More Books by Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í

Bahá'u'lláh
Barazia e burrave dhe grave
Besimi Bahá'í dhe takimi i nivelit të lartë për aleancën midis feve dhe ruajtjen mjedisit
Deklaratë e KNB drejtuar Konferencës botërore të KB për të drejtat e njeriut
Familja në një komunitet botëror
Gratë dhe burrat
Komuniteti Ndërkombëtare Bahá'í
Kush po e shkruan të ardhmen
Kërkimi i vlerave
Legjislacioni ndërkombëtar për mjedisin & zhvillimin
Liria për të besuar
Marrëdhëniet me qeverinë
Mbrojtja e të drejtave të grave
Mirëqenia e njerëzimit
Një strategji & plan veprimi global
Pikë kthesë për të gjitha kombet
Qytetaria botërore
Roli i edukimit, mjeteve të informimit publik
Shenjtëria dhe natyra e zgjedhjeve
Zhvillimi i pandërprerë dhe shpirti njerëzor
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í : Kush po e shkruan të ardhmen
KUSH PO E SHKRUAN TË ARDHMEN ?
PËRSIATJE PËR SHEKULLIN E NJËZETË

Më 28 maj 1992, Dhoma e Deputetëve e Brazilit u mblodh në një sesion të posaçëm për të përkujtuar qindvjetorin e ngjitjes në qiell të Bahá'u'lláh-ut, ndikimi i të Cilit po bëhet një tipar gjithnjë e më i zakonshëm i peizazhit social e intelektual të botës. Mesazhi i Tij i unitetit pat prekur thellë ndjenjat e ligjvënësve brazilianë. Gjatë zhvillimit të sesionit, folës që përfaqësonin të gjitha partitë në Dhomën e Deputetëve i dhanë një vlerësim të lartë një morie shkrimesh, që një deputet i cilësoi si "veprën fetare më kolosale të shkruar nga pena e një Njeriu të vetëm", dhe një koncepti për të ardhmen e planetit tonë, i cili, "duke kapërcyer caqet materiale", sipas fjalëve të një tjetri "është shtrirë deri te njerëzimi si një e tërë, pa dallime të dorës së dytë si ato të kombësisë, të racës, të kufijve ose të bindjeve".1

Ky vlerësim ishte aq më tepër befasues për faktin që në vendlindjen e Tij vepra e Bahá'u'lláh-ut vazhdon të dënohet ashpër nga kleri mysliman që sundon Iranin. Paraardhësit e tyre kanë qenë përgjegjës për syrgjynosjen dhe burgimin e Tij në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe për masakrimin e mijëra vetëve nga ata që mbështetnin pikëpamjet e Tij për transformimin e jetës njerëzore e të shoqërisë. Edhe kur në Brazilia zhvillohej sesioni i lartpërmendur, refuzimi për të mohuar bindjet që kishin fituar një vlerësim të lartë në mbarë pjesën tjetër të botës u sillte të treqind mijë Bahá'í-ve që jetojnë në Iran përndjekje, privacione dhe, në shumë e shumë raste, burgim e vdekje.

Një kundërvënie e ngjashme karakterizonte qëndrimet e regjimeve të ndryshme totalitare gjatë shekullit të kaluar.

Cila është natyra e atyre mendimeve që kanë shkaktuar reagime kaq të kundërta?

I

Forca shtytëse e mesazhit të Bahá'u'lláh-ut është paraqitja e realitetit si thellësisht shpirtëror për nga natyra e tij dhe e ligjeve që drejtojnë veprimin e realitetit. Ky mesazh jo vetëm e sheh individin si qenie shpirtërore, si "shpirt racional", por ngul këmbë gjithashtu se e gjithë ndërmarrja që ne e quajmë qytetërim është vetë një proces shpirtëror, një proces në të cilin mendja dhe zemra njerëzore kanë krijuar mjete gjithnjë më komplekse e më të frytshme për të shprehur aftësitë e tyre të brendshme morale e mendore.

Duke hedhur poshtë dogmat sunduese të materializmit, Bahá'u'lláh-u shpall një interpretim të kundërt të procesit historik. Njerëzimi, maja e shigjetës e evolucionit të ndërgjegjes, kalon përmes fazash që janë analoge me periudhat e foshnjërisë, të fëmijërisë e të adoleshencës në jetët e pjesëtarëve individualë të tij. Ky udhëtim na ka sjellë në pragun e arritjes së shumëpritur të moshës së pjekurisë si gjini njerëzore e unifikuar. Luftërat, shfrytëzimi dhe paragjykimi, që kanë shënuar fazat e papjekurisë në këtë proces, nuk duhet të jenë shkak për dëshpërim, por një stimul për të marrë mbi vete përgjegjësitë e pjekurisë kolektive.

