More Books by Shtëpia Universale e Drejtësisë

Dokument 2000-02 Institutët e trajnimit dhe rritja sistematike
Dokument 2000-07 Edukimi shpirtëror i fëmijëve dhe paratërinjve
Dokument 2003-04 Shtimi i vrullit
Letër 1988-12-05 Këshilltarëve kontinentale
Letër 2000-06-27 AShK-së së Shqipërisë
Letër 2001-01-09 Konferencës së Trupave Kontinentale të Këshilltarëve
Letër 2001-01-16 Bahá'í-ve të botës
Letër 2001-11-12 Asambleve Shpirtërore Kombëtare
Letër 2001-11-26 Këshilltarëve kontinentale
Letër 2002-01-10 Bahá'í-ve të botës
Letër 2002-05-01 Këshilltarëve kontinentale
Letër 2002-06-11 Asambleve Shpirtërore Kombëtare
Letër 2002-11-11 Komitetëve të të Rinjve Bahá'í të Europës
Letër 2003-01-17 Bahá'í-ve të botës
Letër 2005-12-27 Konferencës së Trupave Kontinentale të Këshilltarëve
Letër 2006-12-21 Bahá'í-ve të Egjiptit
Letër 2007-03-09 Bahá'í-ve të botës
Letër 2007-03-25 Bahá'í-ve të botës
Letër 2008-05-13 Bahá'í-ve të botës
Letër 2008-05-19 Ndjekësve të patundur ... të Iranit
Letër 2008-06-20 Besimtarëve në Djepin e Besimit
Letër 2008-07-28 Besimtarëve në Djepin e Besimit
Letër 2008-10-20 Bahá'í-ve të botës
Letër 2009-05-17 Asambleve Shpirtërore Kombëtare
Letër 2009-06-23 Bahá'í-ve të Iranit
Letër 2010-12-28 Konferencës së Bordeve Kontinentale të Këshilltarëve
Letër 2011-01-01 Bahá'í-ve të botës
Mesazhi i ndërrimit jetë, Alí Akbar Furutan (2003-12)
Mesazhi Konferencës Rajonale në Stamboll (2009-02)
Mesazhi Kuvendit #09 Kombëtare e Shqipërisë 2000
Mesazhi Kuvendit #11 Kombëtare e Shqipërisë 2002
Mesazhi Nevruzit 2009 (166)
Mesazhi udhëheqësve fetarë të botës
Trajnim për ekipet e mësimdhënies (2006)
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Shtëpia Universale e Drejtësisë : Letër 2001-01-09 Konferencës së Trupave Kontinentale të Këshilltarëve
SHTËPIA UNIVERSALE E DREJTËSISË
9 Janar 2001

Konferencës së Trupave Kontinentale të Këshilltarëve

Shumë të dashur Miq,

Pesë vjet më parë ne i bëmë thirrje Këshilltarëve të mbledhur në Tokën e Shenjtë që ta ndihmonin botën Bahá'í të kuptonte dhe të merrte përsipër sfidat e rritjes sistematike. Arritjet e shkëlqyera të Planit Katër Vjeçar dëshmojnë për përgjigjen e përzemërt që ata dhanë. Sot, ne kërkojmë një përpjekje po aq të madhe nga ana juaj, këtë herë për të siguruar fillimin e suksesshëm të Planit Pesë Vjeçar.

Në diskutimet tuaja mbi natyrën e kësaj faze të mëtejshme në shpalosjen e Planit Hyjnor, ju duhet të merrni parasysh madhësinë e ndryshimeve që janë bërë në fatet e Besimit. Në Qendrën Botërore ngritja e ndërtesave madhështore që qëndrojnë tashmë mbi Hark përfaqëson një hap madhor në konsolidimin e një Rendi Administrativ të caktuar në mënyrë hyjnore. Plani Katër Vjeçar dëshmoi një rritje të jashtëzakonshme në kapacitetin institucional të komuniteteve Bahá'í në çdo kontinent. Evolucioni i Asambleve Shpirtërore Kombëtare dhe Lokale është përshpejtuar dukshëm, dhe Këshillat Rajonale, atje ku janë ngritur, kanë sjellë energji dhe efektivitet të ri në punën e Kauzës. Me lindjen dhe lulëzimin e më shumë se 300 instituteve të trajnimit, Besimi zotëron një instrument të fuqishëm për zhvillimin e burimeve njerëzore që nevojiten për të mbështetur shtrirje dhe konsolidim në shkallë të gjerë. Përveç kësaj, është përmirësuar së tepërmi aftësia e komunitetit Bahá'í për të ndikuar rrjedhën e punëve të njerëzimit, si nëpërmjet marrëdhënieve me qeveritë dhe me organizatat e shoqërisë civile, ashtu edhe nëpërmjet përpjekjeve të tij në fushën e zhvillimit social dhe ekonomik. Kauza e Bahá'u'lláh-ut qëndron në pragun e një epoke të re, në një moment në histori kur, pavarësisht nga pështjellimi dhe shpërthimi i armiqësive të reja, bota ka bërë hapa të mëdhenj realë drejt paqes. Gjithkush sheh qartë një pranueshmëri në rritje të Shpirtit të Tij gjithë-përfshirës e plot shkëlqim.

