha e shpifësit, as penda e keqdashësit të mos guxojë të insinuojë se një Godinë kaq e bukur, kaq e rëndësishme nuk është ngritur me përpjekjet unanime, eksluzive e vetmohuese të grupit të vogël por të vendosur të përkrahësve të bindur të Besimit të Bahá'u'lláh-ut. Sa delikate është detyra jonë, sa e madhe është përgjegjësia që peshon mbi ne, që jemi thirrur, nga njëra anë, të ruajmë të paprekur tërësinë dhe njëjtësinë e Besimit përtëritës të Bahá'u'lláh-ut dhe, nga ana tjetër, të mbrojmë parimet e tij të gjera, humanitare e gjithëpërfshirëse!

Është e vërtetë, ne nuk mund të mos e kuptojmë në fazën e tanishme të punës sonë sesa i kufizuar është numri i kontribuesve të aftë të japin ndihmë financiare për një ndërmarrje të tillë të gjerë, të komplikuar e të kushtueshme. Ne jemi krejt të vetëdijshëm për çështjet e shumta dhe veprimtaritë e shumëllojshme Bahá'í që në mënyrë të pashmangëshme janë lënë pezull deri në përfundimin me sukses të Planit të Veprimit të Përbashkët. Ne jemi fare të ndërgjegjshëm për nevojën e ngutshme të njëfarë materializimi të përshtatshëm e konkret të shpirtit që frymëzon Kauzën, i cili të qëndronte në zemrën e kontinentit Amerikan edhe si dëshmitar edhe si një qendër grumbullimi për veprimtaritë e shumta të një Besimi në rritje të shpejtë. Por të shtyrë nga këto mendime, a nuk mund ta nxisim ne veten dhe të vendosim, siç nuk kemi vendosur kurrë më parë, të shpejtojmë me çdo mjet që kemi në dorë përfundimin e kësaj detyre që kërkon kaq shumë e megjithatë kaq të lavdërueshme? Unë ju lutem, të dashur miq, të mos lejoni që konsiderata të numrit të paktë, ose vetëdija për burimet tona të kufizuara, ose edhe përjetimi i zmbrapsjeve të pashmangshme që çdo ndërmarrje e fuqishme patjetër ndesh, të zbehin vizionin tonë, të errësojnë shpresat tona ose të paralizojmë përpjekjet tona në zbatimin e detyrës sonë të caktuar në mënyrë hyjnore. As të mos lejoni, ju lutem shumë, qoftë edhe devijimin më të vogël, për hir të përfitimit e të kompromisit, të zerë ato kanale të hirit gjallërues, vetëm të cilat mund të japin frymëzimin e forcën aq jetësore jo vetëm për zhvillimin me sukses të ndërtimit të tij material, por edhe për përmbushjen e destinacionit të tij të lartë.

(Shoghi Effendi, nga një letër e datës 25 tetor 1929 dërguar Bahá'í-ve të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Administrimi Bahá'í", f.182-84)

1225. Ju pyesni lidhur me disa plane përmes të cilave mund të grumbulloheshin fonde për Tempullin. Shoghi Effendiu beson se metoda më e mirë e më fisnike është të kemi dhurime të lira që bëhen spontanisht dhe me ndjenjën se kryhet njëfarë sakrifice për të çuar përpara Kauzën. Ky Tempull do të ndërtohet me sakrifica. Kjo është metoda me të vërtetë e denjë. Ky parim, pra, përjashton çdo metodë në të cilën përfshihet ndihma e jo Bahá'í-ve. Një Tempull Bahá'í duhet të ndërtohet vetëm nga Bahá'í-të; ai nuk është një veprimtari e zakonshme humanitare për të cilën mund të kërkohet ndihma e çdo njeriu. Sidoqoftë, Shoghi Effendiu ia ka sqaruar plotësisht këto çështje Asamblesë Shpirtërore Kombëtare dhe ju mund t'u referoheni fare mirë atyre për të hedhur dritë të mëtejshme mbi këtë subjekt.

(14 prill 1932, dërguar Asamblesë Shpirtërore të Kenoshas, Uiskonsin, botuar në "Bahá'í News" 64 (Korrik 1932), f.4)

1226. Edhe pse Shoghi Effendiu do ta inkurajonte çdo besimtar të sakrifikonte sa më shumë që të jetë e mundur për hir të dhurimeve në fondin e Asamblesë Kombëtare, por ai nuk do t'i këshillonte miqtë të marrin borxhe për këtë qëllim. Neve na kërkohet të japim atë që kemi, jo atë që nuk e kemi, sidomos nëse një veprim i tillë u shkakton vuajtje të tjerëve. Në çështje të tilla duhet të përdorim gjykim e urti dhe të bisedojmë në konfidencë me Bahá'í të tjerë të devotshëm.

(4 maj 1932, dërguar një besimtari individual)

1227. Shoghi Effendiu dëshiron që unë t'ju vë në dijeni se e ka marrë letrën tuaj të datës 8 maj 1932, që i tregonte atij për disa incidente që kanë ndodhur gjatë Konventës këtë vit, sidomos kur mblidheshin fonde për Tempullin. Ai ishte shumë i gëzuar të mësonte për frymën e mrekullueshme që mbizotëroi në këto takime; sepse vetëm përmes një fryme të tillë devotshmërie e sakrifice Kauza mund të lulëzojë dhe mesazhi i saj të përfshijë botën mbarë.

Ishte gjithashtu e mrekullueshme të shihje interesimin e treguar nga publiku në takimet e përgjithëshme, që ishin pjesë e programit të Konventës. Shoghi Effendiu shpreson se, krahas përfundimit gradual të Tempullit, ky interes do të rritet dhe ata do të përpiqen të bëjnë të vetin shpirtin që frymëzon miqtë e, duke pranuar Besimin e Bahá'u'lláh-ut, do të ngrihen për t'i shërbyer atij e për t'ia kushtuar jetën e tyre përhapjes së tij.

Takime të tilla për mbledhje fondesh janë të lejueshme, nëse kjo bëhet me shpirt të vërtetë sakrifice, e jo kur auditori çohet posaçërisht në gjendje harbimi dhe përdoret psikologjia e turmës për t'i nxitur ata të paguajnë. Shoghi Effendiu e ka deklaruar vazhdimisht se asnjë presion nuk duhet ushtruar mbi miqtë, dhe presioni psikologjik bën pjesë në këtë kategori. Por ka shumë ndryshim midis takimesh të tilla, që përdoren shpesh nga organizata fetare, dhe një atmosfere të vërtetë të qetë, plot devocion, kur një person me dëshirën e vet ngrihet për të bërë një sakrificë. Dallimi është shumë i hollë, por i takon drejtuesit të përdorë aftësinë e tij për të parë që një formë e dëshirueshme të mos degjenerojë në një tjetër. Të gjitha veprimtaritë e Kauzës duhet të zhvillohen në mënyrë dinjitoze. Shoghi Effendiu është i sigurt se fondet e mbledhura në Konventën e fundit, nuk i detyrohen lojës me psikologjinë e turmës, por qëndrimit plot devocion të miqve dhe dëshirës së tyre për të bërë sakrifica të mëtejshme.

(28 maj 1932, dërguar një besimtar individual, botuar në "Bahá'í News" 67 (tetor 1932), f.5)

1228. ...Dhurimet tuaja për Tempullin, si dhe mënyra e shquar me të cilën ju po i ndihmoni besimtarët në përpjekjet e tyre për të zgjeruar fushën e punës së tyre të publicitetit janë kontribute reale e të vazhdueshme që ju keni dhënë për Besimin. Dhe megjithëse tani nuk jeni në gjendje të kontribuoni financiarisht aq shumë sa keni bërë në vitet e shkuara, ju nuk duhet të ndjeheni i dekurajuar, aq më pak i zhgënjyer. Sepse rruga më e mirë që ju mund ta mbështetni efektivisht kauzën e Tempullit nuk janë mjetet materiale, por ndihma morale që është detyra juaj parësore t'u jepni atyre që e kanë në ngarkim ndërtimin e asaj Godine të shenjtë e të pashoqe. Eshtë devocioni, sinqeriteti dhe entuziasmi i vërtetë që me kalimin e kohës mund të sigurojë përfundimin e Tempullit tonë të shumëdashur. Konsideratat materiale, megjithëse thelbësore, nuk janë kurrsesi më jetësoret. Po të kishte qenë ndryshe, Tempulli kurrë nuk do të kishte arritur atë fazë përparimi që aq mirë ka arritur tani. Sepse burimet e komunitetit janë të kufizuara dhe janë prekur rëndë gjatë dy viteve të fundit nga një krizë ekonomike e paparë e mbarëbotërore. Por me gjithë këto pengesa materiale, Tempulli ka bërë një përparim të qëndrueshëm, e qoftë edhe vetëm kjo është e mjaftueshme për të bindur çdo vëzhgues të paanshëm për fuqinë hyjnore që mbështet Besimin - një fuqi përballë së cilës të gjitha vështirësitë materiale duhet në mënyrë të pashmangshme të zhduken.

(30 dhjetor 1933, dërguar dy besimtarëve)

1229. ...Ai dëshiron veçanërisht që ju t'i bindni besimtarët për nevojën që të ruhet vërshimi i dhurimeve të tyre për Tempullin, dhe gjithashtu të theksoni rëndësinë e institutit të Fondit kombëtar Bahá'í, i cili, në këto ditë të hershme të zhvillimit administrativ të Besimit, është një mjet i domosdoshëm për rritjen dhe shtrirjen e Lëvizjes. Dhurimet për këtë fond përbëjnë, veç kësaj, një mënyrë praktike e të efektshme, përmes së cilës çdo besimtar mund të provojë masën e karakterin e besimit të tij dhe të tregojë me vepra intensitetin e përkushtimit e të lidhjes së tij me Kauzën.

