More Books by Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í

Bahá'u'lláh
Barazia e burrave dhe grave
Besimi Bahá'í dhe takimi i nivelit të lartë për aleancën midis feve dhe ruajtjen mjedisit
Deklaratë e KNB drejtuar Konferencës botërore të KB për të drejtat e njeriut
Familja në një komunitet botëror
Gratë dhe burrat
Komuniteti Ndërkombëtare Bahá'í
Kush po e shkruan të ardhmen
Kërkimi i vlerave
Legjislacioni ndërkombëtar për mjedisin & zhvillimin
Liria për të besuar
Marrëdhëniet me qeverinë
Mbrojtja e të drejtave të grave
Mirëqenia e njerëzimit
Një strategji & plan veprimi global
Pikë kthesë për të gjitha kombet
Qytetaria botërore
Roli i edukimit, mjeteve të informimit publik
Shenjtëria dhe natyra e zgjedhjeve
Zhvillimi i pandërprerë dhe shpirti njerëzor
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í : Marrëdhëniet me qeverinë
M A R R Ë D H Ë N I E T M E Q E V E R I N Ë
1. BESNIKERIA NDAJ QEVERISE

Kur një krizë e madhe shoqërore përshkon një qytetërim, vlerat morale dobësohen dhe çështjet morale janë në pështjellim. Në krizën e kohës sonë, anëtarët e Besimit Bahá'í kanë reputacionin se mbështesin me vendosmëri parimin e besnikërisë ndaj qeverisë.

Bahá'u'lláh-u, Themeluesi i Besimit Bahá'í, u ka ngarkuar pasuesve të Tij këtë detyrim të shenjtë: "Në çdo vend ku jeton cilido prej këtyre njerëzve (Bahá'í-ve), ata duhet të sillen ndaj qeverisë së atij vendi me besnikëri, ndershmëri e vërtetësi". 1 Shkrimet Bahá'í deklarojnë më tej, "Thelbi i frymës Bahá'í është se, për të vendosur një rend shoqëror dhe kushte ekonomike më të mira, duhet të tregohet besnikëri ndaj ligjeve e parimeve të qeverisë". 2 Sikur një Bahá'í të vepronte në kundërshtim me ligjet e qeverisë, sjellja e tij do të konsiderohej e qortueshme para Perëndisë, sepse pjesëtarët e këtij komuniteti "duhet kurdoherë të shfaqin ... vërtetësi e sinqeritet" dhe "të jenë të patundur në ... besnikëri e besueshmëri". 3

Duke ndriçuar këtë parim shpirtëror e shoqëror kardinal, 'Abdu'l-Bahá-i, Interpretuesi i autorizuar i Besimit, ka shkruar: "Në përputhje me porosinë e drejtpërdrejtë e të shenjtë të Perëndisë, ne (Bahá'í-të) e kemi të ndaluar të marrim nëpër gojë, jemi të porositur të tregojmë paqe e miqësi, neve na kërkohet të jemi të ndershëm në sjellje, të sinqertë e në harmoni me të gjitha fiset e popujt e botës. Ne duhet të jemi të bindur e dashamirës të qeverisë së vendit...".4

Pasuesve të Bahá'u'lláh-ut u kërkohet të jenë "qytetarë të mirë".5 Mësimet Bahá'í ushqejnë në individin anëtar vlerësimin e autoritetit dhe një patriotizëm të zgjuar e të ekuilibruar. Bahá'í inkurajohet t'u "shërbejë me vetëmohim, modesti e patriotizëm interesave të larta të vendit që i përket, dhe në një mënyrë që të mos të mos çojë në ndonjë largim nga standardet e larta të ndershmërisë e të vërtetësisë që lidhen me mësimet e Besimit të tij". 6

Besnikëria ndaj qeverisë nuk është aspak një koncept që Bahá'í-të e pranojnë vetëm me fjalë, ai është një detyrim shpirtëror i përforcuar e i pandarë nga ato mësime të Bahá'u'lláh-ut, sipas të cilave pasuesit e Tij ndërtojnë zhvillimin e tyre shpirtëror individual. "Le të shquajnë ndershmëria e drejtësia të gjitha veprimet e tua", 7 urdhëron Bahá'u'lláh-u.

Pa ndershmëri të karakterit në qytetarët e vet dhe pa besnikëri ndaj qeverisë, një komb do të copëtohej e nuk do të ishte në gjendje të funksiononte si një shoqëri organike. Mësimet Bahá'í jo vetëm i detyrojnë pjesëtarët e këtij Besimi të jenë besnikë ndaj qeverisë së tyre, por edhe i ndalojnë në mënyrë të posaçme ata të marrin pjesë në lëvizje politike e shoqërore subversive.