Duke u shkruar krerëve politikë e fetarë të kohës së Tij, Bahá'u'lláh-u ka thënë se aftësi të një fuqie të pallogaritshme -- tej konceptimit të brezit të atëhershëm -- po zgjoheshin në popujt e tokës, aftësi të cilat shpejt do të transformojnë jetën materiale të planetit. Është thelbësore, thoshte Ai, që këto përparime të ardhme materiale të bëhen mjete të zhvillimit shoqëror e moral. Në qoftë se konflikte nacionaliste e sektare do të pengonin që të ndodhte kjo, atëherë përparimi material do të sillte jo vetëm dobi por edhe të këqia të papërfytyrueshme. Disa prej paralajmërimeve të Bahá'u'lláh-ut kanë ngjallur jehona të zymta në vetë epokën tonë: "Gjëra të çuditshme e të habitshme ekzistojnë mbi tokë", tërhiqte vëmendjen Ai. "Këto gjëra janë në gjendje të ndryshojnë tërë atmosferën e tokës dhe ndotja e shkaktuar prej tyre mund të jetë vdekjeprurëse".2

II

Problemi shpirtëror qendror me të cilin ndeshen të gjithë njerëzit, të çfarëdo kombi, feje ose prejardhjeje etnike qofshin, thoshte Bahá'u'lláh-u, është hedhja e themeleve të një shoqërie botërore që mund të pasqyrojë njëshmërinë e natyrës njerëzore. Bashkimi i banorëve të tokës nuk është as një vizion i largët utopik dhe, në analizë të fundit, as një çështje zgjedhjeje. Ai përbën fazën e ardhshme të pashmangshme në procesin e evolucionit shoqëror, një fazë drejt së cilës na shtyn medoemos gjithë përvoja e kaluar dhe e sotme. Sakohë që ky problem nuk është njohur e nuk është kapur, asnjë prej të këqiave nga të cilat vuan planeti ynë nuk do të gjejë zgjidhje, sepse të gjitha sfidat thelbësore të epokës ku kemi hyrë janë botërore e universale e jo të veçanta ose rajonale.

Pasazhet e shumta nga shkrimet e Bahá'u'lláh-ut që kanë të bëjnë me arritjen e moshës së pjekurisë të njerëzimit përshkohen nga përdorimi i dritës si një metaforë për të nxjerrë në pah fuqinë transformuese të unitetit: "Aq e fuqishme është drita e unitetit", ngulet këmbë në to, "saqë mund të ndriçojë gjithë tokën".3 Ky pohim e vë historinë bashkëkohore në një perspektivë krejt të ndryshme nga ajo që mbisundon në fund të shekullit të njëzetë. Ai na shtyn të gjejmë, brenda vuajtjes e rënies së kohës sonë, veprimin e forcave që po e çlirojnë ndërgjegjen njerëzore për një fazë të re në evolucionin e saj. Ai na bën thirrje të rishqyrtojmë atë që ka ndodhur gjatë njëqind vjetëve të fundit dhe pasojat që këto zhvillime kanë pasur në masën heterogjene të popujve, të racave, të kombeve e të komuniteteve që i kanë përjetuar ato.

Në qoftë se, siç pohon Bahá'u'lláh-u, "mirëqenia e njerëzimit, paqja dhe sigurimi i tij janë të paarritshme sakohë e përderisa nuk është vendosur fort uniteti i tij",4 është e kuptueshme përse Bahá'í-të e shohin shekullin e njëzetë, me të gjitha të këqiat e mëdha të tij, si "shekullin e dritës".5 Sepse këta njëqind vjet janë dëshmitarë të një transformimi si në mënyrën sesi banorët e tokës kanë filluar të planifikojnë të ardhmen tonë kolektive, ashtu dhe në mënyrën sesi ne po arrijmë ta shohim njëri-tjetrin. Shenja dalluese e të dyja këtyre ka qenë një proces unifikimi. Trazirat jashtë kontrollit të institucioneve ekzistuese i kanë detyruar udhëheqësit botërorë të fillojnë të ngrejnë sisteme të reja të organizimit botëror, që do të ishin të pamendueshme në fillim të shekullit. Ndërkohë që bëhej kjo, një gërryerje e shpejtë po minonte zakonet e qëndrimet që i kanë ndarë popujt e kombet gjatë shekujsh të panumërt konflikti dhe që dukej sikur do të vazhdonin edhe në epokat e ardhshme.

Në mesin e shekullit, këto dy zhvillime shkaktuan një çarje, rëndësinë historike të së cilës vetëm brezat e ardhshëm do ta vlerësojnë si duhet. Në shastisjen që solli si rrjedhojë Lufta II Botërore, udhëheqës të ndryshëm largpamës e gjetën më në fund të mundur që, nëpërmjet Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të fillonin konsolidimin e themeleve të rendit botëror. I ëndërruar prej kohësh nga mendimtarë përparimtarë, sistemi i ri i konventave ndërkombëtare e i agjensive përkatëse u pajis tani me pushtete vendimtare, që i qenë mohuar në mënyrë tragjike Lidhjes së dështuar të Kombeve. Ndërsa shekulli përparonte, muskujt primitivë të sistemit paqeruajtës ushtroheshin shkallë-shkallë për të treguar në mënyrë bindëse çfarë mund të arrihej. Bashkë me këtë u përhapën në mënyrë të qëndrueshme në mbarë botën institucione demokratike të qeverisjes. Në qoftë se rezultatet praktike janë ende zhgënjyese, kjo nuk zvogëlon aspak ndryshimin historik e të pakthyeshëm të drejtimit që ka ndodhur në organizimin e punëve njerëzore.