(25 shtator 1934, dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Bahá'í News" 88 (Nëntor 1934), f.1-2)

1230. ... Ruajtësi do ta këshillonte Asamblenë tuaj të vazhdonte t'u ngulitë besimtarëve bindjen për nevojën që ata të kontribuojnë rregullisht për fondin kombëtar, pavarësisht nëse ka ndonjë nevojë të ngutshme ose jo. Vetëm dhurimet e vazhdueshme për këtë fond mund të sigurojnë me të vërtetë stabilitetin financiar, nga i cili tani varet kaq shumë e në mënyrë të pashmangshme përparimi i institucioneve të Besimit.

(29 korrik 1935, dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Bahá'í News" 95 (Tetor 1935), f.1)

1231. Ndërsa aktivitetet e komunitetit amerikan Bahá'í zgjerohen, dhe prestigji i tij mbarëbotëror rritet përpjesëtimisht, instituti i Fondit Kombëtar, themeli shkëmbor mbi të cilin të gjitha institucionet e tjera medoemos duhet të mbështeten e të vendosen, merr një rëndësi më të madhe dhe duhet mbështetur gjithnjë më shumë nga tërë besimtarët, qoftë sipas mundësive të tyre individuale dhe me përpjekjet e tyre kolektive, qoftë të organizuar si grupe ose si Asamble Lokale. Furnizimi i fondeve, në mbështetje të Thesarit kombëtar, përbën në kohën e tanishme forcën jetësore të këtyre institucioneve që janë duke lindur, të cilat ju po punoni për t'i ngritur. Rëndësia e kësaj sigurisht është vështirë të mbivlerësohet. Bekime që s'tregohen dot do të kurorëzojnë padyshim çdo përpjekje në këtë drejtim. Unë pres me padurim e duke u lutur lajmet për një shtrirje të paparë në një organ kaq jetësor të Rendit Administrativ të Besimit tonë.

(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në letrën e mësipërme)

1232. Përsa i përket pyetjes suaj lidhur me dhurimet për fondin e Tempullit: miqtë me siguri duhen inkurajuar, madje të nxiten që ta mbështesin financiarisht këtë, si dhe institucionet e tjera Kombëtare të Kauzës. Por atyre kurrsesi nuk duhet t'u kërkohet të veprojnë kështu. Sa për idenë që "secili të japë aq sa mund të përballojë": kjo në asnjë mënyrë nuk vendos një kufi dhe as e përjashton mundësinë e vetësakrificës. Nuk mund të ketë kufi për dhurimin e dikujt në fondin kombëtar. Sa më shumë të japësh aq më mirë është, veçanërisht kur dhurime të tilla kërkojnë sakrifikimin e nevojave e të dëshirave të tjera nga ana e dhuruesit. Sa më e madhe të jetë sakrifica, natyrisht aq më e merituar do të jetë ajo në sytë e Perëndisë. Sepse në fund të fundit, nuk ka aq rëndësi sasia e asaj që dhuron personi, sesa masa e privacionit që sjell ajo për të, gjë që gjithmonë duhet ta mbajmë parasysh kur theksojmë nevojën e një mbështetjeje universale e me gjithë zemër për fondet e ndryshme të Kauzës.

(31 dhjetor 1935, dërguar një besimtari individual, botuar në "Bahá'í News" 250 (Dhjetor 1951), f.1)

1233. Mbi të gjitha, ai dëshiron që nëpërmjet jush të ripërsëritë dëshirën e tij, të shprehur tashmë në telegramin e tij të kohëve të fundit dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare, se Fondi Kombëtar, që përbën padyshim themelin shkëmbor mbi të cilin bazohen në fund të fundit të gjitha veprimtaritë e Kauzës, duhet të ketë mbështetjen e vazhdueshme e me tërë zemër të gjithë besimtarëve. Si Asambletë Lokale dhe besimtarët individualë duhet ta kuptojnë që, nëse ata nuk kontribojnë rregullisht e bujarisht për atë Fond, përparimi i Besimit në Indi e Birmani jo vetëm do të vonohet shumë, por në mënyrë të pashmangshme do të ngecë në vend. Duhet të ketë një ardhje të vazhdueshme fondesh në thesarin kombëtar të Asamblesë Shpirtërore Kombëtare, në qoftë se ai organ dëshiron t'i administrojë si duhet veprimtaritë e shumta e gjithnjë në rritje të Besimit. Çdo Bahá'í, nuk ka rëndësi sa i varfër është, duhet ta kuptojë se ç'përgjegjësi e madhe i bie mbi shpatulla lidhur me këtë, dhe duhet të ketë bindjen se progresi i tij shpirtëror si besimtar në Rendin Botëror të Bahá'u'lláh-ut do të varet në shkallë të gjerë nga masa në të cilën ai e provon me vepra gatishmërinë për të mbështetur materialisht institucionet hyjnore të Besimit të Tij.

(17 korrik 1937, dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Indisë e të Birmanisë, botuar në "Dawn of a New Day" [Agimi i një Dite të Re], f.68)

1234. ...çdo besimtar pa përjashtim, i palëkundur nga pasiguritë, rreziqet e mungesat financiare që kanë mbërthyer kombin, duhet të ngrihet dhe të sigurojë, me të gjitha aftësitë e tij ose të saj, që të ketë një vërshim të vazhdueshëm e të bollshëm fondesh në Thesarin kombëtar, nga i cili varet kryesisht zbatimi me sukses i Planit.

(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 30 janar 1938, shkruar në emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Mesazhe për Amerikën: Letra të dhe Telegrame të Zgjedhura drejtuar Bahá'í-ve të Amerikës së Veriut 1932-1946", (Wilmette: Komiteti Botues Bahá'í, 1947), f.11)

1235. Lidhur me gjendjen e Fondit Kombëtar që, siç raportoni ju, vuan nga një ngathtësi e përgjithshme në dhurime si nga besimtarë individualë dhe nga Asambletë Lokale e grupe: Eshtë më se evidente që në qoftë se vërshimi i dhurimeve nuk ruhet rregullisht, përmes mbështetjes bujare e të vazhdueshme nga të gjithë besimtarët, individualisht e kolektivisht, Fondi Kombëtar kurrë nuk do të jetë në gjendje të plotësojë nevojat dhe kërkesat e Kauzës, veçanërisht në këto kohë kur veprimtaritë kombëtare të besimtarëve amerikanë po marrin përpjesëtime të tilla të gjera e gjithnjë në rritje.

(3 shkurt 1941, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Bahá'í News" 143 (Maj 1941), f.3)

1236. Me të vërtetë, shpirti i shkëlqyer që u jep zemër besimtarëve amerikanë në këto ditë është një burim i madh gëzimi e frymëzimi për Ruajtësin, dhe kur vijnë lajme të mira për fitore të reja e për sakrifica të reja që bëhen, mund të shohësh sesi ngrihet gjendja e tij shpirtërore dhe një valë force të re e pushton atë - edhe pse shpesh ai është i lodhur e i rraskapitur.

Lidhur me këto, letra që ju keni futur me aq kujdes nga ai Bahá'í i dashur që ka dhënë për Fondin e Kauzës diferencën e çmimit të një arkivoli të shtrenjtë ose të lirë, e preku shumë atë. Sakrifica të tilla provojnë kalibrin e miqve dhe sigurojnë vetë themelet e Besimit.

(4 maj 1941, dërguar Thesarmbajtësit të Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Bahá'í News" 144 (Qershor 1941), f.2-3)

1237. I vetëdijshëm për gjendjen e Fondit Kombëtar dhe duke e kuptuar sa e ngutshme është detyra që u del administruesve të Tij, unë kam ndier nevojën që t'ia kushtoj ofertat e besimtarëve amerikanë për Fondin Ndërkombëtar punës që tani përballojnë e sfidojnë miqtë në fushën e mësimit. Duke e vlerësuar shumë shpirtin që ju ka nxitur ju dhe bashkanëtarët tuaj për të dhënë këtë kontribut mujor për Kauzën në Qendrën e saj Botërore, unë e ndjeva se ishte detyra ime t'ia kushtoja këtë dhurim, ndërkohë që Plani Shtatë Vjeçar është ende në veprim, aspektit aq jetësor të mësimit, nga i cili do të varet në analizë të fundit suksesi i tij. Duke pasur parasysh sesa e gjerë është fusha që hapet përpara tyre dhe mundësitë e përpjekjeve të tyre brenda saj, si dhe premtimin e ndritshëm për bekimet e ardhme që duhet të sjellë një punë e tillë, le të ngrihen miqtë në lartësi edhe më të mëdha të vetësakrificës dhe të tregojnë shfaqje edhe më fisnike solidariteti përballë gjendjes kritike që me aq këmbëngulje kërkon mbështetjen e tyre.

(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në letrën e datës 26 tetor 1941, dërguar Thesarmbajtësit të Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Bahá'í News" 149 (Dhjetor 1941), f.2)

1238. ...Nuk ka ndonjë kundërshtim....që Asmbleja Shpirtërore të regjistrojë emrat e kontribuesve dhe shumat që ata kanë dhënë; por asnjë presion nuk u duhet bërë kurrë Bahá'í-ve që ata të kontribuojnë; kjo duhet të bëhet vullnetarisht dhe të konsiderohet si diçka konfidenciale, veç rasteve kur vetë miqtë dëshirojnë që kjo të përmendet haptazi.