2. PIKEPAMJA BAHÁ'Í PER PACIFIZMIN

Në një letër të botuar në U.S. Bahá'í News, në janar 1938, Shoghi Effendiu, Ruajtësi i Besimit Bahá'í, ka shkruar përmes sekretarit të tij:

"Përsa u përket pacifistëve absolutë apo kundërshtuesve të rreptë të luftës: qëndrimi i tyre, duke gjykuar nga pikëpamja Bahá'í, është krejt antishoqëror dhe, meqenëse ngre lart ndërgjegjen individuale, çon në mënyrë të pashmangshme në trazira e kaos në shoqëri. Pacifistët e skajshëm janë, pra, shumë afër anarkistëve, në kuptimin që të dy këto grupe e vënë theksin në mënyrë të tepruar në të drejtat e meritat e individit. Koncepti Bahá'í i jetës shoqërore bazohet në thelb në nënshtrimin e vullnetit individual ndaj atij të shoqërisë. Ai as e ndrydh dhe as e ngre lart individin deri në atë pikë sa ta bëjë atë një krijesë antishoqërore, një kërcënim për shoqërinë. Si në çdo gjë, ai i përmbahet "mesit të artë". E vetmja mënyrë që shoqëria të mundë të funksionojë është që pakica të shkojë pas vullnetit të shumicës.

"Vërejtja tjetër kryesore ndaj kundërshtuesve të rreptë është se metoda e tyre për vendosjen e paqes është tepër negative. Mosbashkëpunimi është një filozofi tepër pasive për t'u bërë një rrugë efektive për rindërtimin shoqëror. Refuzimi i tyre për të mbajtur armë kurrë nuk mund të vendosë paqen. Më parë duhet të ketë një rigjallërim shpirtëror që asgjë, veç Kauzës së Perëndisë, nuk mund ta sjellë efektivisht në zemrën e çdo njeriu".

3. PERMBLEDHJE E UDHEZIMEVE TE RUAJTESIT PER DETYRIMET E BAHA'I-VE LIDHUR ME SHERBIMIN USHTARAK

NE PRAG të Luftës II Botërore, qëndrimi Bahá'í ndaj stërvitjes e shërbimit ushtarak dhe detyrimi i Bahá'í-ve individualë që të kërkojnë e të mbajnë një status joluftarak kur kjo është e mundur sipas ligjeve të vendit të tyre, ishin shpallur qartë nga Ruajtësi i Besimit. Më 27 nëntor 1938 ai udhëzoi sekretarin e tij t'i shkruante Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Ishujve Britanikë: "Ai ka mbajtur shënim kërkesën e Asamblesë suaj për të dhënë mendimin e tij se në ç'forma të shërbimit kombëtar mund të dalin vullnetarë miqtë në kohë emergjence. Ndërsa besimtarët, mendon ai, duhet të bëjnë çdo përpjekje për të marrë nga autoritetet një lejë që t'i përjashtojë ata nga shërbimi ushtarak aktiv me karakter luftarak, është detyrë e tyre që, në të njëjtën kohë, si shtetas besnikë e të devotshëm, t'i ofrojnë shërbimet e tyre vendit të vet në çdo fushë të shërbimit kombëtar që nuk është veçanërisht agresive ose drejtpërsëdrejti ushtarake. Forma të tilla të punës kombëtare, si shërbimi i alarmit ajror, trupat ambulatore dhe punë apo veprimtari të tjera humanitare të një natyre joluftarake, janë llojet më të përshtatshme të shërbimit që mund të kryejnë miqtë dhe për të cilat ata mund të dalin me gjithë qejf vullnetarë, duke shtuar që, derisa nuk sjellin ndonjë shkelje të frymës apo të parimeve të Mësimeve, ato përbëjnë një formë shërbimi shoqëror e humanitar që Kauza e konsideron të shenjtë dhe e urdhëron me këmbëngulje".

Një pyetje e mëtejshme po nga ajo Asamble Shpirtërore Kombëtare më 9 maj 1939 mori më 4 qershor 1939 përgjigjen që vijon, në plotësim të parimeve të mësipërme:

"Udhëzimet e tij për këtë çështje, që përmbahen në një letër drejtuar Asamblesë suaj gjatë nëntorit të kaluar, nuk kishin parasysh atë rast të veçantë, por ishin llogaritur për kushtet e sotme, si dhe për çfarëdo emergjencash të tilla që mund të dalin në të ardhmen e afërt.

"Ai ka ende bindjen e patundur se besimtarët, ndërsa shprehin gatishmërinë e tyre për t'iu bindur pa rezerva çfarëdo direktivave që mund të nxjerrin autoritetet lidhur me shërbimin kombëtar në kohë lufte, duhet gjithashtu, sakohë veprimet e luftës akoma nuk kanë filluar, t'i drejtohen qeverisë që t'i përjashtojë nga shërbimi ushtarak aktiv me karakter luftarak, duke theksuar faktin që duke vepruar kështu ata nuk janë të shtyrë nga kurrfarë konsideratash egoiste, por vetëm nga motivi i lartë për të mbështetur Mësimet e Besimit të tyre, të cilat e bëjnë një detyrim moral për ta të përmbahen nga çdo veprim që mund t'i tërheqë në një luftë të drejtpërdrejtë me qëniet njerëzore të çdo race ose kombi tjetër.

