QENDRA NDERKOMBETARE E MESIMDHENIES Qendra Botërore Bahá’í 5 Dhjetor 1988 Gjithë Këshillëtarëve Kontinentalë, Shumë të dashur bashkëpunëtorë, Si pjesë e një përpjekjeje mbarëbotërore në mbështetje të hyrjes me trupa, Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies do t’ju dërgojë parashtrime madhore, që ngrejnë çështje, sugjerojnë nisma dhe ju ndihmojnë juve me një proces edukativ i cili do të udhëheqë punën tuaj dhe atë të anëtarëve të Trupit Ndihmës e të asistentëve të tyre. Të gjitha këto ju duhet t’i shikoni si elementë të një procesi brenda kuadrit të objektivave të Planit Gjashtë Vjeçar. Një nga çështjet serioze me të cilën Institucionet e Kauzës së Perëndisë duhet të merren rishtazi është se si të ndihmojnë fëmijët e botës. Në këtë kohë fëmijët e botës kanë një fat përpara Perëndisë. Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies ka bindjen se përgjigjet për këtë çështje do të dalin në pah nëpërmjet një përpjekjeje mbarëbotërore për t’iu afruar kësaj popullate të re. Numerikisht, si një i tërë, ky grup përbën segmentin më të madh të shoqërisë së sotme. Komuniteti Bahá’í ka dëshmi të bollshme se kapaciteti i këtij brezi më të ri do t’i mundësojë ata t’i japin formë së ardhmes. Ata do të jenë promotorë të Fjalës Krijuese të Perëndisë dhe do të përhapin aromat e Perëndisë. ‘Abdu’l-Bahá-i bën një premtim shumë të fuqishëm. Premtimi sugjeron gjithashtu se kjo popullatë tashmë është bërë gati nga Perëndia dhe se po pret zbulimin tonë: “Të jeni të sigurt, disa persona në këtë dispensacion hyjnor do të nxjerrin në dritë fëmijë qiellorë dhe fëmijë të tillë do të përhapin mësimet e Bukurisë Abhá dhe do t’i shërbejnë Kauzës së Tij të madhe. Nëpërmjet një fuqie qiellore dhe konfirmimi shpirtëror ata do të mundësohen që të bëhen promotorë të Fjalës së Perëndisë dhe të përhapin aromat e Perëndisë. Këta fëmijë nuk janë as Lindorë e as Perëndimorë, as Aziatikë e as Amerikanë, as Evropianë e as Afrikanë, por ata janë të Mbretërisë; shtëpia e tyre e lindjes është qielli dhe vendi i tyre i prehjes, Mbretëria Abhá. Kjo s’është veç e vërtetë dhe nuk ka gjë tjetër përtej së vërtetës përveç besëtytnive (ose fantazive). Uroj që gjithë njerëzimi t’i presë me krahë hapur fëmijët e Mbretërisë!” (Tabelat e ‘Abdu’l-Bahá-it, Vëll. 3, fq. 647-648, bot. anglisht) Atëherë këta të rinj duhen parë si një derë për hyrjen me trupa dhe si një burim i frytshëm mësuesish si për vetë brezin e tyre, ashtu edhe për thellimin e të tjerëve, të moshës së tyre dhe më të vjetër. Përsëri ‘Abdu’l-Bahá-i thotë: “Sa e sa fëmijë, megjithëse të rinj në moshë, përsëri janë të pjekur e të shëndoshë në gjykimin e tyre! E sa e sa të moshuar janë të paditur e të çorientuar! Sepse rritja dhe zhvillimi varen nga fuqitë e intelektit dhe të arsyes, dhe jo nga mosha e nga sasia e ditëve.” (Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it, faqe 142, Nr. 121, bot. anglisht) Këta të rinj udhëzohen jo vetëm të shpallin Besimin, por të bëhen gjithashtu një instrument shërimi në mesin e njerëzimit. ‘Abdu’l-Bahá-i na nxit përsëri: “Pra, O ju të rinj të ndriçuar, përpiquni me mish e me shpirt ditë e natë për të shkoklavitur misteret e mendjes dhe të shpirtit, dhe të rrokni sekretet e Ditës së Perëndisë. Njoftoni veten tuaj mbi shenjat që ka bërë të agojnë Emri Më i Madh. Hapni buzët tuaja për të lëvduar. Parashtroni argumente dhe prova bindëse. Udhëhiqini të eturit për te kroi i jetës; dhurojini shëndet të vërtetë atyre që lëngojnë. Bëhuni çirakë të Perëndisë, bëhuni mjekë të drejtuar nga Perëndia dhe shëroni të sëmurët në mesin e njerëzimit. Sillini ata që janë lënë mënjanë në rrethin e miqve intimë. Bëjeni