(26 tetor 1945, dërguar një besimtari individual)

1239. Në lidhje me pyetjet tuaja: Ai nuk mendon se është e dëshirueshme të shtrojë ndonjë kusht për dhënien e Fondit Bahá'í. Kjo është një çështje krejt personale dhe çdo besimtar duhet të veprojë sipas gjykimit të tij dhe sipas nevojave të Besimit. Në kohë krize, qoftë në çështje të Kauzës ose të familjes së dikujt, njerëzit natyrisht sillen ndryshe nga rrethanat normale. Por vendimet për këto çështje duhet t'i mbeten secilit individ Bahá'í.

(19 tetor 1947, dërguar një besimtari individual, botuar në "Unfolding Destiny" [Shpalosja e Fatit]: Mesazhe të Ruajtësit të Besimit Bahá'í për Komunitetin Bahá'í të Ishujve Britanikë" (Londër: Trusti Botues Bahá'í, 1981), f.447-448)

1240. Në lidhje me çështjen që ngrinit ju: në radhë të parë, çdo besimtar është i lirë të veprojë siç i dikton ndërgjegja e tij për mënyrën sesi t'i harxhojë paratë e veta. Së dyti, ne duhet të kemi gjithmonë parasysh se në botë ka kaq pak Bahá'í në krahasim me popullatën botërore dhe kaq shumë njerëz nevojtarë, që edhe sikur ne të jepnim gjithçka kemi, kjo nuk do të lehtësonte as edhe një thërrime të papërfillshme të vuajtjeve. Kjo nuk do të thotë që të mos i ndihmojmë nevojtarët, ne duhet t'i ndihmojmë ata; por dhurimet tona për Besimin janë rruga më e sigurtë për të hequr një herë e përgjithmonë barrën e urisë e të mjerimit të njerëzimit, sepse vetëm nëpërmjet Sistemit të Bahá'u'lláh-ut - Hyjnor në origjinën e Tij - bota do të mund të qëndrojë mbi këmbët e veta dhe skamja, frika, uria, lufta etj. të eliminohen. Jo-bahá'í-të nuk mund të kontribuojnë në punën tonë ose ta bëjnë atë për ne; kështu, pra, me të vërtetë detyra jonë e parë është të mbështesim punën tonë mësimore, pasi kjo do të çojë në shërimin e kombeve.

(8 dhjetor 1947, dërguar një besimtari individual, botuar në "Bahá'í News" 210 (Gusht 1948), f.3)

1241. Në lidhje me pyetjen tuaj rreth dhurimeve: i përket individit të vendosë; në qoftë se dëshiron t'ia kushtojë një shumë një qëllimi të posaçëm, ai është i lirë të veprojë kështu; por miqtë duhet të pranojnë faktin që caktimi i shumë objektivave për dhurimet do t'i lidhte duart Asamblesë dhe do ta pengonte atë të plotësojë shumë detyrime në fusha të ndryshme të veprimtarisë Bahá'í.

(23 korrik 1950, dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Kandasë, botuar në "Mesazhe për Kanadanë" ([Toronto]: Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'íve të Kanadasë, 1965), f.15)

1242. ...ai ju sugjeron që shumën që do të harxhonit për një turne nëpër botë t'ia jepni Kauzës në kujtim të djalit tuaj. Bahá'u'lláh-u thotë se veprat e kësaj natyre ndihmojnë përparimin e shpirtit të të dashurit që ka vdekur, në botën e përtejme. Djali juaj vdiq me vuajtje, në rininë e tij. Ndoshta po të merrte pjesë ende në punën kaq konstruksive të kësaj bote, kjo do t'i sillte atij paqe e gëzim të mëtejshëm.

(19 shtator 1951, dërguar një besimtari individual)

1243. Përsa i përket pyetjes suaj: miqtë mund t'ia japin dhurimet e tyre thesarmbajtësit, ose, në rast se ata dëshirojnë të mbeten anonimë e të japin shuma të vogla, mund të marrin një dëftesë. Asambleja Lokale mund të vendosë për këtë çështje.

(29 shtator 1951, dërguar një besimtari individual)

1244. Ruajtësi është i sigurt se dhurimi i bërë nga miku juaj, që nuk ka qënë aktiv për Kauzën për një kohë të shkurtër, do të jetë mjeti për ta stimuluar atë të ripërtërijë shërbimin e vet. Asgjë tjetër nuk i sjell sukses Besimit si shërbimi. Shërbimi është magneti që tërheq mbështetjet hyjnore. Kështu, kur një person është aktiv, ai bekohet nga Shpirti i Shenjtë. Kur ata janë joaktivë, Shpirti i Shenjtë nuk mund të gjejë hapësirë në qenien e tyre, kështu ata privohen nga rrezet e tij shëruese e gjallëruese.

(12 korrik 1952, dërguar një besimtari individual)

1245. ...tani është koha për të ngritur Qendrën Botërore të Besimit dhe miqtë jo vetëm janë të lirë, por edhe inkurajohen të kontribuojnë drejtpërsëdrejti në fondet Ndërkombëtare e të Mauzoleut të Báb-it.

Sigurisht, Ruajtësi kurrë nuk ka qenë i mendimit që duke kontribuar për Fondet Ndërkombëtare miqtë do të neglizhojnë përgjegjësitë e tyre për Fondet Lokale e Kombëtare; por sigurisht nuk ishte qëllimi i tij të thoshte se miqtë duhet të kontribuojnë së pari në Fondet Lokale pastaj në ato Kombëtare, para se të kontribuojnë në veprimtaritë ndërkombëtare të Besimit, të cilat në kohën e tanishme janë të një rëndësie kapitale.

Parimi i përgjithshëm i të kontribuarit nga miqtë mbetet i pandryshuar, domethënë gjithkush është i lirë të kontribuojë në ato lloj fondesh që dëshiron dhe në atë shkallë që e shtyn ndërgjegja dhe ndjenja e sakrificës. Por në kohën e sotme, sidoqoftë, duhet të kemi vazhdimisht parasysh udhëzimet e shumta të Ruajtësit se ne duhet të ndërtojmë tani veprimtaritë ndërkombëtare të Besimit dhe, për rrjedhojë, Fondet Ndërkombëtare.

(25 mars 1953, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)

1246. Në letrën tuaj të 28 shtatorit 1953, ju përmendnit shumën prej... që ishte përfshirë në... të caktuar nga Buxheti i Asamblesë suaj për Qendrën Botërore. Parimi përkatës lidhur me këtë është ky: Ruajtësi mendon se Asambleja juaj, duke caktuar buxhetin e vet vjetor dhe pasi kishte caktuar se cila shumë është për qëllimet e Qendrës Ndërkombëtare të Besimit, duhej që menjëherë ta vinte mënjanë atë shumë në dispozicion të Ruajtësit. Të gjitha paratë që merren si dhurime nga Bahá'í-të për Qendrën Ndërkomëtare nuk duhet të përfshihen në këtë llogari, e cila përfaqëson një kontribut të përbashkët kombëtar dhe nuk ka të bëjë fare me dhurimet individuale ose lokale që i dërgohen Qendrën Botërore nën kujdesin tuaj.

(20 korrik 1954, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)

1247. Dhurimin tuaj për Fondin Ndërkombëtar në kujtim të zonjës.... e vlerësojmë shumë. Asaj do t'i sjellë shumë lumturi fakti që emri i saj do të lidhet tani me punën në Qendrën Botërore.

(10 gusht 1956, Asamblesë Shpirtërore të Ann Arbor, Miçigan)

1248. ...Ruajtësi e ndien se tani që Asambleja e re Kombëtare është ngritur, me seli në Kampala, Asambleja duhet të krijojë Llogarinë e vet Bankare. Kur të bëhet kjo, paratë që ju keni marrë për Tempullin e Kampalës duhet t'u kthehen atyre, për t'i depozituar për llogari të vet. Kjo ka të bëjë jo vetëm me kontributin e madh të Zotit ...., por edhe me dhurimet e kaluara që keni marrë dhe për ato që mund të merrni në të ardhmen.

(10 korrik 1956, dërguar Dorës së Kauzës së Perëndisë në Afrikë, Musa Banani-t)

1249. Në Protokollet e nëntorit të takimit të Asamblesë Kombëtare, f.28, Ruajtësi ka vërë në dukje se Asambleja Kombëtare ka në plan të japë një kontribut prej ... dollarësh për Asamblenë e Australinë e të Zelandës së Re për Tempullin e tyre. Ai dëshiron të dijë nëse ky është dhurimi që ka bërë zonja Kolins [Collins] për këtë qëllim, apo është ndonjë kontribut tjetër i dhënë nga fondet e Asamblesë Kombëtare. Nëse ky është dhurimi i zonjës Kolins, atëhere ai natyrisht duhet të jepet në emër të saj.

(15 dhjetor 1956, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)

1250. ...Institucioni i Fondit Kombëtar, kaq jetësor e i qenësishëm për përparimin e pandërprerë të këtyre veprimtarive, duhet, në veçanti, të sigurohet për mbështetjen me gjithë zemër, gjithnjë më të madhe e universale të masës së besimtarëve, për mirëqenien e të cilëve dhe në emër të të cilëve këto veprimtari bamirëse janë ndërmarrë e zhvilluar. Të gjithë, sado modeste të jenë burimet e tyre, duhet të marrin pjesë.