Avancimi i procesit të hyrjes me trupa do të vazhdojë si qëllimi i Planit Pesë Vjeçar - me të vërtetë qëllimi i një serie planesh që do ta mbartin komunitetin në fundin e shekullit të parë të Epokës Formuese. Përshpejtimi i këtij procesi jetësor do të arrihet nëpërmjet aktiviteteve sistematike nga ana e tre pjesëmarrësve në Plan: individit besimtar, institucioneve dhe komunitetit.

Instituti i trajnimit

Një analizë kërkimore e Planit Katër Vjeçar e përgatitur kohët e fundit për ne nga Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies tregon se instituti i trajnimit është efektiv jo vetëm në përmirësimin e aftësive të individit, por edhe në gjallërimin e komuniteteve dhe institucioneve. Si rrjedhim, zhvillimi i vazhdueshëm i instituteve të trajnimit në vende dhe territore të ndryshme të botës duhet të jetë një tipar qendror i Planit të ri.

Duke shfrytëzuar përvojën e pasur që është mbledhur tashmë në këtë fushë përpjekjesh, institutet duhet t'u sigurojnë komuniteteve të tyre një rrjedhë konstante burimesh njerëzore për t'i shërbyer procesit të hyrjes me trupa. Elementë të një sistemi që mund të përballë nevojat për trajnimin e një numri të madh besimtarësh janë tashmë të provuara në të gjithë botën dhe e kanë treguar veten e tyre. Qarqet e studimit, të përforcuara me kurse shtesë dhe fushata të veçanta, kanë treguar aftësinë e tyre që t'i japin strukturë procesit të edukimit shpirtëror në rrënjët e komunitetit. Vlera e një serie kursesh ku secili pason tjetrin sipas një rrjedhe logjike dhe ku secili mbështetet në arritjet e të mëparshmit, është bërë tashmë tepër e qartë. Modele të ndryshme po dalin në dritë të cilët hedhin dritë mbi faktin se si seri të tilla mund të përdoren për të hartuar programe trajnimi. Në një shembull seria kryesore, ashtu si dhe trungu i një peme, mbështet kurset që degëzohen prej saj, ku çdo degë specializohet për një fushë të caktuar trajnimi. Në një shembull tjetër, disa hulli kursesh, secila me fokusin e saj, ecin paralel. Institutet do të bënin shumë mirë t'i shqyrtonin këto elemente e këto rrugë veprimi dhe t'i përdornin ato në një mënyrë të tillë që t'u përgjigjen mundësive që ata kanë përpara.

Në fillim të Planit Dymbëdhjetë Mujor ne nënvizuam nevojën që fëmijët Bahá'í të ushqehen shpirtërisht dhe të integrohen në jetën e Kauzës. Nga përgjigja që kanë dhënë miqtë deri tani çdo tregues flet se një ndërgjegjësim më i lartë mbi rëndësinë e edukimit të fëmijëve, në fakt, do të jetë një nga hallkat kyçe të këtij Plani të shkurtër, por të rëndësishëm. Një shtytje e re i është dhënë klasave Bahá'í për fëmijë. Gjithashtu, ndërgjegjësimi i rritur ka nxjerrë në pah mundësi për të ofruar edukimin moral e shpirtëror të fëmijëve në përgjithësi, siç është mishëruar nga suksesi i përpjekjeve për të paraqitur kurse mbi Besimin Bahá'í në programet e sistemeve zyrtare shkollore.