Ashtu si me çështjen e rendit botëror ndodh edhe me të drejtat e njerëzve të botës. Zbulimi i vuajtjeve të tmerrshme që pllakosën viktimat e zvetënimit njerëzor gjatë luftës shkaktoi një gjendje shoku në mbarë botën, që mund të cilësohet vetëm si ndjenjë e thellë turpi. Nga kjo traumë lindi një lloj i ri zotimi moral, që u institucionalizua zyrtarisht në punën e Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut e të agjensive të varura prej tij, zhvillim ky i pakonceptueshëm për sunduesit e shekullit të nëntëmbëdhjetë, të cilëve u drejtohej Bahá'u'lláh-u për këtë çështje. Të autorizuara në këtë mënyrë, janë ngritur një varg organizatash joqeveritare për të siguruar që Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut të vendoset në themel të standardeve normative ndërkombëtare dhe të zbatohet në përputhje me rrethanat.

Një proces paralel u zhvillua lidhur me jetën ekonomike. Gjatë gjysmës së parë të shekullit, si rrjedhojë e rrënimit të shkaktuar nga depresioni i madh, shumë qeveri adoptuan legjislacione për krijimin e programeve të mirëqenies sociale dhe të sistemeve të kontrollit financiar, të fondeve rezervë e të rregullimeve tregtare, që synonin mbrojtjen e shoqërive të tyre nga përsëritja e një rrënimi të tillë. Periudha pas Luftës II Botërore solli krijimin e institucioneve, fusha e veprimit e të cilave është botërore, si: Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë dhe një rrjet agjensish të zhvillimit, që merren me racionalizimin dhe çuarjen përpara të mirëqenies materiale të planetit. Nga fundi i shekullit, cilatdo qofshin qëllimet dhe sado të papërpunuara mjetet e sotme, masave të njerëzimit u është provuar se përdorimi i pasurisë së planetit mund të riorganizohet nga themeli në përputhje me konceptet e reja për nevojat.

Efekti i këtyre zhvillimeve u amplifikua së tepërmi nga përshpejtimi i përhapjes së arsimit në masa. Veç gatishmërisë së qeverive kombëtare e lokale për të caktuar burime shumë më të mëdha në këtë fushë dhe aftësisë së shoqërisë për të mobilizuar e përgatitur armata mësuesish të kualifikuar nga pikëpamja profesionale, dy përparime në shkallë ndërkombëtare të shekullit të njëzetë kanë ushtruar ndikim të veçantë. I pari prej tyre ishte hartimi i një vargu planesh të zhvillimit për nevojat e arsimit të financuara në mënyrë masive nga organe të tilla si Banka Botërore, agjensitë qeveritare, fondacionet e mëdha dhe disa degë të sistemit të Kombeve të Bashkuara. I dyti ishte shpërthimi i teknologjisë informatike, që u ka dhënë mundësi të gjithë banorëve të tokës të përfitojnë nga tërësia e dijeve të gjinisë njerëzore.

Ky proces i riorganizimit strukturor në shkallë planeti është frymëzuar e përforcuar nga një ndryshim i thellë i ndërgjegjes. Popullsi të tëra papritur kanë qenë të detyruara të përballojnë koston e shprehive të rrënjosura thellë në mendje që shkaktojnë konflikte -- dhe ta bëjnë këtë hapur para syve të kritikës mbarëbotërore ndaj atyre që dikur konsideroheshin praktika e qëndrime të pranueshme. Rezultati ishte stimulimi i një ndryshimi revolucionar në mënyrën sesi popujt e shohin njëri-tjetrin.

Gjatë tërë historisë, për shembull, dukej sikur përvoja provonte, dhe mësimet fetare konfirmonin, që gratë për nga natyra e tyre qëndrojnë thelbësisht më poshtë se burrat. Brenda një nate, në kuptimin historik të gjërave, ky mendim mbisundues papritur u gjend kudo në tërheqje. Sado i gjatë e i dhimbshëm të jetë procesi i zbatimit të plotë të pohimit të Bahá'u'lláh-ut se gratë dhe burrat janë në çdo drejtim të barabartë, mbështetja intelektuale e morale e çdo pikëpamjeje të kundërt po shpërbëhet me këmbëngulje.