(Në dorëshkirmin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 8 gusht 1957, dërguar në emër të tij Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Afrikës Qëndrore e Lindore)

II. Përgjegjësia e Asambleve në administrimin e Fondeve Bahá'í

1251. ...Problemet financiare që i dalin Kauzës janë të gjitha shumë të ngutshme e të rëndësishme. Ato kanë nevojë për një administrim të arsyeshëm e një politikë të mençur. Ne duhet të studiojmë nevojat e Kauzës, të gjejmë se cila fushë do të japë rezultatin më të madh dhe pastaj të caktojmë fondet e nevojshme. Dhe një detyrë e tillë është sigurisht shumë e vështirë e me përgjegjësi.

(Nga një letër e datës 19 dhjetor 1929 të shkruar në emër të Ruajtësit, dërguar një besimtari individual, Bahá'í News, Nr. 40, f. 17)

1252. Lidhur me dhurimin e tij të veçantë për Fondin Mësimor: ai mendon se kjo është një çështje që duhet lënë tërësisht në gjykimin e Asamblesë Shpirtërore Kombëtare. Ai ka bindjen se harxhimi i vazhdueshëm i një shume të konsiderueshme për të përballuar shpenzimet e udhëtimit të mësuesve nevojtarë, përbën në kohën e tanishme detyrimin kryesor të Fondit Kombëtar. Një përpjekje duhet bërë për të lehtësuar sa më shumë që të jetë e mundur shtrirjen e punës mësimore, duke ndihmuar ata që financiarisht nuk janë në gjendje të arrijnë në destinacionin e tyre dhe, pasi të kenë arritur atje, për t'i inkurajuar të vendosen e të sigurojnë mjetet e jetesës.

(14 nëntor 1936, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Bahá'í News" 105 (Shkurt 1937), f.1)

1253. Përsa i përket pyetjes suaj lidhur me Fondin Kombëtar Bahá'í: nuk ka asgjë në Deklaratën e Besimit ose në Dekretet që të pengojë caktimin e fondeve për ndonjë individ që është në gjendje financiare tepër të vështirë. Por duhet të theksohet dhe të kuptohet qartë nga miqtë se interesat dhe kërkesat kombëtare të Kauzës marrin përparësi absolute mbi nevojat individuale e private. Eshtë detyrë e Asamblesë Shpirtërore Kombëtare ta përdorë në mënyrë të tillë Fondin Kombëtar, që të mos lejojë të rrezikohen interesat kombëtare të Besimit për shkak konsideratash individuale që janë qartësisht kalimtare kur i krahason me interesat afatgjata të Kauzës së Perëndisë. Në raste të rralla e të jashtzakonshme, kur një besimtar nuk ka absolutisht mjete të tjera jetese, Asambleja Shpirtërore Kombëtare mund ose të kontribuojë për shpenzimet e tij nga Fondi Kombëtar, ose t'u bëjë një thirrje të posaçme besimtarëve lidhur me këtë. I takon familjes, komunitetit qytetar dhe Asamblesë Lokale të kujdesen për nevoja të tilla lokale e private të individit. Por në rast se asnjëri prej këtyre burimeve nuk ka mjete për të vepruar kështu, Asambleja Shpirtërore Kombëtare mundet, po të bindet për seriozitetin, ngutshmërinë dhe drejtësinë e rastit, të caktojë një pjesë të fondit të saj për këtë qëllim.

(17 Korrik 1937, dërguar një besimtari individual)

1254. ...Ruajtësi mundet vetëm t'ju shtjellojë juve parimin, se fondet Bahá'í nuk duhet të investohen për ndërtimin e një vendi për të cilin ushqejnë ndjenja të shtrenjta një numër miqsh, por që nuk ka për t'i shërbyer realisht një grupi të madh besimtarësh....

Ideja e Ruajtësit është se Organet Kombëtare, kur krijojnë institucione kombëtare, duhet të përdorin gjykimin e shëndoshë për shkak të investimit financiar që lidhet me këtë. Kjo është krejt e arsyshme.

(8 qershor 1952, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Kanadasë, botuar në "Mesazhe për Kanadanë", f.28)

1255. Ai i kërkon Asamblesë suaj, veç shpejtimit të punës për tempullin aq sa e lejon arsyeja, të mbikqyrë me kujdes shpenzimet dhe të mos e lejojë arkitektin të bjerë në ide ekstravagante. Vetëm nëpërmjet një ekonomie të mençur, eliminimit të gjërave jothelbësore, përqëndrimit në ato që janë thelbësore dhe mbikqyrjes së kujdesshme, vetë Ruajtësi ka qenë në gjendje të ndërtonte Mauzoleun dhe Arkivat Ndërkombëtare në Qendrën Botërore, dhe t'i rrethonte Vendet e Shenjta këtu me ato që në sytë e publikut duken si kopshte të kushtueshme, por që në realitet janë rezultat i një planifikimi rigoroz e të kursyer. Kjo jo vetëm do të sigurojë që buxheti i Tempullit të bëhet po kështu, por do të jetë edhe një shembull i shëndetshëm për Bahá'í-të afrikanë, që nuk duhet të shtyhen të besojnë që, meqenëse Bahá'í-të e botës po ndërtojnë për ta një Tempull në zemrën e atdheve të tyre, burimet tona janë të pafundme dhe se punët e Kauzës mund të mbështeten nga jashtë. Sa më shumë ta shohin se kursimi dhe mbikqyrja e mençur e punës zbatohet lidhur me Tempullin e tyre, aq më shumë do të inkurajohen ata të ndjejnë njëfarë përgjegjësie financiare ndaj Organit të tyre Kombëtar. Duke pasur shumë pak ata vetë, kjo është një çështje delikate dhe, siç e ka informuar ai tashmë Asamblenë tuaj, kurrsesi nuk duhet t'u imponohet një buxhet i rëndë komuniteteve të tilla të dobëta, duke i dekurajuar kështu ato që në fillim, ose duke i shtyrë të besojnë se ashtu si Misionet, paratë tona vijnë nga jashtë.

(8 gusht 1957, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Afrikës Qëndrore e Lindore)

III. Kush mund të kontribuojë në Fondin?

1256. Ofrimi i dhurimeve për këtë qëllim [për mbështejen e veprimtarive të Asamblesë Shpirtërore] është një prej kërkesave të ngutshme të Kauzës së Perëndisë, ai çmohet si tepër i qenësishëm dhe është i një rëndësie të dorës së parë. Pas pagimit të Hukukut [Húqúq], kjo është detyra e çdo Bahá'í.

(Shoghi Effendi, nga një letër e datës 27 shkurt 1927 drejtuar Bahá'í-ve të Lindjes - përkthyer prej persishtes)

1257. Unë mendoj se vetëm pasuri të tilla që zotërohen prej besimtarësh, të vëna qoftë nga Bahá'í-të ose jo-Bahá'í-të, mund të shiten për interes të Tempullit ose të ndonjë insitucioni tjetër Bahá'í, duke ruajtur kështu parimin e përgjithshëm se jobesimtarët nuk supozohet të kontribuojnë, qoftë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi, për të mbështetur institucione që janë të një karakteri thjesht Bahá'í. Sa për mënyrën e përdorimit të pronës Bahá'í për qëllime të tilla dhe për kanalin nëpërmjet të cilit mund të bëhet shitja, unë mendoj se nuk ka rregull të përcaktuar që duhet imponuar. Bahá'í-të individualë janë të lirë të kërkojnë ndihmën e individëve privatë ose të Asambleve Shpirtërore për të vepruar si ndërmjetës për transaksione të tilla. Ne duhet, nga njëra anë, të shmangim konfuzionin dhe, nga ana tjetër, të ruajmë efikasitetin, dhe të mos vëmë kufizime të panevojshme që do të pengonin iniciativën e përpjekjet individuale.

(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 4 janar 1929, dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në "Bahá'í News" 31 (Prill 1929), f.6)

1258. Në lidhje me dhurimin e zonjushës...për fondin, Shoghi Effendiu dëshiron që ju t'ia bëni asaj fare të qartë se ofertat e parave të saj duhet të bëhen në fondin Bahá'í dhe jo ndonjë individi. Duke qenë një parim i rëndësishëm që rregullon të gjitha botimet dhe shoqëritë botuese Bahá'í, i cili duhet theksuar mirë e kuptuar qartë, në mënyrë që të mos dalin vështirësi në të ardhmen. Sigurisht dhurimet duhet të pranohen vetëm kur bëhen nga vetë Bahá'í-të. Prandaj ju duhet më parë të siguroheni nëse zonjusha...është një Bahá'í e vërtetë, dhe pastaj e vetëm pastaj të pranoni dhurimet e saj për fondin tuaj të librave.

(14 prill 1934, dërguar një besimtari individual)

1259. Çështja që keni ngritur ju në lidhje me rekomandimin e bërë nga Kuvendi i delegatëve këtë vit për të instaluar një stacion radiodhënës në Tempull, ka të bëjë me parimin themelor të administrimit të Fondit të Tempullit, të cilin Ruajtësi e ka sqaruar tashmë në komunikime të ndryshme. Ai dëshiron që unë të theksoj përsëri se në asnjë rrethanë besimtarët nuk duhet të pranojnë ndonjë ndihmë financiare nga jo-Bahá'í për ta përdorur lidhur me veprimtari specifike administrative të Besimit, si fondi i ndërtimit të Tempullit dhe fonde të tjera administrative lokale ose kombëtare Bahá'í. Arsyeja është e dyfishtë: Së pari, sepse insitucionet që po ndërtojnë gradualisht Bahá'í-të janë në natyrën e dhuratave të Bahá'u'lláh-ut për Botën; dhe, së dyti, pranimi i fondeve nga jobesimtarë për përdorime specifike Bahá'í, shpejt a vonë do t'i implikojë Bahá'í-të në ndërlikime e vështirësi të paparashikuara me të tjerë, duke i shkaktuar kështu një dëm të pallogaritshëm trupit të Kauzës.

