Përvjetori i sotëm i datëlindjes së Bab-it shënon pikën e mesit të ndërmarrjes pesëvjeçare që do të angazhojë Bahá'í-të e botës deri në Rizvan 2011. Ne falenderojmë përunjësisht Bahá'u'lláh-un për bekimet dhe konfirmimet që Ai ka akorduar mbi ata që punojnë me kaq zell dhe sakrificë në ballë të punës mësimdhënëse. Që nga përfundimi i Kuvendit të Dhjetë Ndërkombëtar disa muaj më parë, ka pasur një ngritje të mëtejshme të të kuptuarit të efikasitetit të strukturës që qeveris Planin Pesëvjeçar, ndërsa kuptimet e fituara nga delegatët janë përhapur gjerësisht nëpër komunitetin Bahá'í. Rezultate të zonave nëpër të gjithë globin po përgatisin një përhapje sistematike dhe ne presim të shohim një valë programesh intensive rritjeje që të fillojnë muaj pas muaji, deri në Rizvanin e vitit që do të vijë.
Sfidat me të cilat përballen miqtë e këtyre zonave dhe të të gjitha zonave vazhdojnë të jenë të dyfishta në karakter. Ndërkohë që mësojnë të identifikojnë segmentet e predispozuara të shoqërisë dhe të ndajnë Mesazhin e Besimit me shpirtrat që përgjigjen - një synim që në përgjithësi nuk është i vështirë për t'u arritur - ata përpiqen të kuptojnë në praktikë se si të integrohen tërësisht së bashku elementet e ndryshme të një modeli të shëndetshëm rritjeje, në veçanti zhvillimi i burimeve njerëzore. Sa inkurajuese është të shohësh se në momentin në të cilin miqtë në zonë fillojnë të përballojnë këtë sfidë të dyfishtë, arrihet progres i menjëhershëm; synimi për fillimin e një programi intensiv rritjeje bëhet shumë shpejt i arritshëm.
Që forcimi i vazhdueshëm i komunitetit duhet të përshtatet me një përkeqësim të mëtejshëm të rendit të vjetër botëror nuk vjen si surprizë. Me të vërtetë, miqtë duhet të kenë gjithmonë parasysh që zhvillimi i kapacitetit në komunitet të jetë në të njëjtin ritëm me receptivitetin në rritje të një njerëzimi të zhgënjyer. Shihni sesi madje edhe në një hark të shkurtër kohor, që kur ngritëm këtë paralajmërim në Mesazhin tonë të Rizvanit, strukturat financiare që dikur mendohej se ishin të pathyeshme janë lëkundur dhe liderët e botës kanë treguar pazotësinë e tyre, duke sajuar një zgjidhje që është më se e përkohshme, një dështim të cilin po e shfaqin gjithnjë e më shumë. Çfarëdo masash të volitshme të përshtaten, besimi në vetvete është lëkundur dhe ndjenja e sigurisë ka humbur. Sigurisht që zhvillime të tilla kanë bërë që besimtarët në çdo vend të reflektojnë mbi kushtet e dobëta të rendit të së tashmes dhe kanë përforcuar në vetvete besimin se qytetërimi material dhe shpirtëror duhet të përparojnë së bashku.