Edhe një traditë tjetër e pikëpamjes së njerëzimit për vetveten e ngulitur gjatë mijëvjeçarëve të shkuar ishte ngritja lart e dallimeve etnike, e cila në shekujt e vonshëm është ngurtësuar deri në fantazi të ndryshme raciste. Me një shpejtësi marramendëse nga këndvështrimi historik, shekulli i njëzetë e pa unitetin e gjinisë njerëzore të vendoset si një parim udhëheqës i rendit ndërkombëtar. Sot, konfliktet etnike që vazhdojnë të shkaktojnë rrënime në shumë pjesë të botës shihen jo si tipare të natyrshme të marrëdhënieve midis popujve të ndryshëm, por si largime kokëforta që duhen vënë nën një kontroll ndërkombëtar efektiv.

Gjatë foshnjërisë së zgjatur të njerëzimit, supozohej gjithashtu, përsëri me mbështetjen e plotë të fesë së organizuar, se varfëria është një tipar i qëndrueshëm e i pashmagshëm i rendit shoqëror. Por tani, kjo mënyrë e shikimit të gjërave, një supozim që përcaktonte përparësitë e çdo sistemi ekonomik që ka njohur bota, është hedhur poshtë në mbarë botën. Të paktën në teori, është arritur që qeveria të shihet kudo në thelb si kujdestare që përgjigjet për të siguruar mirëqenien e të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë.

Veçanërisht domethënës, për shkak të lidhjes së ngushtë me rrënjët e arsyes njerëzore, është lirimi i darës së paragjykimit fetar. I parashtruar në "Parlamentin e Feve", që ngjalli një interes të madh ndërkohë që shekulli i nëntëmbëdhjetë po i afrohej fundit, procesi i dialogut e i bashkëpunimit ndërfetar përforcoi rezultatet e shekullarizmit në shkatërrimin e mureve të autoritetit klerikal dikur të papushtueshme. Përballë transformimit të koncepteve fetare të njëqind vjetëve të fundit, madje edhe shpërthimi i sotëm i reaksionit fondamentalist, i parë në retrospektivë, mund të duket vetëm si pak më tepër se reagime të dëshpëruara të prapavijës ndaj shkatërrimit të pashmangshëm të kontrollit sektar. Sipas fjalëve të Bahá'u'lláh-ut, "Nuk mund të ketë asnjë dyshim se popujt e botës, të çdo race ose feje qofshin, e marrin frymëzimin nga i vetmi Burim qiellor dhe janë nënshtetas të të vetmit Perëndi".6

Gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve kritikë, mendja njerëzore ka përjetuar gjithashtu ndryshime themelore në mënyrën e të kuptuarit të universit fizik. Gjysma e parë e shekullit pa sesi teoritë e reja të relativitetit e të mekanikës së kuanteve, të lidhura ngushtë të dyja me natyrën dhe veprimin e dritës, revlucionarizuan fushën e fizikës dhe ndryshuan tërë rrjedhën e zhvillimit shkencor. U duk qartë se fizika klasike mund t'i shpjegonte dukuritë vetëm brenda një shtrirjeje të kufizuar. Një derë e re u hap papritur në studimin si të përbërësve shumë të vegjël të universit ashtu dhe të sistemeve të mëdha kozmologjike të tij, një ndryshim ky efektet e të cilit shkojnë shumë përtej fizikës, duke lëkundur vetë themelet e një botëkuptimi që kishte dominuar mendimin shkencor për shekuj me radhë. U zhdukën përgjithmonë përfytyrimet e një universi mekanik të kurdisur si sahat dhe të një ndarjeje të supozuar midis vëzhguesit e të vëzhguarit, midis mendjes e materies. Në kundërshtim me prejardhjen e studimeve që u bënë të mundura e që shkojnë larg, shkenca teorike po fillon të shohë mundësinë që qëllimi dhe inteligjenca të jenë me të vërtetë të brendshme për natyrën dhe veprimin e universit.

Në vazhdën e këtyre ndryshimeve konceptuale, njerëzimi ka hyrë në një epokë në të cilën ndërveprimi midis shkencave fizike -- fizikës, kimisë dhe biologjisë, krahas shkencës së ekologjisë, që po lind, -- ka hapur mundësi marramendëse për përmirësimin e jetës. Përfitimet në fusha të tilla jetësore që lidhen me to, si bujqësia dhe mjekësia, janë bërë tepër të dukshme, si dhe ato që kanë sjellë sukseset në hapjen e burimeve të reja të energjisë. Në të njëjtën kohë, fusha e re e shkencës së materialeve ka filluar të sigurojë një pasuri burimesh të specializuara, të panjohura në fillim të shekullit -- materiale plastike, fibra optike, fibra karbonike.