(14 prill 1934, dërguar një besimtari individual)

1260. Ju ndoshta nuk e dini se në lidhje me të gjitha Asambletë Kombëtare, Ruajtësi këshillon që të mos shumëzohen rregullat e rregulloret dhe as të nxirren udhëzime të reja për "procedurën"; ne duhet të jemi elastikë në hollësitë dhe të rreptë në parimet; për rrjedhojë, ai nuk dëshiron që Asambleja juaj të nxjerrë udhëzime të një natyre të detyrueshme, veçse kur kjo është absolutisht e nevojshme. Në lidhje me këtë, ai do t'u përgjigjet pyetjeve tuaja rreth sanksioneve: nuk ka asgjë për të kundërshtuar në paragrafet 1, 2 e 4 të letrës suaj të 4 marsit, por nr. 3 nuk është i drejtë; fjala është vetëm për ata që më parë kanë qenë përjashtur shpirtërisht nga Ruajtësi, me të cilët besimtarët e kanë të ndaluar të shoqërohen, dhe jo për një person që është dënuar duke i hequr të drejtën e votës. Duke qenë se dhurimet për Fondet Bahá'í përdoren për të mbështetur administrimin e Besimit, ato nuk duhet të pranohen prej atyre që u është hequr e drejta e votës; por nuk duhet të ndalohet që besimtarë të tillë të varrosen në Varreza Bahá'í ose që të marrin ndihma bamirësie - që ne ua japim madje edhe jo-Bahá'í-ve...

(8 maj 1947, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Indisë, të Pakistanit e të Birmanisë, botuar në "Dawn of a New Day" [Agimi i një Dite të Re], f.123)

1261. ...çdo Bahá'í mund të japë për Fondet e Kauzës, i rritur a fëmijë qoftë. Asnjë udhëzim nuk kërkohet për këtë çështje; fëmijët Bahá'í gjithmonë kanë dhënë për Kauzën, kudo. Çfarëdo situate që mund të krijohet në një kurs që ndjekin fëmijë jo-Bahá'í, i takon mësuesit të kursit ta zgjidhë. Nuk mund të bëhen rregulla për çështje të tilla.

(18 gusht 1949, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)

1262. Në lidhje me trashëgimin e lënë nga zoti .. për Tempullin: Asambleja juaj duhet ta informojë të vejën e tij që, për shkak se ai nuk është Bahá'í, ne nuk mund t'i përdorim paratë e tij për qëllimet tona, pasi ne i konsiderojmë Besimin tonë dhe insititucionet e tij si dhuratën tonë falas për njerëzimin; por ju mundeni, në të vërtetë duhet, ta pranoni atë për qëllime bamirësie dhe ta harxhoni në emër të tij.

(5 korrik 1950, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, botuar në "Bahá'í News" 236 (Tetor 1950), f.2)

1263. ...ju falënderoj për raportin që kishit futur në letrën tuaj përsa i përket Fondit, dhe lidhur me këtë ai dëshiron t'i përgjigjet pyetjes suaj rreth Fondit të Trustit të zonjës....: ne nuk mund të pranojmë para për Kauzën nga jo-Bahá'í. Me sa duket, në qoftë se familja e zonjës.... dëshiron ta bëjë këtë gjë për të (dhe sigurisht kjo është një ide e lavdërueshme), ata duhet të veprojnë sakohë ajo jeton për të ngritur një Trust të tillë si pronë të Zonjës...., përndryshe Kauza mund të pranojë vetëm t'i përdorë paratë për qëllime bamirësie, për Bahá'í dhe jo-Bahá'í.

(4 tetor 1950, dërguar një besimtari individual)

1264. Lidhur me çështjen e Shkollës Bahá'í në Indi: meqë ky institucion drejtohet nga Bahá'í-të, por në përfitim si të Bahá'í-ve dhe të çdo grupi tjetër që i dërgon fëmijët atje, ai nuk sheh ndonjë arsye pse një koncert i shkollës të mos marrë para nga publiku që asiston aty dhe t'i përdorë ato për vetë shkollën. Kjo nuk është njëlloj si një magazinë ku gjërat që shiten janë vetëm për Fondin Bahá'í.

(30 qershor 1952, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)

1265. Lidhur me çështjen e pranimit të dhurimeve nga njerëz të cilëve u është pezulluar e drejta e votës, Ruajtësi thotë se kjo nuk është e lejueshme.

(21 korrik 1953, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Indisë, të Pakistanit e të Birmanisë, botuar në "Dawn of a New Day" [Agimi i një Dite të Re], f.156)

Rishikuar në janar 1989
SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË
QENDRA BOTËRORE BAHÁ'Í
7 gusht 1985
Asambleve Shpirtërore Kombëtare
Të dashur miq Bahá'í,
Zhvillimi i fondeve lokale e kombëtare të Besimit

Kjo letër dhe memorandumi i komenteve që i bashkangjitet u drejtohen parësisht atyre Asambleve Shpirtërore Kombëtare, komunitetet e të cilave përfshijnë një numër të madh njerëzish materialisht të varfër, por duke qenë se parimet e shprehura, që dallohen nga disa prej procedurave të sugjeruara, kanë zbatim universal, po ua dërgojmë ato të gjitha Asambleve Kombëtare.

Ka një aspekt të thellë përsa i përket raportit midis një besimtari dhe Fondit, i cili mbetet i vërtetë pavarësisht nga gjendja ekonomike e tij. Kur një shpirt njerëzor pranon Bahá'u'lláh-un si Manifestimin e Perëndisë për këtë epokë dhe futet në Besëlidhjen hyjnore, ky shpirt duhet që gradualisht ta sjellë tërë jetën e tij ose të saj në harmoni me qëllimin hyjnor-ai bëhet një bashkëpunëtor në Kauzën e Perëndisë dhe merr dhuntinë që t'ua përkushtojë zotërimet e veta materiale, sado të varfëra që të jenë, punës së Besimit.

Të japësh për Fondin është, pra, një privilegj shpirtëror, i cili është i mbyllur për ata që nuk e kanë pranuar Bahá'u'lláh-un, privilegj të cilin asnjë besimtar nuk mund t'ia mohojë vetes. Kjo është edhe një përgjegjësi edhe një burim bujarie. Ky është një aspekt i Kauzës, i cili, ne e kuptojmë, është pjesë thelbësore e mësimeve bazë dhe e thellimit të besimtarëve të rinj. Rëndësia e të kontribuarit qëndron në shkallën e sakrificës të dhënësit, në frymën e devotshmërisë me të cilën jepet kontributi dhe në unitetin e miqve në këtë shërbim; kjo tërheq konfirmimet e Perëndisë dhe rrit dinjitetin e vetërespektin e individëve e të komunitetit.

Për të ritheksuar domethënien shpirtërore të të kontribuarit për Besimin nga të gjithë anëtarët e Komunitetit Bahá'í, po citojmë ekstraktin e mëposhtëm nga një letër e Ruajtësit drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Bahá'í-ve të Afrikës Qendrore e Lindore, të datës 8 gusht 1957:

"...Të gjithë, pavarësisht sa modeste janë burimet e tyre, duhet të marrin pjesë. Nga shkalla e vetësakrifikimit në këto kontribute individuale do të varet drejtpërsëdrejti efektshmëria dhe ndikimi shpirtëror që do të ushtrojnë këto institucione administrative që po lindin, të cilat janë krijuar përmes pushtetit të Bahá'u'lláh-ut dhe falë Synimit të konceptuar nga Qendra e Besëlidhjes së Tij. Përpjekje të vazhdueshme dhe energjike duhen bërë tash e tutje nga masa e përkrahësve të deklaruar të Besimit..."

Ju sigurojmë se nuk do të mungojnë lutjet tona në Pragun e Shenjtë për udhëheqje e mbështetje në punën tuaj për të zhvilluar këtë aspekt të jetës Bahá'í në komunitetet tuaja.

Përshëndetje të ngrohta Bahá'í,
Shtëpia Universale e Drejtësisë
cc: Qendra Ndërkombëtare e Mësimit
Trupat e Këshilltarëve
ZHVILLIMI I FONDEVE LOKALE E KOMBËTARE TË BESIMIT
DISA KOMENTE E SUGJERIME

Ndërsa miqtë kanë detyrimin e shenjtë dhe privilegjin që të kontribuojnë për fondin, çdo Asamble Lokale e Kombëtare ka detyrën e pashmangshme që të edukojë veten dhe besimtarët me parimet shpirtërore që lidhen me kontributet Bahá'í, të gjejë metoda të thjeshta për të lehtësuar ardhjen dhe marrjen e kontributeve, si dhe të formulojë procedura të efektshme që të sigurojnë shpenzimin e mençur të fondeve të Besimit. Komentet dhe sugjerimet që vijojnë janë hartuar me kërkesë të Shtëpisë Universale të Drejtësisë dhe u janë dërguar Asambleve Shpirtërore Kombëtare për t'i ndihmuar ato në këto detyra të rëndësishme.

Një kërkesë e parë për të gjithë ata që kanë përgjegjësi të kujdesen për fondet e Besimit është besueshmëria. Kjo, siç e ka theksuar Bahá'u'lláh-u, është një prej virtyteve njerëzore më themelore e jetësore, dhe ushtrimi i tij ka ndikim të drejtëpërdrejtë e të thellë mbi gatishmërinë e besimtarëve për të kontribuar për Fondin.