Me këto mendime në mendje, ne i kthejmë zemrat tona në lutje të vazhdueshme ndaj Bahá'u'lláh-ut dhe i kërkojmë Atij që të forcojë ndjekësit e vet përmes hirit të Tij të pandryshueshëm. Në momente të tilla ne i përgjërohemi Atij që të ndriçojë shpirtrat e tyre me dritën e dijes dhe të besimit. Le të mos e nënvleftësojnë ata fuqinë e qenësishme në sistemin që po vënë në jetë për përhapjen e Besimit të Tij, dhe as të mos e ngatërrojnë qëllimin e vërtetë të ndërmarrjes globale që kanë nisur. Le të mos devijojnë nga shtegu i të mësuarit në të cilin janë vendosur, dhe as të mos hutohen nga ndjekjet kalimtare të një shoqërie të çoroditur. Le ta çmojnë si duhet vlerën e madhe të kulturës që tani ka zënë rrënjë në komunitetin që mbështet studimin sistematik në grupe të vogla të Fjalës Krijuese, në mënyrë që të ndërtojë aftësinë për shërbim. Le të mos harrojnë kurrë domosdoshmërinë për t'u prirur ndaj nevojave të fëmijëve të botës dhe t'u ofrojnë atyre mësime që u zhvillojnë aftësitë shpirtërore dhe hedhin themelin e një karakteri të drejtë e fisnik. Le të kuptojnë domethënien e plotë të përpjekjeve të tyre për të ndihmuar të rinjtë që të formojnë një identitet të fortë moral në vitet e para të adoleshencës së tyre dhe t'i fuqizojnë ata që të kontribuojnë në mirëqenien e komunitetit të tyre. Dhe le të gëzojnë që kanë mësuar nëpërmjet veprimeve të qëndrueshme dhe sistematike se si të vendosin një ritëm rritjeje që u jep vëmendjen e duhur elementeve kryesore të përhapjes, konsolidimit, reflektimit dhe planifikimit. Secili dhe të gjithë të pajisen me qëndrueshmëri e besnikëri dhe t'u jepet kurajo për të bërë çfarëdo sakrifice të nevojshme për të siguruar suksesin kumbues të Planit. Me ndershmërinë e sjelljes së tyre, me sinqeritetin e dashurisë për të ngjashmit e vet humanë dhe me zjarrin e dëshirës për t'u shërbyer popujve të botës, të mund të shpërndajnë të vërtetën e shpallur nga Bahá'u'lláh-u që njerëzimi është një. Të jenë të zellshëm në përpjekjet e tyre për të vendosur lidhje miqësie të pakushtëzuara nga kufizimet dominuese shoqërore, në përpjekje të vazhdueshme për të lidhur zemrat së bashku në dashurinë e Perëndisë. Është shpresa jonë e zjarrtë që ata të njohin implikimet e thella të misionit të tyre. Është lutja jonë e përzemërt në Pragun e Shenjtë që ata të mos ngurojnë në arritjen e planeve të tyre ambicioze, pavarësisht se sa të rënda janë krizat që kanë gllabëruar botën përreth tyre.
Për t'u dhënë mundësinë miqve që të mblidhen së bashku, të kremtojnë arritjet e deritanishme gjatë Planit dhe të rrahin mendimet për nevojat e tanishme, njoftojmë thirrjen e një serie konferencash rajonale, gjithsej dyzetenjë, që do të mbahen në qytetet e përmendura më poshtë ndërmjet muajve nëntor dhe mars: Abidjan, Accra, Almaty, Antofagasta, Atlanta, Auckland, Baku, Bangalore, Bangui, Battambang, Bologna, Bukavu, Chicago, Dallas, Frankfurt, Guadalajara, Istanbul, Johannesburg, Kiev, Kolkata, Kuala Lumpur, Kuching, Lae, London, Los Angeles, Lubumbashi, Lusaka, Madrid, Managua, Manila, Nakuru, Neë Delhi, Portland, Quito, Sao Paulo, Stamford, Sydney, Toronto, Ulaanbaatar, Vancouver, Yaounde. Në secilën prej këtyre konferencave, dy anëtarë të Qendrës Ndërkombëtare të Mësimdhënies do të dërgohen si përfaqësuesit tanë. Asambletë Shpirtërore Kombëtare në vendet mikpritëse do të marrin detaje të mëtejshme lidhur me pjesëmarrjen. I nxisim besimtarët, si ata të përfshirë plotësisht në zbatimin e kërkesave të Planit ashtu dhe ata të cilët rrethanat i kanë penguar të përmbushin dëshirat e tyre për të vepruar në mënyrë të tillë deri tani, që t'ia krijojnë vetes këtë mundësi dhe të marrin pjesë në konferencën që do të mbahet në zonën e tyre.
[nënshkruar: Shtëpia Universale e Drejtësisë]