Që institutet po e vendosin gjithnjë e më shumë theksin në trajnimin e mësuesve për klasat e fëmijëve është një shenjë mjaft e veçantë inkurajuese. Masa të tjera janë po aq thelbësore, në se duam që klasa të rregullta fëmijësh për çdo moshë të ofrohen në komunitetet Bahá'í kudo në botë. Në disa vende janë ngritur komitete kombëtare dhe rajonale për të mbështetur Asambletë Shpirtërore Lokale në kryerjen e detyrës në lidhje me përgjegjësinë që kanë në edukimin e fëmijëve. Në këto vende, ndërkohë që përvoja shtohet dita-ditës, marrëdhënia midis komiteteve dhe institutit të trajnimit do të evoluojë pa ndërprerje, dhe ku çdo agjenci do të përmirësojë punën e tjetrës. Por ka shumë vende ku instituti është e vetmja strukturë që zhvillon kapacitetin për të organizuar dhe mbajtur kurse nga një qendër e banuar në tjetrën. Meqë kjo rrugë veprimi po funksionon mirë me të rinjtë e të rriturit, dhe përherë e më tepër me paratërinjtë, nuk ka asnjë arsye se pse instituti i trajnimit nuk duhet të mbajë mbi supe përgjegjësi të ngjashme në lidhje me fëmijët, aty ku është e nevojshme. Si rregull i përgjithshëm, institutet nuk marrin përsipër administrimin e planeve dhe programeve për shtrirje dhe konsolidim. Megjithatë, drejtimi i klasave të fëmijëve është një sipërmarrje unike e një urgjence të veçantë. Në ato vende ku kjo detyrë i është caktuar atij, instituti bëhet një qendër mësimi e angazhuar intensivisht në edukimin shpirtëror të miqve që nga mosha e tyre më e njomë deri në moshën madhore.

Iniciativa individuale në mësimdhënie

Ndërkohë që puna e instituteve rritet në forcën e saj, tani duhet t'i kushtohet kudo vëmendje sistematizimit të përpjekjeve mësimdhënëse. Në dokumentin "Institucioni i Këshilltarëve" që sapo ka dalë në qarkullim, ne theksojmë rolin që luajnë anëtarët e Trupit Ndihmës dhe asistentët e tyre për t'i ndihmuar miqtë ta përballojnë këtë sfidë, si në nivelin e iniciativës individuale ashtu edhe në atë të vullnetit kolektiv. Ndërsa individët përparojnë përmes kurseve të institutit, ata thellojnë dijen e tyre mbi Besimin, fitojnë mprehtësi shpirtërore dhe aftësi shërbimi. Disa nga kurset që i kushtohen mësimdhënies padyshim do ta trajtojnë subjektin në terma të përgjithshme. Kurset e tjera do të përqendrohen në mjetet e ndryshme për përhapjen e mesazhit të Bahá'u'lláh-ut në segmente specifikë të shoqërisë, duke përfshirë urtinë e qëmtuar nga perpjekjet mësimdhënëse të miqve. Ky proces i kombinuar veprimi, nxënieje dhe trajnimi do t'i pajisë komunitetet me një numër gjithnjë në rritje mësuesish të Kauzës të aftë dhe të etur për shërbim.

Sigurisht, vetëm trajnimi nuk do të çojë me domosdo në një rritje të aktivitetit mësimdhënës. Në çdo fushë të shërbimit miqtë kanë nevojë për inkurajim të vazhdueshëm. Ajo çka ne presim është që anëtarët e Trupit Ndihmës, së bashku me asistentët e tyre, t'i kushtojnë një vëmendje të veçantë çështjes sesi mund të kultivohet iniciativa individuale, veçanërisht në lidhje me mësimdhënien. Kur trajnimi dhe inkurajimi janë efektivë, ushqehet një kulturë rritjeje në të cilën besimtarët e shohin detyrën e tyre për mësimdhënie si një rrjedhojë të natyrshme të pranimit të Bahá'u'lláh-ut nga ana e tyre. Ata "ngrejnë lart pishtarin e shenjtë të besimit," ashtu siç qe dëshira e 'Abdu'l-Bahá-it, "punojnë pa pushim ditë e natë," dhe "çdo moment që vjen e shkon të jetës së tyre ia përkushtojnë përhapjes së aromave hyjnore dhe lartësimit të Fjalës së shenjtë të Perëndisë." Kaq të përflakura bëhen zemrat e tyre me zjarrin e dashurisë së Perëndisë saqë kushdo që u afrohet atyre e ndien ngrohtësinë e tij. Ata përpiqen me mish e me shpirt të bëhen kanale të shpirtit, të dëlirë në zemër, vetëmohues dhe të përunjur, zotërues të sigurisë, qartësisë dhe kurajos që buron nga mbështetja te Perëndia. Në një kulturë të tillë, mësimdhënia është pasioni mbizotërues i jetëve të besimtarëve. Frika nga dështimi nuk ka vend në to. Mbështetja reciproke, zotimi për të mësuar, dhe vlerësimi i larmisë së veprimit janë normat mbizotëruese.