të dëshpëruarin të mbushet me shpresë. Zgjojini ata nga plogështia; bëjeni të shkujdesurin të kujdesshëm.” “Të tilla janë frytet e kësaj jete tokësore. E tillë është pozita e lavdisë së shkëlqyer.” (Cituar në një përmbledhje mbi Edukimin Bahá’í, (USA) fq. 52-53) Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies në këtë kohë po mendon në veçanti për grupmoshën dhjetë deri gjashtëmbëdhjetë vjeç, që përfshin periudhën në të cilën arrihet mosha e pjekurisë. Këto vite të rinisë së hershme, veçanërisht në botën e sotme, janë shumë të vështira, por në të njëjtën kohë në Shkrimet e Shenjta shikojmë se kapaciteti për të nxënë parimet bazë morale dhe shpirtërore, nëpërmjet të cilave bëhet e dukshme drita e një karakteri të mirë, është i depozituar në këta fëmijë. Kjo na sugjeron se në qoftë se mijëra e mijëra vetë do të ftoheshin në Kauzën dhe do të ndihmoheshin për t’u bërë mësues të thelluar të Besimit, ata nga ana e tyre do të shpëtonin moshatarët e tyre. Në këtë fazë dekadente të historisë njerëzore, betejat shpirtërore do të fitohen në qoshet e rrugëve të fshatrave e qyteteve, në korridoret e shkollave dhe në vendet e dëfrimit. Ne po shpresojmë që këta të rinj të mund shihen nga anëtarët e Trupit Ndihmës e asistentët e tyre dhe nga i gjithë komuniteti, jo thjesht si fëmijë për të cilët duhet menduar për të zhvilluar ndonjë aktivitet, ose si plotësues të prindërve të tyre, ose në pritje të një të ardhmeje kur ata të marrin përsipër përgjegjësi prej të rrituri, por si një krijim i gjallë i Perëndisë, i domosdoshëm pikërisht në këtë moment për qëllimet e Perëndisë në një proces qytetërimi i cili tani po thirret në ekzistencë. Këshillëtarët, si një pjesë e bërjes realitet të këtij vizioni, duhet të inkurajojnë anëtarët e Trupit Ndihmës dhe asistentët e tyre dhe të gjitha Asambletë Shpirtërore Kombëtare e Lokale që t’i japin mbështetje afatgjatë edukimit shpirtëror, intelektual dhe shoqëror të fëmijëve. Kaq e rëndësishme është kjo punë saqë Këshillëtarët duhet të mbikqyrin numrin e atyre programeve ku janë përfshirë anëtarët e Trupit Ndihmës dhe asistentët e tyre për të siguruar pjesëmarrjen e përzemërt e të vazhdueshme të tyre. Shpresa që kemi është që ju do të jeni promotorë të këtij kuptimi dhe do të siguroni që anëtarët e Trupit Ndihmës ta përvetësojnë këtë vizion dhe t’i inkurajojnë asistentët që të zhvillojnë aftësi të posaçme për të punuar me këtë grupmoshë. Gjatë kësaj periudhe juve do t’ju duhet të bëni të qartë e të siguroheni që programet dhe përpjekjet e të gjitha llojeve t’i ftojnë në Kauzë këta të rinj të mrekullueshëm. Letra e Qendrës Ndërkombëtare të Mësimdhënies dërguar juve kohët e fundit në lidhje me konceptin dhe përdorimin e instituteve për të zhvilluar burimet njerëzore, ka lidhje të drejtpërdrejtë me programet për të rinjtë, ku duhen përfshirë anëtarët e Trupit Ndihmës dhe asistentët. Çështja e nevojës për literaturë të specializuar u ngrit po në atë letër, dhe kjo kërkesë, natyrisht, ka të bëjë me këto programe. Hartimi i materialeve të përshtatshme për të ndihmuar mobilizimin dhe prirjet e natyrshme të fëmijëve dhe të rinjve duhet realizuar. Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies është e interesuar për të gjithë çështjen e literaturës së përshtatshme për hyrjen me trupa. Të gjitha këto çështje janë paraparë si pjesë e dialogut tonë të vazhdueshëm me Këshillëtarët që kanë të bëjnë me nismat madhore që ne ju bëjmë thirrje të merrni përsipër gjatë kësaj periudhe. Ne vazhdojmë të lutemi me gjithë shpirt në Mauzoletë e Shenjtë që Bahá’u’lláh-u t’ju udhëheqë e t’ju mbështesë në të gjitha kohët. Me përshëndetje të dashura Bahá’í,