Kushtet ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, prandaj në edukimin e besimtarëve dhe zhvillimin e Fondit çdo Asamble Shpirtërore Kombëtare duhet t'ua përshtasë veprimet e veta kushteve të zonës që mbulon.

Në shumë pjesë të botës, dhuratat në prodhime e zejtari mund të jenë një burim i madh potencial për dhurime të rregullta dhe do të ishte mirë të inkurajoheshin, duke bërë parapërgatitjet e përshtatshme për mbledhjen dhe shitjen e tyre, si dhe për disponimin e të ardhurave.

Zotimet mund të jenë një mjet i dobishëm për të inkurajuar kontributet dhe për të tërhequr vëmendjen e miqve rreth nevojave financiare të Kauzës. Kjo metodë mund të ndihmojë veçanërisht në kushtet kur një Asamble Shpirtërore ka një detyrë të madhe për të kryer, si ndërtimi i një Haziratul Kuds [Hazíratu'l-Quds] ose ngritja e një shkolle me kujdestarë, dhe ka nevojë të formojë një ide nëse mund të sigurojë fonde për projektin. Por do të ishte krejt në kundërshtim me parimet Bahá'í të ushtrohet çdo lloj presioni qoftë kur bëhet thirrje për zotime ose kur bëhen përpjekje për t'i mbledhur ato. Kur një zotim është marrë, është e lejueshme të kujtohet dhuruesi, privatisht, për qëllimin e shprehur që të kontribuojë dhe të pyetet me mirësjellje ai nëse do të ishte e mundur të paguante në kohë për atë që është zotuar, por Asambletë duhet të jenë të vetëdijshme se zotime të tilla nuk përbëjnë asnjëlloj detyrimi legal, përmbushja e tyre është krejtësisht një çështje ndërgjegje. Listat e atyre që marrin zotime nuk duhen bërë publike.

Ruajtësi i dashur e ka shpjeguar se interesat e përgjithshme dhe ato kombëtare të Kauzës marrin përparësi ndaj atyre lokale; pra, kontributet në fondet lokale janë dytësore kundrejt atyre që bëhen në fondet kombëtare. Por stabiliteti i Asamblesë Kombëtare mbështetet në qëndrueshmërinë e Asambleve Shpirtërore Lokale dhe në çështjen e edukimit të miqve për rëndësinë e fondit shpesh është më praktike dhe më e efektshme të përqëndohen më parë në zhvillimin e fondve lokale dhe në veprimin efektiv të Asambleve Shpirtërore Lokale. Pastaj, kur miqtë e kuptojnë parimin dhe mësojnë nga përvoja lokale, aq më lehtë do ta kenë ata të kuptojnë rëndësinë e fondit kombëtar dhe punën e Asamblesë Shpirtërore Kombëtare.

Përsa u përket fondeve lokale, sugjerohet që deri në kohën që miqtë do të kenë zhvilluar shprehinë për të kontribuar rregullisht e lirisht, çdo Asamble Shpirtërore Lokale që ka një komunitet të gjerë mund të caktojë një komitet të vogël që të ndihmojë Thesarmbajtësin lokal në kryerjen e detyrave të tij. Komitete të tilla mund të caktohen pas këshillimit me anëtarin e Trupit Ndihmës ose me ndihmësin e tij për zonën përkatëse. Kujdes i madh duhet treguar në caktimin e anëtarëve të komiteteve; ata duhet të jenë edhe të besueshëm edhe të ndërgjegjshëm dhe të mbruajtur me vetëdijën e rëndësisë që ka ruajtja e karakterit konfidencial të kontributeve për fondet. Është menduar që këto Komitete të Thasarit të kenë një numër funksionesh:

-T'i japin ndihmë të përgjithshme Thesarmbajtësit, sipas nevojës; për shembull anëtarë të komitetit mund të ndihmojnë duke dhënë dëftesat e pagesës ose duke mbajtur llogaritë.

-Të angazhohen për mbajtjen e bisedave e të diskutimeve frymëzuese në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve për edukimin e miqve lidhur me rëndësinë shpirtërore e praktike për të kontribuar në fondet.

-Të marrin dhurimet në para në emër të Thesarmbajtësit lokal dhe t'ia transmetojnë këto atij.

-Të marrin dhurata në prodhime e zejtari. Komiteti mund të ishte përgjegjës për rregullimin e shitjes së tyre dhe për t'ia dorëzuar të ardhurat Thesarmbajtësit lokal.

-Të marrin nga miqtë zotime të shkruara lidhur me shpresën ose synimin e tyre për të kontribuar në fondet lokale ose kombëtare, qoftë me para ose në natyrë, dhe të ndihmojnë në mbledhjen e tyre.

Përsa i përket fondit kombëtar, në ato zona ku ka probleme për shkak se nuk ka lehtësi bankare, se sistemet postare nuk janë të sigurta, si dhe ekzistojnë vështirësi të përgjithshme të komunikimit, do të ishte e dëshirueshme që Asambleja Shpirtërore Kombëtare të caktonte një komitet kombëtar për të ndihmuar Thesarmbajtësin kombëtar në mënyrë të ngjashme me atë të përvijuar më sipër për Asambletë Shpirtërore Lokale. Më tej, mund të jetë madje e nevojshme të subvencionohet nga fondi kombëtar një ose më shumë persona të besuar, në varësi nga madhësia e komunitetit kombëtar, i cili të shkojë në zonat fshatare për t'u takuar me Komitetet lokale të Thesarit, t'i ndihmojë ato në kryerjen e funksioneve të tyre, të shpjegojë nevojat që ka fondi kombëtar, të mbledhë dhurimet për fondin kombëtar nga zonat lokale dhe t'ia dorëzojë ato Thesarmbajtësit kombëtar.

Duke parë sugjerimet e mësipërme dhe sesa të zbatueshme janë ato në komunitetin e saj kombëtar, çdo Asamble Kombëtare duhet të mbajë parasysh edhe pikat që vijojnë:

-Mund të jetë me vlerë të studiohen metodat e përdorura tashmë në ato zona fshatare ku janë arritur suksese të dukshme në realizimin e pjesëmarrjes në sakrifica e dhurime.

-Shërbimi vullnetar për Kauzën gjithashtu mund të theksohej. Ky ndikon mbi fondin duke reduktuar koston e kryerjes së punës së Besimit dhe mund të ndërmerret me gëzim nga miqtë.

-Mund të jetë e dobishme e me vlerë si për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare dhe ato Lokale të bëjnë plane për vetëmjaftueshmërinë financiare, të përcaktojnë synime për nivelet e kontributeve dhe të shkëmbejnë të dhënat për përparimet e bëra lidhur me këto synime.

-Asambletë duhet t'i mbajnë në dijeni anëtarët e komunitetteve të tyre dhe t'i informojnë ata rregullisht sesi është përdorur fondi dhe për projektet për të cilat nevojiten para.

PËRMBLEDHJE PJESËSH TË NXJERRA NGA LETRA TË SHKRUARA PREJ SHTËPISË UNIVERSALE TË DREJTËSISË, OSE NË EMËR TË SAJ, LIDHUR ME NEVOJËN E KUJDESIT NË TRAJTIMIN E FONDVE BAHÁ'Í

Nga Letra të shkruara prej Shtëpisë Universale të Drejtësisë

...Thesarmbajtësi i një Asambleje Shpirtërore Bahá'í, edhe në qoftë se përkohësisht i mban fondet Bahá'í në emër të vet, duhet të tregojë kujdesin më të madh që kurrë të mos përziejë fondet e veta me ato të Besimit ose të mos i lerë fondet e Besimit në tekat e fatit që mund të prekin secilin prej nesh.

(8 qershor 1971, dërguar një besimtari individual)

Duhet treguar kujdes që synimi i dhurimit të fondeve për qëllime të posaçme të mos dështojë. Kështu, përdorimi i fondeve të caktuara për të përballuar shpenzimet për çështje të posaçme në buxhetin tuaj ka si pasojë pakësimin po në atë masë të sasisë së kontributeve në përgjithësi që duhen futur në buxhet. Në fakt, kjo praktikë mund të rezultojë që të mos ketë dallim midis një kontributi të dhuruar për qëllime të posaçme dhe jo për qëllime të posaçme. Për shembull: Një mik mund të dhurojë një kontribut për qëllime të posaçme për Fondin Ndërkombëtar Bahá'í. Të futet kjo në kontributin për Fondin Ndërkombëtar Bahá'í nga Fondi juaj Kombëtar do të ishte e gabuar, veç në qoftë se kështu specifikohet në dhurimin e kontributit për qëllime të posaçme. Fondet e caktuara posaçërisht për Fondin Ndërkombëtar Bahá'í i duhen dërguar Qendrës Botërore si shtojcë mbi çdo kontribut që bëhet në Fondin Kombëtar.

(29 korrik 1971, dërguar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)

Duke pasur parasysh përgjegjësinë e madhe që u ngarkohet mbi shpatulla anëtarëve të Asambleve Kombëtare nga ata që i zgjedhin, i kemi shtyrë Asambletë Kombëtare të tregojnë kujdesin më të madh në trajtimin e Fondeve të tyre Kombëtare, veçanërisht për faktin që këto fonde në një pjesë të madhe përfaqësojnë akte sakrifice nga ana e miqve. Natyrisht, ju takon juve të gjykoni sesi do t'i shpërndani detyrat e shumta që kanë të bëjnë me veprimet e përditshme të Asamblesë suaj Kombëtare, por ne ngulim këmbë që ju të shikoni edhe një herë rezolutat, të cilave u jemi referuar, dhe të merrni masa që të kërkohen dy firma për tërheqjen e fondeve, njëra prej të cilave duhet të jetë ajo e një të ngarkuari që është anëtar i Asamblesë suaj Kombëtare.