Programe sistematike të rritjes

Gjatë muajve që do të vijnë, ju do të ndihmoni komunitetet kombëtare, rrethanat e të cilëve ndryshojnë së tepërmi, të formulojnë plane për rritje sistematike. Ka shumë vende ku aftësia e shtuar institucionale, veçanërisht në nivel rajoni, bën të mundur që të fokusohet vëmendja në zona më të vogla gjeografike. Shumica e tyre do të përbëhen nga një grumbull fshatrash e qytetesh, por ndonjëherë një qytet i madh me rrethinat e tij mund të përbëjnë një zonë të këtij lloji. Midis faktorëve që përcaktojnë kufijë e një grupi janë kultura, gjuha, mënyra e transportit, infrastruktura dhe jeta shoqërore dhe ekonomike e banorëve. Zonat në të cilat ndahet një rajon, do të futen në kategori të ndryshme zhvillimi. Disa nuk do të jenë ende të hapura për Besimin, ndërsa të tjerat do të përmbajnë disa lokalitete dhe grupe të veçuara; në disa, komunitetet e ngritura do të marrin forcë nëpërmjet një procesi energjik instituti; në pak prej tyre komunitete të forta besimtarësh të thelluar do të jenë në gjendje të marrin përsipër sfidat e përhapjes dhe konsolidimit sistematik e të përshpejtuar.

Sapo të jenë indentifikuar kategoritë e duhura, planet kombëtare në këto vende duhet të marrin masa për hapjen progresive të zonave të virgjëra nëpërmjet vendosjes së pionierëve në pika të ndryshme brenda vendit. Objektiva të tilla mund të arrihen relativisht lehtë në qoftë se pionierët kanë përvojë në programet e institutit dhe janë të aftë të përdorin metodat e materialet e tij në ngritjen e një grupi besimtarësh të përkushtuar të cilët mund ta çojnë përpara punën e Besimit në atë zonë. Vërtet i çmuar do të jetë privilegji i atyre, që në vitet që mbeten të shekullit të parë të Epokës Formuese, do të vendosin besimin e tyre te Perëndia dhe do të ngrihen me dëshirë të zjarrtë që të prijnë në çuarjen e dritës së udhëheqjes hyjnore në çdo cep të vendeve të tyre. Shpresa jonë është që kjo thirrje për pionierë brenda vendit do të gjenerojë entuziazëm të madh midis miqve dhe do të hapë para syve të tyre një horizont të ri mundësish për t'i shërbyer Besimit.

Sipas kësaj skeme, planet kombëtare gjithashtu do të duhet të përfshijnë masa për forcimin e zonave të tjera të cilat, megjithëse të hapura ndaj Besimit, kanë ende mjaft për të bërë që të arrijnë nivelin e zhvillimit që i përgatit ato për aktivitete intensive. Në ato zona ku ekzistojnë komunitete të forta me një trupë besimtarësh të thelluar, duhen vënë menjëherë në veprim programe sistematike për shtrirjen dhe konsolidimin e Besimit. Tashmë ne kemi bërë të ditur se Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies ka identifikuar disa modele rritjeje që i përshtaten zonave gjeografike relativisht të vogla. Që atëherë ajo ka analizuar disa projekte pilot në pjesë të ndryshme të botës dhe përfundimet e nxjerra janë tepër inkurajuese. Mësimet e nxjerra tani sigurojnë një bazë përvoje për fillimin e programeve për rritje sistematike zonë mbas zone. Ndërkohë që ju konsultoheni rreth kësaj çështjeje me Asambletë Shpirtërore Kombëtare dhe Këshillat Rajonale, ju do të dëshironit të mbani të informuar Qendrën e Mësimdhënies.