"Mësimet Bahá'í, me të vërtetë, dënojnë në mënyrë të vendosur e pa mëdyshje çdo formë dhune fizike, dhe lufta në fushën e betejës është padyshim një formë, e ndoshta forma më e keqe që një dhunë e tillë mund të marrë.

"Ka shumë rrugë të tjera përmes të cilave besimtarët mund të ndihmojnë në kohë lufte, duke u futur në shërbime të një natyre joluftarake - shërbime që nuk shkaktojnë gjakderdhje të drejtpërdrejtë, - siç janë shërbimi ambulator, shërbimi i alarmit ajror, punët e zyrës e administrative, dhe pikërisht për të tilla lloj shërbimesh kombëtare ata duhet të dalin vullnetarë.

"Nuk ka rëndësi nëse veprimtari të tilla do t'i ekspozojnë ata para rreziqesh, qoftë brenda vendit ose në front, përderisa ata dëshirojnë jo të mbrojnë jetën e tyre, por t'u shmangen çfarëdo akteve të vrasjes me paramendim.

"Miqtë duhet ta konsiderojnë detyrë të vetëdishme të tyre, si anëtarë besnikë të Besimit, të kërkojnë të përjashtohen [nga shërbimi me karakter luftarak], edhe pse ka pak perspektivë të marrin nga autoritetet pëlqimin e miratimin për kërkesën e tyre".

Pas luftës, më 20 qershor 1946, Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Shteteve të Bashkuara i drejtoi Ruajtësit pyetjen nëse ekzistenca e Kombeve të Bashkuara në formën e saj të sotme e ka ndryshuar qëndrimin e Bahá'í-ve kundrejt detyrave ushtarake që mund të kërkojnë marrjen e jetës njerëzore. Përgjigja e Ruajtësit, e shkruar nga sekretari i tij, ishte:

"Duke qenë se nuk ka ndonjë Forcë Policore Ndërkombëtare as ndonjë perspektivë të afërt për krijimin e një force të tillë, Bahá'í-të duhet të vazhdojnë, në të gjitha rrethanat, të bëjnë kërkesë që të përjashtohen nga çdo detyrë ushtarake që bën të nevojshme marrjen e jetës. Nuk ka justifikim për çfarëdo ndryshimi të qëndrimit nga ana jonë në kohën e tanishme".

Prandaj Ruajtësi e ka bërë të qartë se është e detyrueshme, e jo diçka fakultative, për të gjithë Bahá'í-të të kërkojnë e të mbajnë një status joluftarak në qoftë se kjo është e mundur sipas ligjit. Kur një ligj i tillë ekziston, Bahá'í-të nuk mund të futen vullnetarisht në çfarëdo degë të forcave të armatosura, në të cilën ata do t'u nënshtroheshin urdhërave për t'u angazhuar në marrjen e jetës njerëzore.

Shtëpia Universale e Drejtësisë ka shpërndarë këtë deklaratë të fundit:

"Nuk ka kundërshtim që një Bahá'í të futet vullnetarisht në forcat e armatosura të një vendi, me qëllim që të përgatitet në ndonjë punë a profesion, me kusht që të mos jetë i detyruar të ndërmarrë shërbim luftarak.

"Po kështu nuk ka kundërshtim që një Bahá'í të kërkojë ose të vazhdojë një karrierë në forcat e armatosura, me kusht që të mos jetë i detyruar të ndërmarrë shërbim luftarak".

Marredheniet
me
Qeverine
(c) Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá'í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
/ Fax: 042 - 22039

1 Bahá'u'lláh: Bishárát, Tablets of Báhá'u'lláh revealed after the Kitáb-i-Aqdas [Tabela të Bahá'u'lláh-ut të reveluara pas Qitapi Akdasit], f.22-23.

2. 'Abdu'l-Bahá: The Promulgation of Universal Peace [Shpallja e Paqes Universale], f.233.

3. 'Abdu'l-Bahá: Selections from the Writings of 'Abdu'l-Bahá [Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it], # 225, f.294.

4. 'Abdu'l-Bahá: The Will and Testament of 'Abdu'l-Bahá [Vullneti e Testamenti i 'Abdu'l-Bahá-it], f.8.

5. 'Abdu'l-Bahá: Selections from the Writings of 'Abdu'l-Bahá [Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e 'Abdu'l-Bahá-it], f.319.

6. Shoghi Effendi: The World Order of Bahá'u'lláh [Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut], f.65.

7. Bahá'u'lláh: Gleanings from the Writings of Bahá'u'lláh [Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut], f.285.

---------------

------------------------------------------------------------

---------------

------------------------------------------------------------


Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Italian :Japanese :Norwegian :Persian :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Turkish :Ukrainian :