(26 gusht 1973, dërguar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)

Lidhur me fondet lokale është sugjeruar që, deri në atë kohë që miqtë të kenë zhvilluar shprehinë e të kontribuarit rregullisht e lirisht, çdo Asamble Shpirtërore Lokale që ka një komunitetvtë madh mund të caktojë një komitet të vogël për të ndihmuar Thesarmbajtësin lokal në kryerjen e detyrave të tij. Komitete të tilla mund të caktohen pas këshillimit me anëtarin e Trupit Ndihmës ose ndihmësin e tij për zonën përkatëse. Kujdes i madh duhet treguar në caktimin e anëtarëve të komiteteve; ata duhet të jenë edhe të besueshëm edhe të ndërgjegjshëm dhe të mbruajtur me vetëdijën e rëndësisë që ka ruajtja e karakterit konfidencial të kontributeve për fondet. Është menduar që këto Komitete të Thesarit të kenë një numër funksionesh:

-T'i japin ndihmë të përgjithshme Thesarmbajtësit, sipas nevojës; për shembull anëtarë të komitetit mund të ndihmojnë duke dhënë dëftesat e pagesës ose duke mbajtur llogaritë.

-Të angazhohen për mbajtjen e bisedave e të diskutimeve frymëzuese në Festat e Nëntëmbëdhjetë Ditëve për edukimin e miqve lidhur me rëndësinë shpirtërore e praktike për të kontribuar në fondet.

-Të marrin dhurimet në para në emër të Thesarmbajtësit lokal dhe t'ia transmetojnë këto atij.

-Të marrin dhurata në prodhime e zejtari. Komiteti mund të ishte përgjegjës për rregullimin e shitjes së tyre dhe për t'ia dorëzuar të ardhurat Thesarmbajtësit lokal.

-Të marrin nga miqtë zotime të shkruara lidhur me shpresën ose synimin e tyre për të kontribuar në fondet lokale ose kombëtare, qoftë me para ose në natyrë, dhe të ndihmojnë në mbledhjen e tyre.

Përsa i përket fondit kombëtar, në ato zona ku ka probleme për shkak se nuk ka lehtësi bankare, se sistemet postare nuk janë të sigurta, si dhe ekzistojnë vështirësi të përgjithshme të komunikimit, do të ishte e dëshirueshme që Asambleja Shpirtërore Kombëtare të caktonte një komitet kombëtar për të ndihmuar Thesarmbajtësin kombëtar në mënyrë të ngjashme me atë të përvijuar më sipër për Asambletë Shpirtërore Lokale. Më tej, mund të jetë madje e nevojshme të subvencionohet nga fondi kombëtar një ose më shumë persona të besuar, në varësi nga madhësia e komunitetit kombëtar, i cili të shkojë në zonat fshatare për t'u takuar me Komitetet lokale të Thesarit, t'i ndihmojë ato në kryerjen e funksioneve të tyre, të shpjegojë nevojat që ka fondi kombëtar, të mbledhë dhurimet për fondin kombëtar nga zonat lokale dhe t'ia dorëzojë ato Thesarmbajtësit kombëtar.

(7 gusht 1985, drejtuar të gjitha Asambleve Kombëtare)

Një kërkesë e parë për të gjithë ata që kanë përgjegjësi të kujdesen për fondet e Besimit është besueshmëria. Kjo, siç e ka theksuar Bahá'u'lláh-u, është një prej virtyteve njerëzore më themelore e jetësore, dhe ushtrimi i tij ka ndikim të drejtëpërdrejtë e të thellë mbi gatishmërinë e besimtarëve për të kontribuar për Fondin.

(7 gusht 1985, drejtuar të gjitha Asambleve Kombëtare)

Nga letra të shkruara në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, drejtuar Asambleve Shpirtërore Kombëtare

Asambleja Shpirtërore Kombëtare ka për detyrë të sigurojë që kontributet që vinë të merren si duhet me dëftesë dhe që për të gjitha dëftesat e derdhjet të mbahen llogari. Ndërsa Thesarmbajtësi është zakonisht i ngarkuari me këtë detyrë të shenjtë, kjo nuk do të thotë se anëtarë të tjerë janë të shkarkuar nga çdo përgjegjësi ose se u është mohuar e drejta që të vihen në dijeni për hollësitë e lidhura me veprimet e ditës të Asamblesë, në të gjitha aspektet.

Një e drejtë e përgjegjësi e tillë që u vishet anëtarëve individualë të Asamblesë nuk prek natyrën konfidenciale të kontributeve Bahá'í, përderisa informacioni informacioni që merr Thesarmbajtësi ose që marrin anëtarë të tjerë të Asamblesë trajtohen në mënyrë rreptësisht konfidenciale.

(11 janar 1977)

Na është kërkuar të tërheqim vëmendjen tuaj për parimin që fondet e dhuruara për qëllime të posaçme, si ato për blerjen dhe mirëmbajtjen e pronave, për projekte të posaçme mësimore etj., nuk duhen përdorur për qëllime të tjera, por duhen mbajtur në një llogari të veçantë derisa të shpenzohen për qëllimin për të cilin janë dhënë. Kjo qëndron qoftë nëse fondet janë nga Qendra Botërore, nga individë ose nga burime të tjera. Në qoftë se projekti për të cilin janë dhënë fondet braktiset, atëherë kontributi i duhet kthyer dhuruesit, veç po qe se ai është dakord që ky të përdoret për qëllime të tjera. Përmbajtja rigoroze parimit lidhur me dhurimin e fondeve për qëllime të posaçme është tepër i rëndësishëm për shumë arsye, duke përfshirë ruajtjen e fshehtësisë së miqve për çështjet që kanë të bëjnë me Fondin.

(21 qershor 1979)

Problemet shqetësuese lidhur me masat e fondeve, që përmenden në letrën tuaj, mund të zgjidhen me kalimin e kohës vetëm përmes një procesi edukimi dashamirës të miqve. Ju do të jeni në gjendje të arrini hap pas hapi synimin tuaj nëpërmjet përhapjes midis besimtarëve të teksteve të përshtatshme nga Shkrimet e Besimit, përmes artikujsh të përgatitur me kujdes, të bazuar në Tekstet e Shenjta e të botuar në gazetën tuaj për këtë çështje, përmes bisedash në konferenca, në shkollat verore e në tubime të tjera Bahá'í, si dhe përmes diskutimesh për këto çështje themelore me miqtë në takime të tilla.

Përsa u përket problemeve të ngutshme që ju përmendni në letrën tuaj: ju duhet ta shikoni çdo rast në mënyrë të veçantë, të rregulloni që përfaqësues të Asamblesë Kombëtare të takohen me atë person, t'i shpjegojnë me dashamirësi atij çështje të tilla si karakteri i shenjtë i fondeve Bahá'í, rëndësia e virtytshmërisë dhe e ndershmërisë në trajtimin e parave që i janë besuar kujdesit të një personi, dhe tundimi i brendshëm në dëshirat e njeriut për të zotëruar gjëra materiale. Duhet rregulluar gjithashtu që në këto takime individi të paguajë borxhin e tij në përmasa të arsyeshme që ai do të jetë në gjendje të përballojë.

Asambleja juaj ka plotësisht të drejtë kur thotë që në qoftë se ka një prirje për të shpërdoruar fondet Bahá'í, dhe kjo prirje nuk pengohet, kjo gjë mund të bëhet ngjitëse e t'u shkaktojë dëm Besimit dhe individëve që kanë lidhje me të. Sidoqoftë, urtia e të kuptuarit janë të rëndësishme, që të arrihen rezultate sa më të mira.

Është e rëndësishme për Asamblenë tuaj, në të ardhmen, t'u shpjegojë personave të cilëve u janë besuar para të Besimit se, duke pasur parasysh detyrimin e Asamblesë Kombëtare për të mbrojtur fondet Bahá'í, Asambleja do t'i konsiderojë ata përgjegjës për të gjitha paratë që marrin dhe se ata duhet, pra, t'i japin llogari të rregullt Asamblesë Shpirtërore Kombëtare, të jenë ruajtës besnikë të besimit që u ka dhënë Perëndia dhe të jenë të sigurt një ndershmëri e besnikëri e tillë do të shpërblehet tërësisht nga Lart.

(18 maj 1980)

1. Edhe pse çdo dhurues, Asamble ose individ, ka të drejtën të specifikojë qëllimin që ka pasur ndërmend për çfarëdo kontributi me fonde ose pronë, por në qoftë se sipas gjykimit të Asamblesë suaj Kombëtare një kontribut i tillë do të ishte jopraktik ose jo i arsyeshëm, ju nuk keni asnjë detyrim që të veproni ashtu.

2. Në qoftë se pas këshillimit me dhuruesin nuk arrihet një marrëveshje që ju e quani të nevojshme, ose ju nuk jeni në gjendje që dhurimin e specifikuar të përdorni për një qëllim më praktik, atëherë ky kontribut i duhet kthyer dhuruesit.