Është e rëndësishme që komunitetet kombëtare të mos nxitojnë në ngritjen e programeve intensive në një zonë përpara se kushtet të jenë të përshtatshme. Këto kushte përfshijnë: një nivel të lartë entuziazmi midis një grupi të konsiderueshëm besimtarësh të devotshëm e të aftë të cilët i kuptojnë kushtet paraprake për rritje të mbështetshme dhe mund të marrin në pronësinë e tyre programin në fjalë; njëfarë përvoje bazë nga ana e disa komuniteteve në atë grumbull lokalitetesh në mbajtjen e klasave për edukimin shpirtëror të fëmijëve, takime devocionale dhe Festa e Ditës së Nëntëmbëdhjetë; ekzistenca në një mase të aryseshme e kapacitetit admnistrativ në të paktën disa Asamble Shpirtërore Lokale; përfshirja aktive e një numri asistentësh të anëtarëve të Trupit Ndihmës në nxitjen e jetës së komunitetit; një shpirt i theksuar bashkëpunimi midis institucioneve të ndryshme që punojnë në atë zonë; dhe mbi të gjitha, prania e fuqishme e institutit të trajnimit me një skemë koordinimi që mbështet shumëfishimin sistematik të qarqeve të studimit.

Programet e filluara në zona të tilla duhet të synojnë që të ushqejnë një rritje të mbështetshme duke ngritur kapacitetin e nevojshëm në nivelin e individit, institucionit dhe komunitetit. Këto programe nuk kërkojnë aspak plane të fryra e të stërholluara, por duhet të fokusohen në disa masa që e kanë provuar veten gjatë viteve se janë të domosdoshme në shtrirjen dhe konsolidimin në shkallë të gjerë. Suksesi do të varet nga mënyra sesi integrohen linjat e veprimit dhe në qëndrimin nxënës që adoptohet. Zbatimi i programeve të tilla do të kërkojë bashkëpunimin e ngushtë të institutit, anëtarëve të Trupit Ndihmës dhe asistentëve të tyre, dhe një Komitet Zonal Mësimdhënieje.

Në thelb të këtij programi duhet të qëndrojë një proces i shëndoshë dhe i vazhdueshëm përhapjeje, të cilit t'i përgjigjet një proces po aq i fortë i zhvillimit të burimeve njerëzore. Duhet të kryhet një gamë përpjekjesh mësimdhënëse, duke përfshirë si aktivitetet e ndërmarra nga individi, ashtu edhe fushatat e mbështetura nga institucionet. Ndërsa numri i besimtarëve në zonë rritet, një përqindje e rëndësishme duhet të trajnohet nga instituti, dhe aftësitë e tyre të drejtohen për nga zhvillimi i komuniteteve lokale.

Mesazhi ynë i 26 Dhjetorit 1995 i cili përvijon tiparet e Planit Katër Vjeçar i referohej fazave në të cilat kalon një komunitet në rrugën e tij të zhvillimit. Përvoja që u fitua në vitet që pasuan në punën me komunitetet në faza të ndryshme, do të tregojë se është e vlefshme për programet e rritjes. Një nga hapat e parë në zbatimin e programit mjaft mirë mund të jetë një sondazh për të përcaktuar kushtet e çdo lokaliteti në atë zonë. Midis objektivave fillestare për çdo komunitet duhet të jetë ngritja e qarqeve të studimit, klasave të fëmijëve dhe takimeve devocionale të hapura për të gjithë banorët e lokalitetit. Festimit të Festës së Ditës së Nëntëmbëdhjetë duhet t'i jepet rëndësia e duhur dhe duhen bërë përpjekje konsekuente për të forcuar Asambletë Shpirtërore Lokale. Sapo komunitetet të jenë të afta të mbështesin aktivitetet bazë të jetës Bahá'í, një mënyrë e natyrshme për ta çuar më tej konsolidimin e tyre është prezantimi i projekteve të vogla për zhvillimin social dhe ekonomik - p.sh. një projekt kundër analfabetizimit, një projekt për emancipimin e gruas ose mbrojtjen e mjedisit, ose edhe një shkollë fshati. Ndërsa forca shtohet, përgjegjësia për një numër gjithnjë në rritje linjash veprimi duhet t'i kalojë Asambleve Shpirtërore Lokale.

Gjatë gjithë përpjekjes, takime periodike konsultimi në zonë duhet të reflektojnë në lidhje mbi çështjet e ndryshme, të marrin në shqyrtim rregullime dhe të ruajnë entuziazmin e unitetin e mendimit. Mënyra më e mirë është të formulohen plane disa mujore të hërëpashershme duke filluar me një ose dy linja veprimi e gradualisht duke u rritur në kompleksitet. Ata që janë të përfshirë aktivisht në zbatimin e planeve, qofshin anëtarë të institucioneve apo jo, duhet të inkurajohen të marrin pjesë plotësisht në konsultime. Takime të tjera mbarëzonale do të jenë gjithashtu të nevojshme. Disa nga këto takime do të sigurojnë mundësinë për shkëmbimin e përvojës dhe trajnim të mëtejshëm. Të tjerët do të përqendrohen në përdorimin e arteve dhe në pasurimin e kulturës. Së bashku, të tilla takime do të mbështesin një proces intensiv veprimi, konsultimi dhe mësimi.

Miqtë që marrin pjesë në këto programe instensive rritjeje duhet të kenë gjithmonë parasysh se qëllimi është të sigurojmë që Revelacioni i Bahá'u'lláh-ut të arrijë masat e njërëzimit dhe t'i mundësojë ato të arrijnë progres shpirtëror e material nëpërmjet zbatimit të Mësimeve. Masa të gjera midis popujve të botës janë gati, me të vërtetë janë të etur, për bekimet që vetëm Bahá'u'lláh-u mund t'u dhurojë atyre sapo ata të jenë zotuar të ndërtojnë shoqërinë e re që Ai ka përfytyruar. Duke mësuar të sistematizojnë punën e tyre mësimdhënëse në shkallë të gjerë, komunitetet Bahá'í po pajisen më mirë për t'iu përgjigjur kësaj dëshire të zjarrtë. Ata nuk mund t'i shmangen asnjë përpjekjeje, asnjë sakrifice, që mund t'u kërkohet të bëjnë.

Një sipërmarrje shpirtërore

Duket qartë se skema e përshkruar më sipër, megjithëse mund të jetë e përshtatshme për shumë komunitete kombëtare, nuk mund të zbatohet në çdo situatë. Ne kemi shpresë në aftësinë e institucioneve Bahá'í për të krijuar plane të cilat, edhe sikur të mos pasqyrojnë në total skemën e mësipërme, do të përfshijnë elementë të vizionit të tij në përputhje me rrethanat e çdo komuniteti kombëtar. Natyrisht komunitet Bahá'í janë të angazhuara në një mori përpjekjesh të domosdoshme siç është informimi i publikut, shpallja e Besimit, marrëdhëniet me jashtë, përgatitja dhe botimi i literaturës si dhe projekte të ndërlikuara për zhvillimin social dhe ekonomik. Ndërsa planet hartohen, me siguri ato do të merren edhe me këto sfida.

Natyra e procesit të planifikimit me të cilin ju do të ndihmoni miqtë në shumë drejtime është unike. Në thelb të tij qëndron një proces shpirtëror në të cilin komunitetet dhe institucionet përpiqen që veprimtaritë e tyre t'i vënë në një vijë me Vullnetin e Perëndisë. Plani Madhor i Perëndisë është në punë e sipër dhe forcat që ai gjeneron e shtyjnë njerëzimin drejt fatit të tij. Institucionet e Besimit në planet e tyre të veprimit duhet të kërkojnë të fitojnë kuptime shpirtërore në lidhje me veprimin e këtyre forcave të mëdha, të eksplorojnë mundësitë potenciale të njerëzve të cilëve u shërbejnë, të masin burimet dhe forcat e komuniteteve të tyre dhe të ndërmarrin hapa praktikë që të sigurojnë pjesëmarrjen parezervë të besimtarëve. Ushqimi i këtij procesi është misioni i shenjtë që po ua besojmë juve. Ne kemi shumë besim në aftësinë tuaj për ta kryer atë. Ne urojmë që Bahá'u'lláh-u t'ju bekojë e mbështesë nëpërmjet hirit të Tij të pashtershëm dhe të konfirmimeve të Tij të fuqishme.

Shtëpia Universale e Drejtësisë
2
1/4

Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Italian :Japanese :Norwegian :Persian :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Turkish :Ukrainian :