Përparime të tilla në shkencë e teknikë ishin të ndërsjella në rezultatet e tyre. Kokrrizat e rërës, më i rëndomti e në dukje më i papërfillshmi i materialeve, u shndërruan në vafera silikoni e në xham optikisht të pastër, që bënë të mundur krijimin e rrjeteve të komunikimit në tërë botën. Kjo, bashkë me zhvillimin e sistemeve satelitore gjithnjë e më të sofistikuara, ka filluar të sigurojë mundësinë e marrjes së dijeve të akumulara të mbarë gjinisë njerëzore për njerëzit kudo, pa dallim. Është e qartë se dhjetëvjeçarët më të afërt që kemi përpara do të shohin integrimin e teknikave të telefonit, të televizionit e të kompjuterit në një sistem të vetëm, të unifikuar komunikimi e informimi, aplikimet pak të kushtueshme të të cilit do të jenë të disponueshme në shkallë masive. Do të ishte e vështirë të ekzagjerohej ndikimi psikologjik e social i zëvendësimit të parashikuar të rrëmujës së sistemeve monetare ekzistuese, që për shumë përbën fortesën e fundit të krenarisë nacionaliste, me një monedhë të vetme botërore, që të veprojë gjerësisht përmes impulsesh elektronike.

Me të vërtetë, efekti unifikues i revolucionit të shekullit të njëzetë në asgjë tjetër nuk është më i dukshëm sesa në ndikimet e ndryshimeve që kanë ndodhur në jetën shkencore e teknike. Në mënyrën më të qartë, gjinia njerëzore është tani e pajisur me mjetet e nevojshme për të realizuar qëllimet vizionare të mbledhura nga një vetëdije që po piqet në mënyrë të qëndrueshme. E parë më thellë, kjo pajisje është potencialisht e mundur për të gjithë banorët e tokës, pa dallim race, kulture ose kombi. "Një jetë e re", ka parë në mënyrë profetike Bahá'u'lláh-u, "po bulon në këtë epokë brenda të gjithë popujve të tokës; e megjithatë, askush nuk e ka zbuluar shkakun ose nuk e ka parë motivin e aj".7 Sot, më shumë se një shekull që kur janë shkruar këto fjalë, ndikimet e asaj që ka ndodhur deri tani po fillojnë të bëhen të dukshme për mendjet serioze kudo.

III

Të vlerësosh transformimet që ka sjellë ajo periudhë historike që po përfundon, nuk do të thotë të mohosh errësirën që e ka shoqëruar, e cila nxjerr ashpër në pah arritjet e saj: shfarosjen e qëllimtë të miliona qenieve njerëzore të pafuqishme, shpikjen dhe përdorimin e armëve të reja shkatërruese që janë në gjendje të eliminojnë popullsi të tëra, lindjen e ideologjive që mbytnin jetën shpirtërore e intelektuale të kombeve të tëra, dëmtimin e mjedisit fizik të planetit në një shkallë aq masive saqë mund të duhen shekuj për ta shëruar dhe dëmtimin më të madh e të pallogaritshëm që u është shkaktuar fëmijëve të mësuar të besojnë se dhuna, paturpësia dhe egoizmi janë triumfe të lirisë personale. Të tilla janë vetëm më të dukshmet nga një katalog të këqiash që nuk kanë krahasim në histori, mësimet e të cilave epoka jonë do t'i lerë për edukimin e brezave të dëlira që do të vijnë pas nesh.

Errësira, sidoqoftë, nuk është një dukuri e pajisur me ndonjë formë ekzistence, aq më pak autonomie. Ajo nuk e shuan dritën dhe as e pakëson atë, por shënon ato zona që drita nuk ka arritur ose nuk ka ndriçuar si duhet. Kështu do të vlerësohet padyshim qytetërimi i shekullit të njëzetë nga historianët e një epoke më të pjekur e më të qetë. Mizoritë e natyrës shtazore, që kanë dalë jashtë kontrollit gjatë këtyre viteve kritike dhe që herë-herë dukeshin sikur kërcënonin vetë mbijetesën e shoqërisë, në fakt nuk ndaluan shpalosjen e qëndrueshme të mundësive krijuese që zotëron ndërgjegja njerëzore. Në të kundërtën. Ndërsa shekulli përparonte, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish zgjoheshin lidhur me çështjen sesa të zbrazëta ishin besnikëritë dhe sa pa baza druajtjet që i mbanin robër ata vetëm pak vite më parë.

"E pashoqe është kjo Ditë", ngul këmbë Bahá'u'lláh-u, "sepse ajo është si syri i epokave e i shekujve të shkuar, dhe si një dritë në errësirën e kohëve".8 Në këtë perspektivë, problemi nuk është errësira që ngadalësonte e errësonte përparimin e arritur në njëqind vjetët e jashtëzakonshëm që tani po përfundojnë. Përkundrazi, problemi është sesa vuajtje e rrënime të tjera duhet të përjetojë gjinia njerëzore para se ne të pranojmë me gjithë zemër natyrën shpirtërore që na bën ne një popull të vetëm dhe të kemi kurajën të planifikojmë të ardhmen tonë në dritën e asaj që kemi mësuar me aq dhimbje.

IV

Koncepti i rrjedhës së ardhme të qytetërimit i parashtruar në shkrimet e Bahá'u'lláh-ut sfidon shumë nga ajo që e sotmja i imponon botës sonë si normative e të pandryshueshme. Çarjet e bëra gjatë shekullit të dritës i kanë hapur derën një bote të një lloji të ri. Ndërsa evolucioni shoqëror e intelektual po i përgjigjet në fakt një inteligjence morale të brendshme në ekzistencën, një pjesë e madhe e teorisë që përcakton qëndrimet bashkëkohore të vendim-marrjes është fatalisht e mangët. Ndërsa ndërgjegja njerëzore është thelbësisht shpirtërore për nga natyra, sepse shumica dërrmuese e njerëzve të zakonshëm gjithmonë kanë qenë në mënyrë intuitive të vetëdijshëm, nevojat e saj për zhvillim nuk mund të kuptohen ose të shërbehen përmes një interpretimi të realitetit që në mënyrë dogmatike këmbëngul ndryshe.

Asnjë aspekt i qytetërimit bashkëkohor nuk sfidohet në mënyrë më të drejtpërdrejtë nga koncepti i Bahá'u'lláh-ut për të ardhmen sesa kulti mbizotërues i individualizmit, që është përhapur në pjesën më të madhe të botës. I ushqyer nga forca të tilla si ideologjia politike, elitizmi akademik dhe një ekonomi konsumi, "kërkimi i lumturisë" ka shkaktuar një ndjenjë agresive e pothajse të pakufishme të drejte personale. Rrjedhojat morale kanë qenë gërryese për individin, e po kështu për shoqërinë, dhe rrënuese përsa i përket sëmundjes, dhënies pas drogës dhe plagëve të tjera shumë të zakonshme të fundshekullit. Detyra e çlirimit të njerëzimit nga një gabim kaq themelor e të përhapur do të verë në pikëpyetje disa prej supozimeve më thellë të ngulitura të shekullit të 20ë lidhur me atë që është e drejtë dhe atë që është e gabuar.

Cilat janë disa prej këtyre supozimeve të pashqyrtuara? Më i dukshmi është bindja se uniteti është një ideal i largët, pothuajse i paarritshëm, i cili duhet shtruar vetëm pasi një numër i madh konfliktesh politike të jenë zgjidhur në njëfarë mënyre, pasi nevojat materiale të jenë plotësuar në njëfarë mënyre dhe pasi padrejtësitë të jenë korrigjuar në njëfarë mënyre. Bahá'u'lláh-u pohon se është pikërisht e kundërta. Sëmundja bazë nga e cila vuan shoqëria dhe që shkakton të këqiat që e gjymtojnë atë, thotë Ai, është mungesa e unitetit e një gjinie njerëzore që dallohet për nga aftësia e saj e bashkëpunimit dhe përparimi i së cilës deri më sot ka qenë i varur prej faktit sesa, në kohë e shoqëri të ndryshme, është arritur veprimi i përbashkët. Të kapesh pas nocionit se konflikti është një tipar i brendshëm i natyrës njerëzore, e jo një kompleks zakonesh e qëndrimesh të mësuara, do të thotë t'i imponosh një shekulli të ri një gabim, i cili më shumë se çdo faktor tjetër i veçantë ka penguar të kaluarën e n jerëzimit. "Krahasojeni botën", i këshillonte Bahá'u'lláh-u drejtuesit e zgjedhur, "me trupin njerëzor, i cili, edhe pse në krijimin e tij ishte i shëndetshëm e i përsosur, është goditur, për shkaqe të ndryshme, nga çrregullime e sëmundje të rënda".9

Lidhur ngushtë me problemin e unitetit është një sfidë e dytë morale që shekulli i kaluar ka shtruar me ngutësi gjithnjë e më të madhe. Në sytë e Perëndisë, këmbëngul Bahá'u'lláh-u, "drejtësia është "më e shumëdashura e të gjitha gjërave".10 Ajo i jep mundësi individit ta shohë realitetin me sytë e vet, e jo me sytë e të tjerëve, dhe e pajis vendim-marrjen kolektive me autoritetin, vetëm i cili mund të sigurojë unitetin e mendimit e të veprimit. Sado i kënaqshëm të jetë sistemi i rendit ndërkombëtar që ka lindur nga përvojat e mundimshme të shekullit të njëzetë, ndikimi i qëndrueshëm i tij do të varet nga pranimi i parimit moral që ai përmban. Në qoftë se njerëzimi është me të vërtetë një e i pandarë, atëherë autoriteti i ushtruar nga institucionet drejtuese të tij përfaqësojnë në thelb një kujdestarí të besuar. Çdo person individual vjen në botë si një i besuar i së tërës, dhe është ky tipar i ekzistencës njerëzore që përbën themelin real të të drejtave sociale, ekonomike e kulturore që formulojnë Karta e Kombeve të Bashkuara dhe dokumentet që lidhen me të. Drejtësia dhe uniteti janë të ndërsjella në efektin e tyre."Qëllimi i drejtësisë", ka shkruar Bahá'u'lláh-u, "është shfaqja e unitetit midis njerëzve. Oqeani i urtisë hyjnore dallgëzon brenda këtyre fjalëve të lavdëruara, ndërsa librat e botës nuk mund të përmbajnë domethënien e brendshme të tij".11

Derisa shoqëria angazhohet, edhe pse me ngurrim e druajtje, në këto parime morale e të tjera që lidhen me to, roli më kuptimplotë që kjo do t'i ofrojë individit do të jetë ai i shërbimit. Një prej paradokseve të jetës njerëzore është se zhvillimi i Unit vjen parësisht përmes angazhimit në ndërmarrje më të mëdha, në të cilat Uni, qoftë edhe vetëm përkohësisht, harrohet. Në një epokë që u hap njerëzve të çdo pozite mundësinë për të marrë pjesë efektivisht në modelimin e vetë rendit shoqëror, ideali i shërbimit ndaj të tjerëve merr një domethënie krej të re. Të ngresh lart qëllime të tilla, si fitimi dhe mbrojtja e interesave të veta, duke i bërë ato qëllimin e jetës, do të thotë të mbështesësh kryesisht anën shtazore të natyrës njerëzore. Dhe as munden mesazhe sempliste të shpëtimit personal t'u përgjigjen më tej dëshirave të zjarrta të brezave që kanë arritur të njohin, me siguri të thellë, se përmbushja e vërtetë është po aq çështje e kësaj bote sa dhe e botës tjetër. "Interesohuni me kujdes për hallet e epokës në të cilën jetoni", është këshilla e Bahá'u'lláh-ut, "dhe i përqendroni diskutimet tuaja në kërkesat e nevojat e saj".12

Perspektiva të tilla kanë implikime të thella për drejtimin e punëve njerëzore. Është e qartë, për shembull, se, cilatdo qofshin konributet e tij të kaluara, sa më gjatë të vazhdojë të ekzistojë shteti komb si ndikimi sundues në përcaktimin e fatit të njerëzimit, aq më gjatë do të shtyhet arritja e paqes botërore dhe aq më të mëdha do të jenë vuajtjet që i shkaktohen popllsisë së tokës. Në jetën ekonomike të njerëzimit, sado të mëdha të jenë të mirat që ka sjellë globalizimi, është e qartë se ky proces ka sjellë gjithashtu përqendrime të pashembullta të pushtetit autokratik, i cili duhet vënë nën një kontroll demokratik ndërkombëtar, që të mos shkaktojë varfëri e dëshpërim për shumë e shumë miliona njerëz. Po kështu, shpërthimi historik në teknikën e informimit e të komunikacionit, që përbën një mjet aq të fuqishëm për të çuar përpara zhvillimin shoqëror dhe thellimin e ndjenjës së njerëzimit të tyre të përbashkët te popujt, mundet, po me aq forcë, të devijojë e ashpërsojë impulset që janë jetësore për funksionin e vetë këtij procesi.

V

Ajo për të cilën flet Bahá'u'lláh-u është një marrëdhënie e re midis Perëndisë dhe njerëzimit, e cila është në harmoni me pjekurinë që po agon të gjinisë njerëzore. Realiteti suprem që ka krijuar e që mban universin do të mbetet përgjithmonë tej asaj që mund të arrijë mendja njerëzore. Marrëdhënia e ndërgjegjshme e njerëzimit me Të, deri në atë shkallë që është vendosur, ka qenë rezultat i ndikimit të Themeluesve të feve të mëdha, Moisiut, Zoroastrit, Budës, Jezusit, Muhametit dhe të figurave më të hershme, emrat e të cilëve, në pjesën më të madhe, janë fshirë nga kujtesa. Duke iu përgjigjur këtyre impulseve të Hyjnores, popujt e tokës kanë zhvilluar shkallë pas shkalle aftësitë shpirtërore, intelektuale e morale që janë kombinuar për të qytetëruar karakterin njerëzor. Ky proces akumulues mijëravjeçar ka arritur tani fazën karakteristike të të gjitha pikëkthesave vendimtare në procesin evolucionar, kur mundësitë e mëparshme të pashfrytëzuara dalin në pah papritur: "Kjo është Dita", pohon Bahá'u'lláh-u, "në të cilën favoret më të çmuara të Perëndisë janë derdhur mbi njerëzit, Dita në të cilën hiri i Tij më i fuqishëm u është futur të gjitha gjërave të krijuara".13

E parë me sytë e Bahá'u'lláh-ut, historia e fiseve, e popujve dhe e kombeve, ka arritur efektivisht përfundimin e saj. Ajo që ne po shohim është fillimi i historisë së njerëzimit, historia e një gjinie njerëzore të vetëdijshme për njëshmërinë e saj. Në këtë pikë kthese në rrymën e qytetërimit, shkrimet e Tij sjellin një ripërcaktim të natyrës e të proceseve të qytetërimit dhe rirregullim të përparësive të tij. Qëllimi i tyre është të na ftojnë të kthehemi te vetëdija e përgjegjësia shpirtërore.

Në shkrimet e Bahá'u'lláh-ut nuk ka asgjë që të mbështesë iluzionin se ndryshimet e përfytyruara do të bëhen me lehtësi. Është krejt ndryshe. Siç e kanë treguar tashmë ngjarjet e shekullit të njëzetë, modelet e zakoneve e të qëndrimeve të rrënjosura për mijëra vjet nuk braktisen as vetvetiu dhe as thjesht në përgjigje të edukimit ose të veprimit ligjvënës. Qoftë në jetën e individit ose në atë të shoqërisë, një ndryshim i thellë më shpesh ndodh, sesa jo, në përgjigje të vuajtjeve të mëdha dhe të vështirësive të padurueshme që nuk mund të kapërcehen në rrugë tjetër. Pikërisht përjetimi i një sprove kaq të madhe, paralajmëronte Bahá'u'lláh-u, është i nevojshëm për të bashkëlidhur popujt e ndryshëm të tokës në një popull të vetëm.

Konceptet shpirtërore e materialiste të natyrës së realitetit janë të papajtueshme me njëri-tjetrin dhe çojnë në drejtime të kundërta. Kur është duke u hapur një shekull i ri, kursi i vendosur nga e dyta prej këtyre pikëpamjeve të kundërta e ka çuar tashmë një njerëzim fatkeq shumë përtej pikës më të largët nga ku një iluzion racionalizmi, pa folur për mirëqenien njerëzore, dikur mund të mbështetej. Çdo ditë që kalon, shumëzohen shenjat që tregojnë se një numër i madh popujsh po zgjohen për ta kuptuar këtë.

Pavarësisht nga pikëpamja gjerësisht mbisunduese për të kundërtën, gjinia njerëzore nuk është një pllakë e pashkruar, në të cilën arbitra të privilegjuar të punëve njerëzore mund të shkruajnë lirisht dëshirat e tyre. Burimet e shpirtit dalin atje ku duan e si të duan. Ato nuk do të mbulohen pambarim nga llumi i shoqërisë së sotme. Nuk kërkohet më një intuitë profetike për të vlerësuar se vitet e fillimit të shekullit të ri do të shohin çlirimin e energjive pafundësisht më të fuqishme sesa rutinat, falsitetet dhe drogimet që kanë blokuar për një kohë të gjatë shprehjen e tyre.

Sado e madhe është rrëmuja, periudha në të cilën po futet njerëzimi do të hapë para çdo individi, çdi institucioni e çdo komuniteti mbi tokë mundësi të pashembullta për të marrë pjesë në shkruarjen e të ardhmes së planetit. "Së shpejti", është premtimi plot besim i Bahá'u'lláh-ut, "rendi i sotëm do të paloset dhe një rend i ri do të shpaloset në vend të tij".14

S H Ë N I M E

1. Vërejtje të Deputetit Luis Gushiken dhe të Deputetes Rita Camata. "Sessao Solene da Câmara Federal em Homenagem ao Centenário da Ascensao de Bahá'u'lláh", Brasilia, 28 maj 1992.

2. Bahá'u'lláh, Tabela të Bahá'u'lláh-ut të reveluara pas Qitapi Akdasit (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1997), f. 69.

3. Bahá'u'lláh, Letër për të Birin e Ujkut (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1988), f. 14.

4. Bahá'u'lláh, Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, par. 131.

5. 'Abdu'l-Bahá, Shpallja e Paqes Universale: Biseda të mbajtura nga 'Abdu'l-Bahá-i gjatë vizitës së Tij në Shtetet e Bashkuara e në Kanada më 1912, bot. i rish.(Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1988), f. 74, 126.

6. Bahá'u'lláh, Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, par. 111.

7. Bahá'u'lláh, Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, par. 96.

8. Bahá'u'lláh, cituar nga Shoghi Effendi në Ardhja e Drejtësisë Hyjnore (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1990), f. 79..

9. Bahá'u'lláh, Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, par. 120.

10. Bahá'u'lláh, Fjalët e Fshehura, nr. 2 nga arabishtja.

11. Bahá'u'lláh, Tabela të Bahá'u'lláh-ut të reveluara pas Qitapi Akdasit (Wilmette: Trusti Botues Bahá'í, 1997), f. 67.

12. Bahá'u'lláh, Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, par. 106.

13. Bahá'u'lláh, Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, par. 4.

14. Bahá'u'lláh, Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, par. 4.

Kush po e shkruan të ardhmen ? 6


Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Italian :Japanese :Norwegian :Persian :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Turkish :Ukrainian :