(22 qershor 1980)

Përsa u përket të ardhurave nga shitja e një prone Bahá'í, në qoftë se ajo ka qenë blerë duke përdorur fondet e përgjithshshme të Besimit dhe nuk kanë qenë përdorur fonde të dhuruara për qëllime të posaçme, parimi i vetëm që duhet zbatuar është ai i pari që thuhet më sipër, dhe konkretisht që komuniteti kombëtar nuk mund të jetë pa një Haziratul Kuds, dhurim ose truall për Tempull, siç mund të jetë rasti. Në qoftë se prona ka qenë e dhuruar ose ka qenë blerë me fonde të caktuara për atë qëllim të posaçëm, të ardhurat e shitjes së pronës e ruajnë karakterin e qëllimit të posaçëm, veç po qe se dhuruesi vendos ndryshe. Në qoftë se dhuruesi ose dhuruesit jetojnë, ata, padyshim, mund ta lënë të lirë përdorimin e asaj që është caktuar për një qëllim të posaçëm. Në qoftë se dhuruesi ose dhuruesit nuk jetojnë, ose refuzojnë ta lënë të lirë përdorimin e saj, atëherë të ardhurat duhen përdorur për atë qëllim. Në qoftë se ai qëllim është përmbushur tashmë, (p.sh., është blerë tashmë një pronë e tillë), teprica duhet përdorur aq sa është e mundur në një mënyrë që ka lidhje me qëllimin fillestar të dhuruesit ose të dhuruesve, p.sh. për ta mirëmbajtur ose për ta përmirësuar pronën. Në rast se ka dyshime, çështja i duhet referuar Shtëpisë Universale të Drejtësisë.

(21 gusht 1980)

Megjithëse në përgjithësi miqve u lejohet të vënë mënjanë kontribute, është e qartë se shpesh është më mirë që miqtë ta lejojnë Asamblenë t'i përdorë kontributet e tyre pa i kufizuar ato. Veç kësaj, Asambleja nuk është kurrsesi e detyruar të pranojë një kontribut të vënë mënjanë; në qoftë se sidoqoftë e bën këtë, atëherë është e detyruar të respektojë vënien mënjanë.

(21 gusht 1980)

Shtëpia e Drejtësisë nuk ka vendosur ndonjë procedurë të njëllojtë për thesarmbajtësit Bahá'í, përderisa metodat e llogaritjes dhe ligjet që rregullojnë këto çështje ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga njëri vend në tjetrin dhe nga një situatë në tjetrën. Ajo këshillon që për çështje të tilla teknike Thesarmbajtësi i Asamblesë Kombëtare mund të kërkojë këshillën e një llogaritari profesionist. Asambleja Shpirtërore Kombëtare duhet, padyshim, të sigurojë që librat e saj të llogarisë të revizionohen çdo vit dhe nuk ka kundërshtim që për këtë të përdoren shërbimet e një firme jo-Bahá'í.

Në përgjithësi, sidoqoftë, Shtëpia e Drejtësisë e kupton se ka disa çështje të cilave Thesarmbajtësit Kombëtarë duhet t'u kushtojnë vëmendje të veçantë.

1. Është raporti midis Asamblesë Kombëtare dhe besimtarëve individualë e komuniteteve lokale. Përmes çfarëdolloj korrespondence që ai mban me kontribuesit për Fondin Kombëtar dhe me komitetet që tërheqin fondet për punën e tyre, Thesarmbajtësi Kombëtar mund të ushtrojë një ndikim të fuqishëm duke vendosur lidhje të unitetit të ngrohtë brenda kmunitetit.

2. Thesarmbajtësi duhet të jetë i sigurtë që t'i japë raporte të rregullta e të sakta Asamblesë Shpirtërore Kombëtare, në mënyrë që ajo të planifikojë si duhet punën e saj brenda mjeteve që disponohen.

3. Është detyrë e Thesarmbajtësit të përgatisë meAi gjithashtu duhet të përgatisë buxhetin vjetor kohë raportin financiar vjetor për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare, që ajo ta shohë atë para se ta paraqesë në Kuvend. Ai duhet gjithashtu të përgatisë buxhetin vjetor për ta parë e miratuar Asambleja Kombëtare.

4. Thesarmbajtësi duhet të kontrollojë me kujdes përdorimin e Fondit, në mënyrë që të mund të paralajmërojë Asamblenë me kohë në rast se ka rrezik mbishpenzimi.

5. Në mbajtjen e llogarisë duhet adoptuar një sistem që të sigurojë që fondet e dhuruara për qëllime të posaçme të ruhen absolutisht më vete nga ato që janë në disponim të lirë të Asamblesë, dhe duhet të ketë masa sigurimi për të parandaluar që fondet e dhuruara për qëllime të posaçme të shpenzohen padashur për çështje të tjera nga ato që janë paracaktuar.

6. Veç mbajtjes së saktë të shënimeve për të ardhurat e shpenzimet, Thesarmbajtësi duhet të kujdeset që aktivi i Asamblesë të mbrohet dhe që si aktivi dhe pasivi të mbahen shënim në mënyrë të vëmendshme.

7. Thesarmbajtësi duhet ta këshillojë Asamblenë që të verë mënjanë shuma të mjaftueshme mbi një bazë të rregullt, për të siguruar riparimin dhe mirëmbajtjen e pronave që zotëron Besimi, në mënyrë që këto të mbahen në gjendje të mirë dhe që puna normale e Kauzës të mos ndërpritet nga kërkesa të papritura për shuma të mëdha për riparime. Zakonisht detyra e mirëmbajtjes së pronave i caktohet një komiteti të posaçën ose komiteteve të posaçme, me të cilat Asambleja duhet të këshillohet dhe të cilat mund të sugjerojnë një shumë të përshtatshme që duhet vënë mënjanë çdo vit.

8. Ndërsa është në kompetencë të një Asambleje Shpirtërore Kombëtare të kërkojë vetëm një firmë në çeqet që nxirren nga Fondi Kombëtar, përvoja ka treguar se është një praktikë më e mirë të kërkohen të paktën dy firma. Kjo është një mbrojtje jo vetëm për vetë Fondin, por edhe për Thesarmbajtësin. Fondet e Besimit janë një lënie e shenjtë në besë dhe Asambletë duhet të jenë skrupuloze në trajtimin e tyre dhe në raportimin për to.

(13 korrik 1981)

Në përgjigje të letrës suaj të 7 shkurtit 1982, Shtëpia Universale e Drejtësisë na ka udhëzuar të themi se nuk ka kundërshtim që një Asamble Shpirtërore Kombëtare të caktojë revizorë, qofshin Bahá'í ose jo-Bahá'í, që të revizionojnë librat e saj të llogarisë siç e kërkon ligji. Funksioni i një revizori profesionist është nga vetë natyra e tij diçka konfidenciale dhe fakti që revizori do të duhet të shohë shënimet për kontributet nuk shkel parimin e konfidencialitetit.

(26 prill 1982)

Kjo çështje e llogaritjes së veçantë të fondeve të të dhuruara për qëllime të posaçme është shumë e rëndësishme. Librat e llogarive të çdo Asambleje duhen formuluar në mënyrë të tillë që kurdoherë të ketë një dallim të qartë midis fondeve të të dhuruara për qëllime të posaçme dhe fondeve që disponon lirisht Asambleja, që të mos ketë rrezik që Asambleja t'i ngatërrojë ato padashur dhe t'i shpenzojë për një qëllim tjetër fondet e dhuruara për qëllime të posaçme.

(6 gusht 1984)

Ruajtësi i dashur theksonte me forcë se kontributet në fondet Bahá'í, që jepen për qëllime të posaçme, të përdoren vetëm për ato qëllime, veç po qe se dhuruesi bie dakord për të bërë ndryshim. Në qoftë se Asambleja nuk mund ta përdorë kontributin për qëllimin e posaçëm, ajo mund të refuzojë ta pranojë atë. Si alternativë, ajo mund të konsultohej me dhuruesin dhe t'i sugjeronte që ai ta japë kontributin për qëllime të përgjithshme ose ta kalojë atë për një qëllim tjetër të posaçëm, por asnjë presion nuk duhet ushtruar për ta detyruar të japë pëlqimin e tij. Nga ana tjetër, sakohë që paratë i janë dhënë si kontribut një Asambleje, ato janë pronë e asaj Asambleje, edhe pse të dhuruara për një çëllim të posaçëm, dhe dhuruesi nuk ka të drejtë të ndryshojë qëllimin e tyre në mënyrë të njëanshme. Sidoqoftë, Asambleja mund të gjykojë që ta pranojë kërkesën e tij për ta bërë këtë ndryshim.

(30 dhjetor 1984)

Asambleja është i besuari i fondeve, që kujdeset për to, dhe synimi parësor kur investon fonde të tilla duhet të jetë të ruajë vlerën e tyre reale. Marrja e një të ardhure të mirë nga investime të tilla është gjithashtu e dëshirueshme, por është një konsideratë dytësore dhe nuk duhet kërkuar në qoftë se kjo vë në rrezik vlerën e krerëve. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e fondeve të dhuruara për qëlime të posaçme, ku Asambleja ka për detyrë ndaj dhuruesit ose dhuruesve që të ruajë vlerën e fondit deri atëherë kur ai mund të përdoret për qëllimin e caktuar. Në një rast të tillë, kur vlera e parasë është vetë në rënie, një metodë për të ruajtur vlerën reale të fondit të dhuruar për qëllime të posaçme është t'u shtohet përsëri krerëve gjithë fitimi i marrë prej tyre, edhe pse dhuruesi nuk ka caktuar për qëllime të posaçme të ardhurat e fituara nga kontributi i tij.

(19 mars 1985)

1. Ekstraktet janë marrë nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut, me përjashtim të rasteve kur shënohet ndryshe.

---------------

------------------------------------------------------------

---------------

------------------------------------------------------------

34
35

Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :